Objekti i vjetër më shumë se 100 vjet dhe me histori më vete rrezikon të rrënohet.
Kur u ndërtua menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, fillimisht u shfrytëzua nga ushtria e më pas nga dogana.
Më vonë, objekti u shndërrua në Spital të përgjithshëm të qytetit të Pejës.
E tash e 40 vjet, kjo ndërtesë ka një mision mjaft të veçantë, atë të shkollimit dhe këshillimit për nxënësit e verbër.
Por, Ministria e Drejtësisë ajo e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Administratës nuk i morën parasysh vlerat dhe rëndësinë e kësaj shkolle të vetme në Kosovë, kur para një viti, përmes një memorandumi të bashkëpunimit, vendosën ta rrënonin atë për të ndërtuar një objekt të ri për Gjykatën Themelore të Pejës.
Menaxhmenti i kësaj qendre po e kundërshton rrënimin.
Kundër rrënimit janë edhe shoqëria civile në këtë qytet, të cilët thonë se në mënyra të ndryshme do të mundohen ta ndalojnë shkatërrimin e objektit që e cilësojnë si pjesë të trashëgimisë kulturore.
Veton Mujaj, nga Syri i visionit thotë se kanë kërkuar edhe mbështetjen e organizatave të tjera dhe të qytetarëve.
Sipas tij, nëse është e nevojshme, do të organizojnë edhe peticion për mbledhjen e nënshkrimeve, kundër, siç e quan ai, skandalit një fjalë.
Ndërkaq, zyrtarë të komunës thonë se për këtë është vendosur në nivelin qendror.
Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, ka thënë se komunës i është kërkuar nga ministritë e përfshira që t’i ofrojnë një parcelë tjetër për ndërtimin e një objekti të ri për shkollën e të verbërve.
Kundër kësaj iniciative ka reaguar edhe Sindikata e Arsimit, e cila, përmes një komunikate, kanë bërë thirrje që objekti i gjykatës të ndërtohet diku tjetër e jo në këtë parcelë.
-
20 korrik 2018 21:58
-
Shpërndaje në: