Arbëri

Asfaltimi i një rruge në Pejë, peng i kanalizimit

Descriptive Text

Rruga “Ramë Geci” e bashkësisë lokale “Kristali” të Pejës, është bërë me gropa e me pellgje në tërë gjatësinë e saj prej 650 metrash.

Një prej banorëve më të vjetër në atë lagje, Zekë Lajçi, tregon se kjo rrugë kështu siç duket tashti është dukur edhe para 50 vjetësh, prej kur ai jeton në atë lagje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Florim Lajçi tregon për kërkesat e vazhdueshme të banorëve për ta ndërtuar atë rrugë, në të cilën sipas tij, Komuna kurrë nuk ka intervenuar edhe për përmirësuar gjendjen e saj, me arsyetimin se fillimisht duhet të vendoset kanalizimi, e pastaj asfaltimi i rrugës.

Hyrja në këtë rrugë është vetëm 20 metra larg SHF “Smajl Hajdari”. Kur bie shi rruga është vështirë e kalueshme, se nuk janë vetëm gropa, por shumica e gropave janë shndërruar në pellgje.

Në Komunë pohojnë se e kanë të njohur problemin e atyre qytetarëve, por se sipas zyrtarëve të Komunës, arsyeja pse ende nuk e kanë asfaltuar është kanalizimi. “Ajo rrugë ka mbetur pa u ndërtuar për shkak të kanalizimit, i cili së pari duhet të ndërtohet e pastaj rruga, që të mos prishet nëse bëhet e para”, tregon “arsyen”, drejtori i Financave, Jeton Abazaj pse ende nuk është rregulluar ajo rrugë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)