Qeveria i kthen Komunës së Suharekës hapësirën që e shfrytëzonte ushtria serbe e më pas KFOR-i

15 korrik 2018 21:37

Objekti i Damperit, i cili për shumë vjet u shfrytëzua si pikë strategjike nga ushtria serbe e më pas nga KFOR-i, i është kthyer në pronësi Komunës së Suharekës.

Ky objekt ka një sipërfaqe prej 33 hektarësh, prej tyre në 7 objekte të ndryshme.

Pos kësaj, kryetari i komunës, Bali Muharremaj, tregon se e gjithë hapësira ka infrastrukturën përcjellëse.

Muharremaj thotë se kanë nisur menjëherë takimet me ekspertë dhe opozitën, me të cilët do të bëjnë një plan strategjik, përmes të cilit synon punësimin e mbi 1500 personave.

Përveç investitorëve të huaj, një pjesë e hapësirës do të shfrytëzohet edhe për vendosjen e zjarrfikësve e emergjencës, pasi komuna vazhdimisht ka pasur problem me toka komunale.

Në Agjencinë për Nxitjen e Investimeve, KIESA, kanë thënë se deri tani nuk janë takuar me kryetarin e komunës dhe ende nuk është marrë vendim për ta ndihmuar komunën në sjelljen e investitorëve të huaj.

Në kohën kur AKP-ja kishte vendosur të shiste fabrikën e prodhimit të gomës “Ballkan”, dy kompani të njohura botërore i kishin hyrë garës për të blerë ndërmarrjen, me synimin që të merrnin edhe Damperin, mirëpo ato u larguan nga gara dhe objekti mbeti nën mbikëqyrje të KFOR-it.

Pas largimit të KFOR-it, Damperi ka kaluar në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për katër vjet, por nuk ishte privatizuar.

E vendimi për kalimin e pronësisë në komunë, Qeveria e mori më 6 korrik të këtij viti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme