Arbëri

Dy nënshkrime të ministrave lënë pa qasje në ujë të pijes qytetarët e Fushë Kosovës

Për një gyp uji të gjatë vetëm katër kilometra dhe në vlerë prej 400 mijë eurosh, i cili do të lidhej me fabrikën e ujit në Shkabaj, banorët e Fushë Kosovës për vite të tëra kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Ndonëse ishin të ndara edhe mjetet për nisjen e punimeve, nga të cilat do të bëhej furnizimi me ujë, asgjë në këtë drejtim nuk ka lëvizur, raporton KTV.

Madje, vetë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në dorën e të cilit është zgjidhja e kësaj çështjeje bashkë me ministrin e Financave, gjatë vizitës që i patën bërë kësaj komune, patën premtuar se shtatori nuk do t’i gjente me këtë problem.

Zyrtarët komunalë hedhin kritika të shumta në adresë të ministrit Lluka, i cili po e zvarrit zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Kjo komunë tashmë ka nisur disa shkresa në institucionet gjegjëse për të kërkuar leje që me vetëfinancim të nisin punimet, mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje.

Topalli kërcënon se nuk do të presin edhe gjatë për të vepruar edhe pa lejen e nivelit qendror.

Sidoqoftë, banorët thonë se janë ata që po pësojnë më së shumti nga e gjithë kjo situatë.

Ata thonë se në mënyra të ndryshme janë të detyruar ta sigurojnë ujin e pijshëm.

“Kohavisioni” ka provuar të marrë edhe qëndrimin e ministrit Lluka po ai nuk ka dhënë sqarime lidhur me këtë çështje.