Arbëri

Kastrati thotë se migrimi i popullsisë është shqetësim në Kamenicë

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me kabinetin e tij të premten kanë mbajtur diskutimin publik me qytetar ku janë prezantuar të arriturat e qeverisjes lokale për periudhën gjashtë mujore.

Kreu i Kamenicës tha se brenda periudhës 6 mujore të këtij viti ata kanë arritur të përfitojnë donacione në vlerë rreth 663 mijë euro nga organizata dhe institucione të ndryshme siç është donacioni për furnizim me material shëndetësor, donacioni për këndet e lojërave të fëmijëve, për renovimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Hogosht si dhe shumë donacione tjera”, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Gjilan.

Kastrati ka thënë se në sektorin e arsimit ata janë duke bërë përgatitje për renovimin e pjesshëm të 5 shkollave fillore kurse janë arritur të krijojnë edhe një databazë që përmban të gjitha shënimet e punëtorëve të arsimit. Ai gjithashtu thotë se përgatitur 18 projekte për të cilat do të kërkojnë financim kurse vlera e projekteve të cilat parashihen të implementohen është 887 mijë euro.

“Vitin e kaluar buxheti për investime kapitale ka qenë 124 mijë euro. Një shtëpi diku në Kosovë e ka atë buxhet ndërsa ne duhet krejt komunës me i ofru investime kapitale me një buxhet të tillë. Këtë vit buxheti i komunës është 9 milion e 50 mijë euro dhe 90 për qind e buxhetit shkon në paga dhe shpenzime komunale dhe mallra dhe shërbime. Bazuar që kemi një buxhet jashtëzakonisht të vogël duhet me u përpjek dhe me ndjek secilin donacion dhe program. 50 për qind të kohës mendojmë të aplikojmë në fonde dhe më pak se 8 muaj janë përgatitur 18 projekte për të cilat shumicën e tyre kemi aplikuar dhe vlera e projekteve është 887 mijë euro”, ka thënë ai

Hap pozitiv sipas tij në periudhën 6 mujore në krye të komunës është edhe përmirësimi i bilancit financiar ngase sipas tij ka pasur rritje të inkasimit të hyrave nga shfrytëzimi i sipërfaqeve publike për 76 për qind në raport me vitin 2017 kurse këtë trend pozitiv është përcjell edhe tek inkasomi i të hyrave nga tatimi në pronë. Kastrati ka thënë se ata kanë ulur shpenzimet për dreka zyrtare dhe për udhëtime zyrtare.

Mirëpo sipas kryetarit të Kamenicës, migrimi i popullsisë është një shqetësim dhe sipas tij kjo është edhe falë politikave të gabuara të cilat i kanë ndjekur të gjitha Qeveritë të cilat kanë qeverisur me vendin. Kurse ka kërkuar ndihmën e diasporës. “Kemi gjendjen shumë të keqe dhe po e ofroj një statistikë. Në vitin 2006 -2007 kemi pasur 8 mijë e 200 nxënës në komunën tonë kurse në vitin 2017 -2018 i kemi 4 mijë e 400 nxënës. Të rinjtë janë duke u shpërngulur nga Kamenica dhe çka mundet me na ndihmuar është diaspora. Kemi për zhvillim ekonomik dhe për këtë duhet me bashku kapitalin e qytetarëve nga diaspora për një fabrikë dhe nuk është vështirë me gjet bashkatdhetarët me i mbledh 250 mijë franga me investuar në Kosovë. Njëkohësisht e punëson familjarin dhe në anën tjetër ka pronësi në atë fabrikë”, ka thënë Kastrati.