Arbëri

Komuna e Vitisë përfshiu gabimisht afro 50 ari tokë private në Zonën e vet Ekonomike

Zekrija Mustafa po pretendon se kjo hapësirë ku është planifikuar të bëhet hyrja e Zonës Ekonomike e Komunës së Vitisë është e tij.

Mustafa thotë që prona prej më shumë se 50 ari i takon familjes së tij që nga viti 1959, raporton KTV.

Ai është i gatshëm për marrëveshje me komunën që t’i kompensohet prona, pasi që thotë se nuk dëshiron që të shkaktojë pengesa.

Sipas Mustafës, komuna e ka neglizhuar këtë çështje dhe për këtë, tashmë ka lëndë në Gjykatën Themelore të Gjilanit dega në Viti.

Mirëpo, në Komunën e Vitisë thonë se janë duke pritur përgjigje nga gjykata në të cilën do të jepen sqarimet e nevojshme në lidhje me pretendimet e palës, e cila insiston në të drejtën e pronësisë që ka në lokacionin e Zonës Ekonomike.

Kurse, nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë pasur lëshime gjatë ndarjes së pronës për Zonën Ekonomike, ngase sipas tyre, komuna ka edhe mungesë të dhënave kadastrale.

Ai thotë se komuna është e gatshme që të shpronësojë tokën nëse vlerësohet e nevojshme.

Ndryshe, Ministria e Tregtisë është zotuar për financimin e ndërtimit të infrastrukturës për Zonën Ekonomike dhe se ka edhe një marrëveshje të nënshkruar të bashkëpunimit në mes kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Halitit si dhe Ministrit të Tregtisë, Bajram Hasanit.