Arbëri

Haradinaj: Klina është pasuri e vlerave tona kombëtare, e trashëgimisë dhe tolerancës

Descriptive Text

"Klina është një vend i respektuar, pasuri e vlerave tona kombëtare, e trashëgimisë, tolerancës, që është për t'u çmuar dhe unë si kryetar i Qeverisë, ndjej obligim që Qeveria të jetë afër jush”.

Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj pas vizitës që bëri në Komunën e Klinës, ku u prit nga kryetari i kësaj Komune, Zenun Elezaj me bashkëpunëtorë.

“Qëllimi i ardhjes sime, është që Qeveria dhe Komuna, të mund të jemi më të saktë në veprimet që i ndërmarrim mes vete. Shumë veprime qeverisëse janë kryekëput kompetenca të Komunës, por që shumë të tjera tejkalojnë këtë kapacitet”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se saktësia e veprimit në mes të dy niveleve, fiton në kohë, në kualitet, duke arrit më shpejt qytetarët përmes projekteve të parapara.

I shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kryeministri Haradinaj tha se me kryetarin Elezaj ka biseduar për temat që i preokupojnë qytetarët e komunës siç është uji i pijes, ujërat e zeza, infrastrukturën e cila duhet të trajtohet me kujdes.

“Është edhe miniera e boksitit e cila nëse aktivizohet është resurs që hap vende të punës dhe ndikon në zhvillimin ekonomik", tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim u bisedua edhe për sektorin e bujqësisë, shëndetësinë, arsimin, për dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës të cilat do të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik, zonë industriale dhe për fusha të tjera me rëndësi për Komunën e Klinës.

“U zotuam se disa projekte infrastrukturore, memorandume që janë arritur me komunën do të zbatohen në projeksionet e ardhshme buxhetore”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj tha se kanë marrë përkrahjen e plotë për çështjet kryesore që e preokupojnë Klinën siç është furnizimi me ujë të pijes, trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturën dhe probleme tjera.

"Do të kemi përkrahje të plotë nga Qeveria e Kosovës andaj e falënderojmë kryeministrin për ardhjen në vizitë dhe për mbështetjen që na ka dhënë për proceset që do të vazhdojnë në të ardhmen”, tha kryetari Elezaj.

Në kuadër të vizitës në Klinë, kryeministri Haradinaj ka zhvilluar një takim edhe me drejtorët e drejtorive dhe asamblistët komunalë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Klinës, Fadil Gashi pasi falënderoi kryeministrin për vizitë adresojë dy kërkesa për të cilat tha se janë jetike dhe të rëndësishme për qytetarët e Komunës së Klinës.

“Ne po kërkojmë autoritetin tuaj të drejtpërdrejtë të ndërhyni tek secili faktor relevant ndërkombëtar që çështja e të pagjeturve të zgjidhet përfundimisht”, tha kryesuesi Gashi.

Kërkesë tjetër që ai adresoi tek kryeministri ishte implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga kryetari i Komunës së Klinës me ministra të kabinetet qeveritar.

Kryeministri Haradinaj tha se bashkëndjen me qytetarët e komunës, me dhimbjet e tyre për rrugën deri në liri dhe me kërkesën e tyre për të pagjeturit.

Vizita në Klinë po zhvillohet në kuadër të vizitave që kryeministri Haradinaj po u bënë komunave të Kosovës për t'u njohur nga afër me problemet me të cilat ballafaqohen komunat në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.