Akuzon Komunën se ia bëri të padrejtë në konkursin për pastruese në shkollën e Gremes

24 qershor 2018 20:49

Flora Gashi po pretendon se i është bërë e padrejtë gjatë një konkursi për pastruese në shkollën fillore “Jeta e Re” ne fshatin Greme të Ferizajt.

Ajo thotë se në test ka arritur t’i marrë më shumë se 90 pikë por vendin e punës e ka fituar Sadik Murseli, për të cilin Gashi dyshon që nuk e ka fituar me meritë, raporton KTV.

Gashi gjithashtu thotë se shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Ferizajt, Afrim Matoshi, i ka thënë që në këtë vend do të punësohet Sadik Murseli.

Por i pyetur nga televizioni, ai i ka mohuar këto akuza, duke thënë që nuk e njeh këtë person dhe se për këtë ka vendosur komisioni.

Në këtë komision thonë që Gashi ka qenë në mesin e 3 personave që i është nënshtruar edhe intervistës por kandidati Sadik Murseli ka qenë më i miri.

Thonë se ajo ka bërë ankesë por e njëjta i është refuzuar si e pabazuar.

Në këtë konkurs, i cili u hap në shkurt të këtij viti, kanë aplikuar 5 kandidatë, prej të cilëve tre janë ftuar për intervistë.

Vendet e punës në sektorin publik mbeten më atraktivet dhe me të kërkuarat në tregun tonë. Në shumë raste, pas konkurseve, ka ankesa për padrejtësi dhe punësime në bazë të njohjeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme