Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” vazhdon në Gjilan Foto: Ilustrim

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” vazhdon në Gjilan

24 qershor 2018 14:49

Në Komunën e Gjilanit nesër do të organizohet aksion i madh pastrimi në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Aksioni i nesërm “Ta Pastrojmë Gjilanin” është vazhdimësi e 5 Qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit, ndërsa organizohet nga Komuna e Gjilanit, Organizata “Let’s Do It Kosova”, dhe mbështetet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në aksionin e nesërm që nis në orën 10:00 para teatrit të Gjilanit, merr pjesë edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri. Aksioni vazhdon nga ora 11:00, tek ish-biblioteka e vjetër, ku do të pastrohet lokacioni i përcaktuar.

Tutje, aktivitetet vazhdojnë në orën 12:30, ku do të bëhet pastrim i lokacionit dhe mbjellje e drunjve tek ish-objekti i burgut të Gjilanit. Në kuadër të kësaj dite do të ketë edhe aktivitete tjera që do të vazhdojnë deri në orën 14:30, ndërsa të gjithë pjesëmarrësve do t’ju sigurohet nga një shujtë, pije dhe gjitha pajisjet e nevojshme.

Përveç pjesëmarrjes së vullnetarëve të shumtë, “Let’s Do It Kosova” do të dhurojë edhe thasë për mbeturina, maica, dorëza, çanta, si dhe ka mundësuar në bashkëpunim me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive, që mbetjet e grumbulluara të dërgohen në deponi legale.

Në aksion, Kompania “Ecohigjiena” do të ofrojë makinerinë e saj për largimin e mbeturinave, ndërsa “Let’s Do It Kosova” i ka ofruar derivate, përmes projektit që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Aksionit do t’i bashkëngjiten të gjitha Drejtoritë e Komunës së Gjilanit, ku përveç pjesëmarrjes së stafit të tyre në aksion, kanë qenë të angazhuara në organizimin e aksionit të nesërm.

Në aksion do të marrin pjesë ndërmarrje publike, nxënës të shkollave, rotarianë, administrata e Komunës, vullnetarë nga organizata e qendrës rinore dhe qytetarë të Komunës së Gjilanit.

Përmes kësaj komunikate, “Let’s Do It Kosova” u bën thirrje të gjithë gjilanasve që t’i bashkohen aksionit për largimin e mbeturinave.

“Let’s Do It Kosova” po ashtu ju njofton se aksionet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojnë edhe më tej, deri në Ditën e Pastrimit të Botës më 15 shtator 2018, që organizohet edhe në Kosovë, në mesin e 200 vendeve të tjera të botës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme