Arbëri

Inspeksioni ndërpret punimet për ndërtimin e garazheve nëntokësore në Mitrovicë

Inspeksioni Komunal i Mitrovicës ka ndërprerë ndërtimin e garazheve nëntokësore, pas ankesave të banorëve për rrezikun që u shkaktohet ndërtesave në atë zonë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka dhe drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Hysni Ahmeti, kanë pritur në një takim përfaqësuesit e familjeve që banojnë në dy ndërtesat shumëkatëshe përreth zonës së paraparë për ndërtimin e garazheve nëntokësore, në qendër të qytetit, afër ish-ndërtesës ku tani është vendosur Gjykatës Themelore.

Përfaqësuesit e familjeve që banesat e tyre i kanë në këto ndërtesa, nënkryetarit Mujka ia shprehën shqetësimet e tyre lidhur me punimet që po bëhen në atë zonë nga operatori ekonomik N.T.P. “Tropik”, që është përfitues tenderit për ndërtimin e garazheve nëntokësore, pasi, siç thanë ata, po iu rrezikohen pronat, përkatësisht banesat e tyre dhe iu është vështirësua qasja në to, ndërsa që shqetësues është edhe siguria e banorëve dhe qytetarëve të tjerë, e në veçanti siguria e fëmijëve.

“Ne nuk jemi kundër punimeve që po bëhen për ndërtimin e garazheve, por ne po kërkojmë siguri. Punë kryesi duhet të që krahas punimeve për ndërtim nëntokësor, të bëj betonimin e duhur, në mënyrë që të mos ketë rrëshqitje të dheut, siç është duke ndodhur tani. Ka shembje të mëdha të dheut fare afër ndërtesave ku ne banojmë, kështu që rreziku është real që ato të shemben dhe neve të na rrezikohet jeta. Para se të ndodhë më e keqja, duhet të ndërmerren masa të menjëhershme sigurie për ne banorët, por edhe për kalimtarët, duke e detyruar punë kryesin që të respektoj rregullat e ndërtimit dhe ligjin”, thanë ata.

Nënkryetari Mujka i njoftoi banorët se udhëheqja komunale dhe drejtoritë përkatëse kanë debatuar rreth problemit të tyre dhe madje e kanë shtruar çështjen e dhe në Kuvendin e Komunës për diskutim. Kjo çështje do të diskutohet sërish në Kuvendin e Komunës për të bërë një zgjidhje të drejtë, por para së gjithash për të evituar rrezikun që u kanoste banorëve dhe pronave të tyre.

Ndërkaq, drejtori Ahmeti u tha qytetarëve se menjëherë do të dalë në vendin e ngjarjes bashkë me inspektorët përkatës dhe do të ndërmarrë masa përkatëse.

Duke parë se vërtetë punimet në atë zonë paraqesin rrezik për banorët dhe pronat e tyre, inspektorët komunalë kanë ndërprerë përkohësisht punimet, me arsyetim se nuk janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për evitimin e rrezikshmërisë së qytetarëve he pronave të tyre.

{gallery}