Arbëri

Asnjë objekt i legalizuar në veri, qytetarët viktimë e politikave të larta

Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht raporti nga komunat për fazën e parë të regjistrit si dhe fazën e dytë të aplikimit për legalizim, tregojnë se janë regjistruar 353 mijë e 685 ndërtime pa leje në tërë Kosovën, ndërkohë që vetëm një numër i vogël i tyre kanë vazhduar me procedurat për legalizime, dhe se tani është faza e shqyrtimit për aprovim të projektligjit të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Kështu u tha sot në veri të Mitrovicës, gjatë prezantimit të projektit “Trajtimi i ndërtimeve pa leje në veriun e Kosovës”, organizuar nga organizatat partnere ‘Civil Development Organization’ (CDO) nga jugu i Mitrovicës, dhe ‘Center for Women Development’ (CWD) nga veriu i këtij qyteti.

Migjen Abrashi nga organizata CDO, njëherësh udhëheqës i këtij hulumtimi, tha se në jug të Mitrovicës ka pasur mbi 8 mijë aplikime prej të cilave 42 kanë vazhduar procedurat dhe vetëm 17 janë legalizuar, ndërsa në veri prej 1 mijë e 400 aplikimeve, por asnjë nuk është legalizuar, raporton KP.

“Në Mitrovicën e Jugut kanë qenë gjithsej mbi 8 mijë aplikime vullnetare, por vetëm 42 prej tyre kanë vazhduar procedurat ndërsa 17 prej tyre janë legalizuar, ndërsa në pjesën veriore 1400 objekte kanë aplikuar, por nuk është legalizuar asnjë prej tyre”, ka thënë Abrashi.

Adriana Hoxhiq, drejtoreshë e Administratës në komunën e veriut të Mitrovicës, ka pranuar se në atë pjesë nuk është arritur të zgjidhet asnjë rast sa i përket legalizimit të objekteve.

Sipas saj, komuna e veriut të Mitrovicës ka specifikat e saj dhe për fat të keq qytetarët shpesh janë viktimë e politikave të larta. Ajo u shpreh e bindur se pengesat, të cilat kanë qenë në fazën e parë, siç është çmimi i lartë për aplikim dhe të ngjashme, do të tejkalohen në të ardhmen.

“Ne nuk kemi arritur të zgjidhim asnjë rast dhe prapë po kthehem në specifikën e komunës tonë. Për fat të keq, qytetarët tonë shpesh janë viktimë e politikave të larta. Nuk kemi pasur afatet të cilat është dashur t’i respektojmë që t’i pranojmë të gjitha kërkesat, prandaj këto kërkesa tani janë në pritje për realizim. Shpresoj se do t’i tejkalojmë pengesat ekzistuese. Do të jemi në nivel të detyrës në kohën kur të miratohet ligji në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë qytetarëve”, theksoi Hoxhiq.

Në anën tjetër, Faruk Mujka, nënkryetar i komunës së jugut të Mitrovicës, potencoi kushtet e pavolitshme dhe çmimin e lartë për aplikim, si arsye kryesore për dështimin në fazën e parë të legalizimit të ndërtimeve pa leje.

“Ndërtimi pa leje është një sfidë, e cila fatkeqësisht edhe sot është duke vazhduar dhe duke shkaktuar probleme qeverisjeve lokale. Mund të them se ne si qeverisje lokale kemi përfunduar të gjitha obligimet që na u kanë dhënë. Kemi respektuar afatin, pranimin e kërkesave të qytetarëve. Fatkeqësisht për legalizim të objekteve kemi hasur në një problem tjetër, përkatësisht kushtet tepër të pavolitshme për qytetarët”, sqaroi Mujka.

Ai tha se çmimi për legalizimin e objekteve gjatë fazës së dytë do të jetë shumë më i favorshëm.

Gjatë diskutimeve edhe nga pjesëmarrësit tjerë u konstatua se ky projekt ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe përgjegjësisë së qeverisjes lokale në shtatë komunat e veriut të Kosovës në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse, duke identifikuar, analizuar dhe avokuar sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje.

Ndryshe, organizatat CDO dhe CWD nga të dyja pjesët e Mitrovicës, janë duke implementuar këtë projekt në kuadër të Fondit Katalitik (CSCF) si aktivitet i Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës zbatuar nga CBM, UN-Habitat dhe PAX, përkrahur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida).