Arbëri

Thaçi shkoi në Gjermani, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih

Me ftesë të ambasadorit Wolfgang Ischinger, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih (MSC).

Thaçi bashkë me 500 liderë botërorë do të marrë pjesë në këtë konferencë, e cila në pesë dekadat e fundit është shndërruar në një tubim të rëndësishëm për komunitetin strategjik ndërkombëtar.

Gjate konferencës, Thaçi pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme dhe me liderë botërorë.

Në këto takime, ai do të flasë për agjendën euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Që nga themelimi i saj më 1963 nën emrin “"Internationale Wehrkunde-Begegnung”, Konferenca e Sigurisë në Munih ka qenë një forum i pavarur që i kushtohet promovimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut.

Konferenca e Sigurisë në Munih hapet sot më 17 shkurt dhe do të zgjasë deri të dielën më 19 shkurt 2017.