OpEd

Shteti sulmon ujin

Uji është jetë, dhe kur ai sulmohet, njerëzit, rrëqebujt, peshqit, arinjtë, dhelprat, ujqit, zogjtë... duhet të çohen në mbrojtje – posaçërisht kur sulmi vjen nga shteti që ka humbur rrugën, dhe në vend se t’i mbrojë të gjallët e tij, atyre po ua rrezikon jetët

Raporti më i ri i Progresit i Bashkimi Evropian ka një porosi të qartë për Kosovën: mos luani me lumenjtë nëpër zonat e mbrojtura, por punoni përnjëmend në realizimin e kuotës së energjisë së ripërtërishme.

Autoritetet kosovare nuk duan ta kuptojnë as këtë porosi, sikur edhe të tjerat që shkojnë në favor të Kosovës, dhe ndryshe nga ato që më shumë sjellin dëm. Në çështjen e lumenjve madje edhe manipulojnë me kërkesat e Bashkimit Evropian, duke e shkatërruar natyrën me minihidrocentrale kapacitetesh qesharake e duke u thirrur në projeksionet e BE-së për energji të pastër.

Qeveria e Kosovës është përcaktuar që investitorëve të huaj t’ua japë lumenjtë e Parqeve Nacionale që t’i fusin nëpër gypa për të prodhuar sasi thuaja të papërfillshme të energjisë dhe pastaj atë energji ta blejë nga ta. Si pasojë, Gryka e Deçanit tashmë ka mbetur pa gurgullimën e Lumëbardhit me një ujdi të dyshimtë, të cilën si Qeveria ashtu edhe Komuna e Deçanit e mbajnë të fshehur. Shoqëria civile, përveçqë ka ngritur zërin për dëmet që i shkaktohen natyrës, zhdukjes së troftës me pika të kuqe dhe intervenimit të kundërligjshëm brenda Parkut Nacional, ka ngritur dyshime edhe për përfshirje të fshehtë të Manastirit të Deçanit në këtë muhabet. Askush nuk ua vë veshin këtyre zërave.

Për ta ilustruar, lumi është zhdukur në 11 kilometra të shtratit të tij përgjatë Grykës magjepsëse të Deçanit, për t’u kthyer në sipërfaqe në afërsi të Manastirit. Ekosistemit i është hequr elementi kyç, uji, për më pak se 20 megavat rrymë. Nga planet e Qeverisë së Kosovës ngjashëm rrezikojnë të pësojnë edhe degët e tjera të Drinit: Lumëbardhi i Pejës, Ereniku dhe Lumëbardhi i Prizrenit. Këta lumenj i japin jetë e magji Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna, që përbën një atraksion natyror për turistë nga mbarë bota. Kapaciteti i përgjithshëm i këtyre minihidrocentraleve është 60 megavat.

Konsumi i përgjithshëm i rrymës në Kosovë sillet nga 1000 deri në 1200 megavat. Shkatërrimi i ekosistemit të Bjeshkëve të Nemuna nuk ia vlen edhe po t’i plotësonte 100 për qind të nevojave, e lëre më as 5 për qind të tyre.

Fati i njëjtë i pret edhe lumenjtë e Sharrit, siç është Lepenci, në mbrojtje të të cilit u patën bashkuar vjet shqiptarët e serbët e Bitisë së Shtërpcës, në një protestë ku pati ndërhyrë policia.

Ekspertë të huaj që kanë studiuar çështjet e mjedisit edhe në rajonin e Ballkanit, kanë alarmuar për tendencat për ngritjen e minihidrocentraleve si mënyrë e lehtë për përfitime individuale të politikanëve më shumë se për të zgjidhur çështjen e prodhimit të energjisë së pastër. Ata kanë ngritur dyshime të mëdha në mekanizmat e ministrive që kanë për detyrë të sigurojnë se minihidrocentralet nuk kanë ndikime në mjedis, duke potencuar kapacitetet tejet të kufizuara profesionale dhe periudhat e kufizuara kohore në dispozicion për analizat e nevojshme.

Në Qeverinë e Kosovës, ministria që po e shtyn idenë e minihidrocentraleve me brirë është ajo e Zhvillimit Ekonomik. Në luftën që ua ka shpallur komunave dhe qytetarëve, MZHE-ja e ka fituar betejën me Deçanin. Thotë se nuk do të heqë dorë as me komunat e tjera, derisa Peja dhe Gjakova janë betonuar në mbrojtje të natyrës, të cilën madje synojnë ta ngrenë në nivel edhe më të lartë. Peja ka përqendruar Planin Zhvillimor në Grykën e Pejës, duke e trajtuar dhe promovuar atë si perlë natyrore të turizmit. Nëse do të realizohej plani i MZHE-së, Lumëbardhi i Pejës do të futej në gypa në Kuqishtë e deri te Patriarkana, duke i lënë shkëmbinjtë gjigantë dhe florën e faunën pa freskinë e lumit, ndërsa atraksionin e Grykës pa shushurimën dhe kaltërsinë e tij. Strategjia e brirëve të MZHE-së parasheh ndërtimin e pesë njësive prodhuese të 1 apo 2 për qind të rrymës që konsumohet në Kosovë. MZHE-ja dhe investitori, përveçse ngarendin për të dhënë apo marrë ca miliona “në interes” të Kosovës dhe për “të hyrë” sa më shpejt në Evropë, kanë thënë se investimet do të hapin edhe vende të reja pune. Në Deçan, për shembull, janë punësuar katër roja.

Por derisa pallavrat shiten në Kosovë, Bashkimi Evropian ua ka bërë të qartë autoriteteve kosovare se, më gjithë dhjetëra megavatet e minihidrocentraleve, Kosova nuk është askund me përparimin në sektorin e energjisë së ripërtërishme. Raporti i Progresit e përmend specifikisht një hidrocentral si të nevojshëm dhe ai nuk parasheh futjen e lumit në gypa, por ngritjen e digës në Zhur, që do të prodhonte energji në kapacitet prej rreth 300 megavatesh. “Aspak përparim nuk është bërë në ngritjen e Hidrocentralit të Zhurit, i cili është esencial në arritjen e qëllimit të domosdoshëm të vitit 2020”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2016. Po ashtu, BE-ja kërkon që çfarëdo zhvillimesh të mëtutjeshme në lidhje me prodhimin e rrymës nga uji duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e BE-së për mjedisin.

Në sektorin e mjedisit, Raporti konstaton që nuk ka mbrojtje efektive të zonave të përcaktuara si të mbrojtura. “Planifikimi i investimeve në infrastrukturë, siç është rasti me hidrocentralet, me sektorin e turizmit dhe të industrisë, duhet të sigurojë që obligimet për mbrojtjen e natyrës respektohen”, thuhet në Raport. Kjo, sipas BE-së, ka të bëjë posaçërisht me zonat e mbrojtura dhe zonat me vlerë të lartë natyrore që potencialisht mund të bëhen pjesë e rajoneve të mbrojtura “Natura 2000”.

Ky është Raporti i Progresit për Kosovën dhe në Kosovë nuk ka rajone më të bukura se bjeshkët e saj në dy Parqet Nacionale – të Bjeshkëve të Nemuna dhe të Sharrit. Po të mos vlerësoheshin të tilla nga zyrtarët e BE-së, këtë pjesë nuk do ta shkruanin fare në Raport. Derisa ata po iu hapin rrugë bukurive të Kosovës për t’u bërë pjesë e “Natura 2000”, brirët e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës i kanë shpallur luftë asaj që ka mbetur e paprishur në këtë vend – natyrës.

Kosova ka kapacitet të paktë të ujit, dhe ky është konstatim i nxjerrë në të gjitha raportet për mjedisin si nga institucionet kosovare ashtu edhe nga të huajat. Megjithatë, shkatërrimi i lumenjve ka nisur që nga paslufta dhe nuk është ndalur asnjëherë. Kanë nisur eksploatuesit e rërës e të zhavorrit, të cilët, ndonëse ilegalë, janë lejuar të veprojnë lirshëm duke prishur shtretërit dhe rrjedhat e lumenjve, dhe tani janë shtuar politikat e ngushta qeveritare që lumenjtë tentojnë t’i zhdukin nga faqja e dheut me kilometra të tëra. Për më shumë këtë synojnë ta bëjnë brenda Parqeve Nacionale, të cilat janë të mbrojtura me ligj.

Uji është jetë, dhe kur ai sulmohet, njerëzit, rrëqebujt, peshqit, arinjtë, dhelprat, ujqit, zogjtë... duhet të çohen në mbrojtje – posaçërisht kur sulmi vjen nga shteti që ka humbur rrugën, dhe në vend se t’i mbrojë të gjallët e tij, atyre po ua rrezikon jetët.

brikenda@koha.net