OpEd

Mobiliet në vend të mobilit

Derisa pasojat e dëmshme të teknologjisë nuk i prekin vetëm fëmijët kosovarë, në shumë vende të tjera dikush së paku merret me to. Në Evropë, Kosova shquhet për përqindje të lartë të shfrytëzimit të teknologjisë e internetit, dhe natyrisht për rezultate të dobëta të testit PISA

Çmontimi i mobilieve për të ndërtuar shtëpi, rrugë, vetura, anije... ka qenë i lejuar diku kah fillimi i viteve tetëdhjetë. Kjo mund të ndodhte në shtëpinë time, ditëve të caktuara dhe vetëm paradite. Aty s’kishte vend më për lodra konvencionale. Për ato që vinin të gatshme. Ose, më mirë thënë, s’kishte vend që ato të përdoreshin ashtu siç e kishte planifikuar prodhuesi. Duhej shkuar përtej tyre, siç shkonim edhe përtej ideve të prodhuesit të mobilieve.

Imagjinata ecte përtej çdo rregulli këtyre paraditeve. Vëllai im dhe unë e kishim provuar çerdhen, por e patëm arritur një marrëveshje me prindërit që ta ndërprisnim atë. Nuk na pëlqente kur na obligonin të flinim pa jastëk dhe me kokë të mbuluar, pa të drejtë që të lëviznim nga pozita fillestare e shtrirjes dhe në pikë të ditës. Marrëveshja nënkuptonte që prindërit, kurdo që ishte e mundur, ta përshtatnin orarin e punës, ashtu që babi të rrinte me ne paradite në shtëpi, e mami pasdite. Kur duhej patjetër të shkonin në punë në të njëjtën kohë ekzistonin rregullat e qëndrimit vetë në shtëpi që ne do t’i zbatonim me përpikëri.

Kur babi rrinte me ne hapeshin horizontet e lojës. Vëllai dhe unë e dinim që mami s’e kishte idenë që sa nuk është në shtëpi, bashkë me babin do të çmontonim çka ishte e çmontueshme prej mobilieve për të ndërtuar krejt çka na binte ndërmend. “Puna” na zgjaste me orë. Në sfond, me zë të ulët, dëgjoheshin këngë polifonike. Aso, toske, të Jugut prej nga vinte babi. Kjo ishte loja jonë kur nuk ishim jashtë me fëmijët e mëhallës. Dhe e donim shumë. Koha shkonte shpejt, duke bërë “sherr”. Gjysmë ore para se të kthehej mami nga puna, babi na paralajmëronte. Kur ajo vinte në shtëpi, çdo gjë ishte në vendin e vet. Ajo nuk e donte rrëmujën. Nuk e do as sot.

Më vonë e patëm kuptuar se ajo e ka ditur. Loja jonë kishte qenë “lojë” e mamit dhe babit. Mami pastaj merrej me ne më ndryshe. Dilnim në qytet, blinim gjëra, shkonim në parqe të lojërave..., na e bënte qejfin, por edhe na qortonte. Dhe atë, jo pak.

Në mbrëmje, zakonisht flinim me përralla. Aso që i dëgjoje me sy të mbyllur, e derisa të merrte gjumi në kokë të krijoheshin 1.000 imazhe. Sot ende e kujtoj kutinë e vogël, të shtruar me pak pambuk, ku flinte një plesht, të cilin e kishin adoptuar si fëmijën e vet një burrë e një grua. Disa vrima ia kishin hapur kutisë që pleshti të mundë të merrte frymë kur bënte gjumë...

***
Me kompjuterin, brezi im qe njoftuar në vitet nëntëdhjetë. Tashmë ishim të rritur. Nuk qemë mësuar vetëm si ta përdorim, por kishim ide edhe si funksiononte. Për brezat më të vjetër të dije kompjuter ishte punë e madhe. Me të mund të kryeje punë më shumë dhe më shpejt, kishe më shumë mundësi dhe saktësi. Me kohën dhe me produktet e reja lidhja me teknologjinë nisi të dilte edhe në një tjetër dimension. Atë të humbjes së kohës. Ky dimension madje e ka marrë anën.

Sot përdorimin e teknologjisë e dinë edhe fëmijët. Dhe kjo është punë edhe më e madhe. Por e tillë që duhet të të tmerrojë. Prindërit, mësuesit dhe shteti i Kosovës nuk janë askund me vetëdijesimin dhe masat për të parandaluar shkatërrimin psikik dhe fizik, veçanërisht të gjeneratave të reja nga (keq)përdorimi i teknologjisë.

Prindërit dhe gjyshërit ende mburren me 2-vjeçarët e tyre, apo 5, 6 e më shumë vjeçarët, se dinë të operojnë me lojërat, fotografitë, videot... në smartfon apo tablet. Ata ende nuk e kanë kuptuar që kjo është gjëja më e keqe që mund t’i bëjë për vete e t’ua shtrembërojë rritën vogëlushëve të tyre.

Mësuesit në shumë raste janë bërë vetë të varur, duke ua dhënë shembullin më të keq fëmijëve në orë të mësimit, kur i kontrollojnë në qetësi risitë në Facebook.

Shteti nuk ka kurrfarë strategjie dhe as vizioni për t’u përballur me këtë vorbull. Përgjegjësit për arsim nuk parashohin vetëdijesim të prindërve, mobilizim të mësuesve, programim të angazhimit fizik e të socializimit të gjeneratave të reja.

Derisa pasojat e dëmshme të teknologjisë nuk i prekin vetëm fëmijët kosovarë, në shumë vende të tjera dikush së paku merret me to. Në Evropë, Kosova shquhet për përqindje të lartë të shfrytëzimit të teknologjisë e internetit, dhe natyrisht për rezultate të dobëta të testit PISA.

***
Studiuesit e psikologjisë dhe të shkencës së të menduarit e ndërlidhin ngushtë përdorimin e teknologjisë me zhvillimin kognitiv të fëmijëve. Ekspozimi i pakontrolluar ndaj ekraneve të televizorit, të kompjuterit, tabletit apo telefonit mobil, thonë ata, do të shkatërrojë qarkun e aftësive të fëmijëve për t’u përqendruar; për të procesuar informatat; për t’i analizuar ato; për të reaguar; për interaksion dhe për të nxjerrë përfundime. Ky qark zë fill qysh prej momentit kur fëmija bëhet kureshtar për fytyrën e nënës së vet dhe është më i brishtë në hovin e viteve të para. Andaj edhe Asociacioni Amerikan i Pediatërve alarmon që fëmijët nën moshën dy vjeçe nuk duhet ta kalojnë as edhe një minutë kohë para ekranit, ndërsa mbi këtë moshë koha të jetë shumë e kufizuar. Pasojat e lidhjeve të dëmshme në tru, që shkaktohen nga pamjet e shpejta e shumëngjyrëshe të personazheve symëdha të ekraneve tani për tani mund të jenë edhe krejt të paimagjinueshme. Studiuesit e këtij lëmi rekomandojnë që fëmijët të lidhen me realitetin para se të hyjnë në botën e çudive vizuale. Ndërsa studimet tregojnë që ato mbysin edhe imagjinatën, zhvillimi i së cilës nuk varet nga lojërat e gatshme, të cilat fëmijët i marrin si të mirëqena, por nga nevoja për ta shpikur ndonjë vetë. Nga nevoja për t’ia gjetur vetes çarenë, kur s’kanë çka bëjnë e që opsion të mos jetë telefoni.

***
Nuk është vetëm mendja, por edhe trupi. Nuk janë të paktë ata që në të njëzetat a tridhjetat e tyre kanë nisur t’u nënshtrohen kompjuterëve e smartfonëve e që janë bërë për fizioterapi apo neurokirurgji. Nuk janë vetëm dhimbjet e qafës e kurrizit e kyçeve të dorës, por edhe shtrembërimi i tyre. Nuk janë të paktë ata që u ka dalë koka përpara, në fenomenin që quhet “koka e pulës”, e që u është bërë një gungë lart në shpinë. Këto pasoja kanë qenë të pashmangshme për ne, gjeneratat që rritën e kemi bërë pa u shtrembëruar para ekraneve. Të qëndrosh në atë pozitë derisa rritesh, deformimet bëhen anatomi e trupit. Dhe vetëm mund të imagjinohet se si mund të duket ajo, për shembull, pas 10-15 vjetësh te një fëmijë dy-tre vjeç, qafa e të cilit sot mezi e mban kokën e varur teposhtë kah telefoni. Specialistët mjekësorë të këtij lëmi flasin për llojet e shumta të deformimeve skeletore e të tjera, të cilat tashmë kanë nisur të shfaqen te të rinjtë; ndërsa oftalmologët për dëmtimet që u shkaktohen syve të vegjël nga rrezet e ekraneve dhe mbajtja e tyre shumë afër fytyrës.

***
Studiuesit e të gjitha aspekteve të kësaj sfide të re të shoqërisë në Kosovë gishtin e drejtojnë kah prindërit; kërkojnë që përgjegjësinë e parë ta marrin ata. Pasojat mund të jenë të pariparueshme nëse sot fëmijën e rehaton me një telefon mobil apo tablet - nëse këtë e bën nga mosdija, nga përtacia apo nga mungesa e kohës për t’u marrë vetë me të.

Fëmijët e viteve tetëdhjetë nuk e kanë pasur mundësinë që të zbaviten me produktet e teknologjisë as aq sa mund të jetë e lejuar, por fëmijët e sotëm çdoherë i kanë mobiliet.