OpEd

Vallum Bonum

Mahnitja e romakëve me bukuritë e saj i dha një emër të bukur. Dy mijë vjet pas ende ia vlen që vajzat shqiptare të pagëzohen Valbona

Për herë të parë ndodhen përballë njëra-tjetrës. Njëra stepet e mahnitur nga pamja, tjetra as që ndalet madje. Vazhdon papërfillshëm rrugën e vet, duke lënë pas vetëm një gumëzhimë të ëmbël si përshëndetje. E mahnitura nuk i hidhërohet, e kupton ngutjen e tjetrës. E di se ka rrugë të gjatë për të bërë. E shikon me admirim teksa kaltërsia e saj unike përplaset sa në brigjet shkëmbore sa në gurët gjigantë që ia presin rrugën. I afrohet me kujdes, përkulet e kalon duart nëpër ftohtësinë dhe kthjelltësinë e saj të kristaltë dhe me sy të qeshur ndjek rrjedhën e saj herë të qetë herë të rrëmbyeshme. Nuk u duhen fjalët. Merren vesh shumë mirë edhe pa to. Sepse ato janë Valbona.

Përreth dy dekadash ka mundur vetëm ta imagjinojë pamjen e lumit emrin e të cilit mbante. Një mur i pakapërcyeshëm, që shpesh bëhej edhe vdekjeprurës u qëndronte në mes. Kur murin e rrënuan erërat e ndryshimit ajo disi ngurronte ta vizitonte. Ishte rritur me idenë se i kishin vënë emrin e një vendi shumë të largët, të ndaluar, të paarritshëm. Madje e paramendonte edhe të zymtë. Si lajmet e pakta që vinin nga atje. Nuk e impresiononte emri që mbante edhe për një arsye tjetër. Në fillimvitet ‘70, emri Valbonë ishte shumë i përhapur dhe nuk tingëllonte i veçantë. “Me thirrë Valbonë është si me thirrë oj ti vajzë ”, e tallnin në shkollë. Por kishte diçka në emrin e saj, që si fëmijë, edhe pse nuk e kuptonte, e bënte krenare. Sikurse emrat e shumë bashkëmoshatarëve, emri i saj ishte vulosje e një përcaktimi për të mbajtur gjallë lidhjet dhe idealin për bashkim të një populli të ndarë padrejtësisht nga politika.

Problem gjithmonë e kishte t’ia zbërthente kuptimin. Një shpjegim që e kishte përsëritur me vite i ra në ujë kohën e fundit nga një artikull që lexoi. Aty thuhej se Valbonën e pagëzuan latinët, dy mijë vjet më parë. Zyrtarë të Perandorisë Romake kur kishin kaluar nëpër luginën përgjatë lumit kishin mbetur të mahnitur nga bukuritë e natyrës së asaj ane dhe e kishin pagëzuar me Vallum Bonum, në kuptimin luginë e bukur ose vend që duhet ruajtur. Bukuria e luginës e përcjell Valbonën pothuajse përgjatë gjithë rrjedhës pesëdhjetëkilometërshe. Bjeshkët e larta shkëmbore i japin bukuri sa të ashpër aq edhe frymëzuese. Bora që shkrin prej tyre mbush me ujë damarët e lumit gjatë dimrit shpesh deri në zemërim dhe e bën ndër lumenjtë më të rrëmbyeshëm në trevat e shqiptarëve. 
E kishte paramenduar se do ta vizitonte me qëllimin e vetëm të përmbushjes së kureshtjes dhe njohjes me vendin që ia përcaktoi emrin. Thonë se emri ndikon pak a shumë në krijimin e personalitetit. Por, sikurse qëllimi i pagëzimit edhe qëllimi i vizitës fundtetorin e vitit që e lamë pas, në një mënyrë ishte patriotik. Jo për të ruajtur identitet kombëtar, por për të mbrojtur identitetin natyror të një lumi të rrezikuar nga dora e njeriut.

Për pesëdhjetë vjet shqiptarët andej e këndej kufirit jo që nuk mund të komunikonin, por e kanë pasur të ndaluar madje t’i hidhnin sytë nga bjeshkët që përcaktonin vijën ndarëse të një populli me gjuhë e kulturë të njëjtë. Malësorët që jetonin në afërsi të kufirit kanë tregime të dhimbshme të ndarjes madje edhe të familjes së gjerë në dy shtete. “Shtëpitë e disa kushërinjve mbetën andej kufirit që shënohej nga gardhi në livadhet tona të përbashkëta. Për të komunikuar me kushërinjtë, shtriheshim në livadh, njëri andej e tjetri këtej gardhit dhe ashtu të shtrirë flisnim dhe shkëmbenim informata për shëndetin dhe të rejat në familjet tona. Nuk guxonim të ngriheshim në këmbë nga frika se po na shihnin ushtarët kufitarë”, e tregonte një malësor këtë rrëfim gjatë vizitës në Valbonë që në fakt ishte festë edhe protestë.

Pasojat e murit të padukshëm shqiptarët i vuajnë ende. Ndonëse jetojnë në dy shtete të lira dhe demokratike, përreth dy dekada ata nuk po arrijnë ta njohin mirë njëri - tjetrin, t’i identifikojnë të përbashkëtat dhe dallimet. Një e përbashkët është e pakontestueshme: instinkti i zhvilluar për vetëshkatërrim.
Shkatërrojnë me vetëdije ujin, ajrin, tokën, trashëgiminë kulturore, gjithçka të bukur që ua fali natyra apo e ndërtoi njeriu nëpër shekuj. Ashtu siç tentuan t’ia sakatosnin shtratin lumit më të bukur me disa hidrocentrale për përfitime të politikës.

Fat apo fatkeqësi, gjithmonë janë të huajt ata që përpiqen t’ua shpëtojnë shqiptarëve pasuritë kombëtare nga kthetrat e vetëshkatërrimit. Vendosmëria dhe iniciativa për protesta e një gruaje amerikane e shpëtoi sadopak Valbonën.

Mahnitja e romakëve me bukuritë e luginës i dha asaj një emër të bukur. Dy mijë vjet pas, ende ia vlen që vajzat shqiptare të pagëzohen Valbona. Tash jo për patriotizëm. Për bukuritë e saj mbresëlënëse.