Botë

Hulumtimet në SHBA: Nuk ka lidhje mes emigracionit dhe rritjes së krimit

Descriptive Text

Hulumtimet e disa universiteteve amerikane kanë gjetur se emigracioni nuk është i lidhur me rritjen e krimit në SHBA.

Hulumtimin e kanë udhëhequr shkencëtarët nga Universiteti Buffalo në shtetin amerikan të New York-ut, dhe kanë kontribuar Universiteti Alabama, Kennesaw dhe Xhorxhia, si dhe studiues të pavarur.

“Hulumtimi ka sjellë prova solide dhe të mbështetuara në dëshmi se nuk ka lidhje midis emigracionit dhe krimit të kryer në qytetet e mëdha amerikane. Rezultatet të cilat i posedojmë tregojnë se emigracionet nuk rrisin përqindjen e krimit, por ndodhë e kundërta, në zonat ku migrimi është më i shpeshtë, grabitjet, vjedhjet dhe vrasjet janë më të ulta”, tha Robert Adelman, nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin Buffalo.

Adelman tha se rezultatet nuk mbështesin pikëpamjet politike se emigrantët shkaktojnë rritje të krimit.

Ai shtoi se hulumtimet e mëparshme të bazuara në të dhënat mbi veprimtarinë kriminale dhe arrestimet, tregojnë se njerëzit e lindur në SHBA janë më shumë të përfshirë në krim se sa ata që kanë lindur jashtë shtetit, dhe kanë ardhur në Amerikë.

Adelman tërhoqi vërejtjen se nuk thonë se emigrantët kurrë nuk përfshihen në veprimtari kriminale, por në ato komunitetet që kanë përjetuar ndryshime demografike nuk janë vërejtur norma më të larta të krimit.

Sipas tij, emigrantët në përgjithësi kanë një kontribut pozitiv në jetën ekonomike dhe sociale në SHBA.

Hulumtimi është publikuar në faqen e internetit “Science Daily”, ku janë shfrytëzuar të dhënat e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) të aktiviteteve kriminale në periudhën 1970-2010.