Arbëri

Kërkohet largimi i ministrit Rrahmani, pasi dështoi me sigurimet shëndetësore

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe vartësi i tij, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani janë të bindur se në muajin korrik do të fillojnë mbledhjen e premiumeve për të filluar implementimin e ligjit për sigurimet shëndetësore.

Në interpelancën e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri për kryeministrin Mustafa, pati akuza e kundër akuza edhe mes partnerëve të koalicionit për përgjegjësitë e degradimit të sistemit të shëndetësisë.

Disa deputetë të PDK-së kërkuan dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, pasi sipas tyre ka dështuar ta organizojë shëndetësinë.

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes, në fillim të seancës tha se ligji për sigurime shëndetësore e detyron Qeverinë të plotësojë disa parakushte para se të fillojë mbledhja e premiumeve.

Sipas Ymerit, së pari lista e shërbimeve të kujdesit shëndetësor themelor, së bashku me deklaratën financiare për atë vit fiskal të jenë miratuar. Po ashtu sipas tij, mungon edhe lista e shërbimeve që do të ofrohen pa pagesë e përcaktuar në nenin 7 të ligjit.

Kreu i VV-së, ka kritikuar edhe mosfunksionalizimin e Sistemit Informatik Shëndetësor në tërë Kosovën. Sipas tij, pa plotësimin e këtyre kushteve, mbledhja e premiumeve është kundërligjore.

“Në mungesë të funksionalizimit të SISH-it dhe në mungesë të parakushteve të përcaktuara të sipërpërmendura, vendimi që ka marrë Qeveria në lidhje me mbledhjen e premiumeve ka qenë në kundërshtim me vet ligjin për sigurime shëndetësore dhe çdo veprim i mëtutjeshëm do të përbëjë shkelje ligjore të rënd në dëm ekonomik dhe financiar për vendin”, tha Ymeri.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se zhvillimi i shëndetësisë është prioritet i përcaktuar me programin qeverisës.

Mustafa shtoi se themelimi i fondit dhe aktivizimi i tij në Kosovë nga Qeveria shihet si një çështje tepër e rëndësishme dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës qysh nga marrja e mandatit, para dy viteve, edhe pse e vetëdijshme se është një proces mjaftë i vështirë dhe sfidues, ka filluar t’i përmbush të gjitha detyrat për ta aktivizuar sistemin e sigurimeve shëndetësore si komponentë tepër të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë. Kemi bërë përpjekje që të fillojmë me sigurimet shëndetësore në fillim të këtij viti, qoftë edhe me një skemë fillestare të thjeshtë, kemi përfunduar pjesën kryesore të përgatitjeve, por kemi vlerësuar se lypset edhe pak kohë në mënyrë që përgatitjet të jenë sa më të kompletuara”, tha Mustafa.

Kreu i ekzekutivit theksoi se kanë marrë rekomandime nga partnerë ndërkombëtarë se është mirë që përgatitjet të bëhen në drejtim të asaj që të sigurohen kushtet që koha prej fillimit të mbledhjes së premiumeve, deri tek shfrytëzimi i tyre në destinim të jetë sa më e shkurtër, përkatësisht të mos jetë më e gjatë se 3 muaj.

“Sa i përket lartësisë së pagesave, me ligj është paraparë që pagesat për Fondin të ndahen në mënyrë proporcionale nëpërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, përkatësisht kjo lartësi prej 7 %, që llogaritet në të ardhura bruto, prej të cilave 3.5 %, i paguan punëmarrësi dhe 3.5 % punëdhënësi. Qeveria më vonë do të vendos për lartësitë, varësisht prej nivelit të shërbimeve shëndetësore, të cilat do të përballohen nga Fondi, ashtu siç është përcaktuar me ligj”, u shpreh Mustafa.

Ndërsa, duke folur për sistemin informatikë shëndetësor, Mustafa tha se me Strategjinë e Sistemit Informatikë Shëndetësor për periudhën 2010-2020, e cila ka pasuar pas Studimit të Fizibilitetit nga BE-ja, kompletimi i këtij sistemi është buxhetuar me 17 milionë euro. Deri më tani, kreu i Qeverisë tha se janë investuar rreth 6 milionë euro, prej të cilave afër 3 milionë euro nga Luksemburgu dhe 3 milionë euro nga Ministria, përkatësisht buxheti i Kosovës.

Deri më tani sistemi informatik shëndetësor është kompletuar në Prishtinë, Prizren, përfshirë Suharekën, Rahovecin, Malishevën, Dragashin dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në emër të PDK-së, deputetja Flora Brovina tha se shëndetësia e rrënuar nga një sistem pushtues dhe e shkatërruar në luftë, nuk u ngrit në këmbë asnjëherë pas luftës.

“Shëndetësia e rrënuar nga një sistem pushtues dhe shëndetësia e masakruar gjatë luftës nuk u mëkëmb asnjëherë gjatë kësaj periudhe pas luftës. Kjo lëmi mbeti e qalë dhe me shumë defekte pa një vëmendje nga qeverisjet me rënd, pa buxhet të mjaftueshëm dhe pa krijimin e kushteve për punë por në rend të parë për vet mjekimin e qytetarëve, ofrimin e shërbimeve. Pati edhe eksperimentime në këtë lëmi që solli defekte të ndryshme në vet menaxhimin e shëndetësisë”, tha Brovina.

Nga AAK-ja foli deputeti Ali Berisha, i cili tha se kjo qeverisje ka dështuar në fillimin e implementimit të ligjit për sigurimet shëndetësore, pasi nuk janë bërë përgatitjet e duhura.

“Qeveria aktuale ka propaganduar se do të filloj me sigurime shëndetësore qysh në vitin e parë të qeverisjes së saj dhe po kalon viti i tretë dhe do të hyjmë në vitin e katër të kësaj qeverisje dhe sigurimet shëndetësore as që e kanë filluar. Qeveria dhe Ministria duhet ta pranojnë se në këtë aspekt kanë dështuar”, ka thënë Berisha.

Deputeti i PDK-së Shaip Muja ka goditur ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmani, duke i thënë atij se nuk po dinë ta organizojë shëndetësinë në vend.

Muja tha se i kam rekomanduar kryeministrit që t’ia bënë një task forcë ministrit të Shëndetësisë sepse ai nuk dinë ta organizojë shëndetësinë.

“Kur e pyeta ministrin pse po ulet buxheti i shëndetësisë, tha sepse do ta rritim duke mbledhur premiumemt, dhe unë i propozova kryeministrit, pa të keqe, bërja një task forcë sepse ky nuk ka faj sepse nuk dinë të organizoj shëndetësinë. Nuk kemi personale asgjë, por jemi duke e bartur në shpinën tonë çdo ditë nga qytetarët dhe të gjithë jemi fajtor në këtë temë”, tha Muja.

Akuza në drejtim të ministrit Rrahmani, pati edhe nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Nëse jo për një numër shkeljesh që kanë ndodhur në MSH, atëherë vetëm për mos implementimin e ligjit për sigurime shëndetësore Imet Rrahmani është dashur të shkoj në shtëpi, të shkarkohet. Sepse ne muajin dhjetor ka deklaruar publikisht se implementimin e SISH-it e ka gjetur në 70 për qind të territorit të Kosovës dhe tani për tri vite atë hapësirën që të implementohet në tërësi nuk ka arritur ta impelemtoj....në këtë rast bartja e përgjegjësisë së ministrit Rrahmani do duhej të ishte në jepjen e dorëheqjes, dhe ju kryeministër besoj keni pasur njerëz profesionist për të udhëhequr këtë sektor, sepse ju e keni përcaktuar prioritet”, tha Haxhiu.

Por deputetja e LDK-së, Mirjeta Kalludra, i doli në mbrojtje shefit të saj në parti kryeministrit Mustafa dhe ministrit Rrahmani.

“Ky ligj paraqet një mundësi reale për përmirësimin përmbajtësor në sistemin shëndetësor në vend i cili për vite të tëra është lën pas dore, pra nuk ka qenë prioritet i qeverive të më hershme, aq më pak i partisë së deputetit Bekim Haxhiu i cili na vajtoj me lot krokodili. Duke falënderuar kryeministrit Mustafa i cili me marrjen e mandatit në programin e tij qeverisës shëndetësinë e ka paraparë si prioritet të pestë”, tha Kalludra.

Deklarata e deputetes Kalludrës nxiti reagimin e Haxhiut, por në këtë rast ai iu drejtua shefit të saj të partisë, Isa Mustafa.

“Dua të falënderoj deputeten Kalludra, për dëshirën që e pati për replikë, por kryeministër keni edhe vet brenda grupit parlamentar profesionist të shëndetësisë dhe nuk duhet të lejoni që për shëndetësinë të flasin ata që nuk marrin vesh nga kjo çështje”, tha Haxhiu.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetes Kalludra, e cila tha se e dinë se cilat janë interesat personale të deputetit Haxhiu në sektorin e shëndetësisë.

Ndërsa, në fund ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka shpjeguar punën që është bërë në drejtim të fillimit të implementimit të ligjit për sigurimet shëndetësore.

Ai nuk ka dashur të merret me deputetët që akuzuan atë për dështim në sektorin e shëndetësisë, por ka listuar të arriturat e deri tanishme.

“Që nga marrja e mandatin ne kemi thënë që sigurimet shëndetësore nuk janë as për së afërmi nga ajo që është trumbetu nga kabineti i mëhershëm qeveritar dhe i MSH-së dhe kemi deklaruar se nuk jemi as afër me sigurimet shëndetësore, sepse AFSH-në e kemi gjetur edhe pa rregullore të organizimit të brendshëm, dokumentin bazë mbi të cilin do të funksionoj AFSH-ja. Kjo rregullore është nxjerr dhe është miratu nga qeveria”, tha Rrahmani.

Ministri tha se pas mbledhjes së premiumeve, beneficionet që do t’i kenë qytetarët, janë sistemi i barnave jashtë spitalore. Ai tha se deri në fund të marsit do ta dinë se sa është mundësia e mbulimit të barnave jashtë spitalore për qytetarët.

Në fund të debatit, Visar Ymeri ka paraqitur një rezolutë lidhur me implementimin e këtij ligji, megjithatë mbeti të harmonizohet me grupet e tjera parlamentare për t’u hedhur në votim.