Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Ambasadori britanik: Pjesëmarrja e ulët mund të lidhet me lodhjen e qytetarëve nga zgjedhjet

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves ka vizituar të mërkurën Qendrën Komunale të Numërimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku ka shprehur besimin se numërimi do të përfundojë me sukses dhe transparencë.

“Është kënaqësi të shohësh hollësitë dhe detajet në të cilat numëruesit po kalojnë gjatë numërimit të votave. Dua të përgëzoj përpjekjet e jashtëzakonshme të të gjithë këtyre njerëzve që garantojnë integritetin e zgjedhjeve”, deklaroi Hargreaves, raportoi EO.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, niveli i daljes në votime duket të ketë qenë më i ulët sesa pritej, por theksoi se ende është herët për vlerësime përfundimtare.

“Vërtet duket se pjesëmarrja ishte mjaft e ulët. Unë thashë edhe para zgjedhjeve se, nga bisedat me qytetarët, kisha përshtypjen se njerëzit ishin mjaft të lodhur dhe po përjetonin një lloj lodhjeje nga mbajtja e kaq shumë zgjedhjeve në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Dyshoj se kjo mund të jetë një nga arsyet që ka ndikuar në nivelin e pjesëmarrjes”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai nënvizoi se procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar dhe se në rezultatet finale do të ndikojnë edhe votat që pritet të arrijnë nga diaspora dhe burime të tjera.

“Ne ende nuk i kemi marrë të gjitha votat dhe mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se Komisioni Zgjedhor duhet të pranojë dhe të përpunojë votat nga diaspora dhe burime të tjera. Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të kuptuar se sa ishte në të vërtetë pjesëmarrja dhe, natyrisht, edhe më shumë rrugë për të bërë për të kuptuar se cili do të jetë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve... Mesazhi im për partitë politike është i njëjtë siç ka qenë gjatë gjithë kohës. Është e qartë se, cilatdo qofshin rezultatet e sakta të këtij procesi, do të jetë e nevojshme të ketë bashkëpunim mes partive politike. Ky vend ka një kushtetutë të fortë, e cila i ka shërbyer shumë mirë gjatë 18 viteve të fundit, dhe ajo kërkon që politikanët të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Ata duhet të bëhen bashkë për të formuar një kuvend, një qeveri dhe për të zgjedhur një president. Kjo është ajo që shpresoj se do të ndodhë sapo rezultatet të bëhen të qarta”, ka shtuar ai.