SOT

85-vjeçarja nuk i ndalet punës, krijon dhe shet çorapë leshi në kryeqytet

Është 85-vjeçe, e përkundër moshës së shtyrë Sada Rrmoki ende vazhdon të punojë çorapë e veshje punëdore. 

Sa herë që e mbush çantën ajo vjen në tregun e artizanaleve në sheshin “Edin Durham” dhe i shet ato.

Që nga paslufta ajo gjitha punimet që i bën i sjell në këtë shtand, me ato të ardhura thotë se mbijeton dhe ushqehet.

Këtë herë ajo solli 12 palë çorapë me dizajnë të ndryshëm.

“85 vjet i kam, tani po shkoj për 86, se nuk kam letërnjoftim. Këtu ka kohë që sjelli veshje, kam qenë duke kaluar kah Boro Ramizi, kur kalova këndej e pashë këtë personin edhe prej lufte sjelli këtu veshje që i punoj vetë. Sot i kam sjellë këto çorape, më herët kam punuar edhe me gjilpërë punëdore. Këtë punë e bëj se me duhen paratë, tash ushqehem edhe vetë me të ardhurat që i marr”, tregon ajo.

Thotë se mosha e saj bën që më shumë të qëndrojë e shtrirë, por kërrabëzat i ndihmojnë asaj që të ketë shëndet në duar.

“Ka mundësi që nganjëherë as për një javë nuk i përfundoj se më shumë më duhet të qëndrojë shtrirë se nuk mundem të rri ulur, jetoj vetë, po harroj shumë. Për ta kaluar kohën po duhet të merrem me diçka, duhan nuk pi, kafe jo, çaj nganjëherë. Vetë i punoj këto, ta kalojë kohën më shumë por edhe më duhen të hollat, kam mbetur pa ushqim e dola me i shit, e pastaj me ato të holla blej gjëra çka më duhen, më shumë qumësht e këso gjëra, mish nuk blej se e kam të ndaluar ta konsumojë”, thotë Rrmoki.

85-vjeçarja thotë se këtë punë e bën për mbijetesë, por edhe të merret me diçka. Puna e dorës e ndihmon të jetë më aktive. Nga “Kodra e Trimave” udhëton me autobus dhe njëjtë kthehet. 

“150 euro edhe me 50 euro e shtyj për disa kohë, e lërë më nëse na japin më shumë, por në hall të madh jam. Kam punime edhe në shtëpi por nuk pata mundësi me i sjellë të gjitha se po më bëhen shumë, me autobus udhëtoj më ndihmojnë të tjerët me lëvizë. Mos me qenë kërrabëzat duart më shtangen, më duhet të punojë diçka, pleqtë duhet me u marrë me diçka, të paktën për veten dhe nevojat e tyre, por me këto punëdore e kaloj kohën”, thekson Rrmoki.

Sipas saj pleqëria ka bërë që të ketë probleme me shëndet dhe mezi mbahet, por gjithsesi punën e dorës shton se do ta bëjë deri në frymën e fundit.

“Kam punuar më herët edhe jelekë, por tash jo se nuk po shoh, pleqëria i ka fajet askush tjetër, ilaç për pleqëri nuk ka, por shpresoj që edhe për juve me u kujdes fëmijët, vajzat kujdesën, shkoj në Turqi shpesh te vajza, më pëlqen shumë atje, të gjithë merren me mjekësi, mirë i ka punët. E këtu i sjell punimet e mia kur është ndonjë ditë e mirë, kur bie shi ose borë nuk mundem me dalë se mund të rrëzohem, por si sot që ishte dita e mirë dola dhe i solla punimet e mia”, shton Rrmoki.

Pensioni i vogël në Kosovë dhe kushtet jo të mira financiare bënë që shumë të moshuar edhe pas pensionimit të detyrohen të merren me punë të tjera si mbijetesë dhe për blerjen e gjërave esenciale.