Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjykata iraniane konfirmon dënimin me burg të regjisorit Jafar Panahi

Jafar Panahi

Si bazë për vendimin janë përmendur realizimi i një “filmi ilegal dhe problematik kundër udhëheqësisë”, mbështetja për të burgosurit politikë dhe përkrahja e protestave popullore kundër qeverisë, përfshirë demonstratat “Woman, Life, Freedom”

Një gjykatë revolucionare në Teheran ka lënë plotësisht në fuqi një vendim të dhënë në mungesë kundër regjisorit të njohur iranian, Jafar Panahi, i cili e dënon atë me një vit burgim nën akuzën për përfshirje në propagandë kundër Republikës Islamike të Iranit, si dhe me ndalim udhëtimi për dy vjet. Panahi gjithashtu ndalohet të anëtarësohet në grupe dhe organizata politike e shoqërore, ka bërë të ditur avokati i tij, Mostafa Nili, për mediumin iranian “Emtedad”.

Si bazë për vendimin janë përmendur realizimi i një “filmi ilegal dhe problematik kundër udhëheqësisë”, mbështetja për të burgosurit politikë dhe përkrahja e protestave popullore kundër qeverisë, përfshirë demonstratat “Woman, Life, Freedom”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendimi fillestar kundër Panahit ishte marrë derisa ai ndodhej jashtë vendit, duke promovuar filmin e tij “A Simple Accident” dhe duke u nderuar me çmime në “Gotham Awards” në New York.

Pasi fitoi “Palmën e Artë” për vitin 2025, çmimin kryesor të Festivalit të Filmit në Cannes, “A Simple Accident” u përzgjodh më pas për të përfaqësuar Francën në “Academy Awards”.

Pas pjesëmarrjes në “Oscars”, Panahi u kthye në Iran më 30 mars, pavarësisht dënimit me burg të dhënë në mungesë.

Për dekada me radhë, regjisori është përballur me censurë dhe burgim në vendlindjen e tij, Iran, ndonëse ai kurrë nuk synoi të ishte një regjisor politik.

“Në përkufizimin tim, një regjisor politik mbron një ideologji, ku të mirët e ndjekin atë dhe të këqijtë e kundërshtojnë”, i kishte regjisori iranian DW-së gjatë Festivalit të Cannes më 2025-n. 
“Në filmat e mi, edhe ata që sillen keq janë të formësuar nga sistemi, jo nga zgjedhja personale”.
Por për më shumë se një dekadë, Panahi ka pasur pak alternativa. Pas mbështetjes së tij për protestat opozitare të “Green Movement”, regjisorit të filmave “The White Balloon” dhe “The Circle” iu ndalua nga autoritetet iraniane realizimi i filmave dhe udhëtimet ndërkombëtare për 20 vjet, në vitin 2010. Megjithatë, kjo nuk e ndali.

Me kalimin e viteve, ai gjeti mënyra të reja për të xhiruar, montuar dhe nxjerrë fshehurazi filmat e tij jashtë vendit,  nga shndërrimi i dhomës së ndenjes në një set filmik me “This Is Not a Film” (2011) deri te përdorimi i një veture si studio lëvizëse në filmin “Taxi”, i cili fitoi “Ariun e Artë” në Berlinale më 2015.
Ai u arrestua në korrik të vitit 2022 dhe u mbajt në burgun famëkeq “Evin” në Teheran. Pas gati shtatë muajsh dhe një greve urie, u lirua në shkurt të vitit 2023. Në një fitore të rëndësishme ligjore, Gjykata Supreme e Iranit e rrëzoi dënimin e tij fillestar të vitit 2010. Panahi ishte ligjërisht i lirë, por artistikisht ende i kufizuar nga një sistem të cilit ai refuzon t’i nënshtrohet.

“Për të bërë një film në mënyrë zyrtare në Iran, duhet ta dorëzosh skenarin në Ministrinë e Udhëzimit Islamik për miratim”, i tregoi ai DW-së. 

“Kjo është diçka që nuk mund ta bëj. Kështu që realizova një tjetër film klandestin. Përsëri”.
Ky film, “It Was Just An Accident”, mund të jetë përballja më e drejtpërdrejtë e Panahit deri më sot me dhunën shtetërore dhe represionin. I xhiruar në fshehtësi dhe me personazhe femra pa mbulesë koke, në kundërshtim me ligjin iranian për hixhabin, filmi rrëfen historinë e një grupi ish të burgosurish që besojnë se kanë gjetur njeriun që i torturoi dhe duhet të vendosin nëse do të hakmerren apo jo. Drama intensive, e zhvilluar brenda 24 orëve, shpaloset si një triller psikologjik.

Pavarësisht një karriere të përcaktuar nga rezistenca, Panahi këmbëngul se ai thjesht po bën të vetmen gjë që di të bëjë.

“Gjatë ndalimit tim 20-vjeçar, edhe miqtë e mi më të afërt kishin humbur shpresën se do të realizoja ndonjëherë filma përsëri”, tha ai në konferencën për shtyp të filmit “It Was Just An Accident” në Cannes, në maj të vitit 2025.

“Por njerëzit që më njohin e dinë se unë nuk di as të ndërroj një poç. Nuk di të bëj asgjë tjetër përveç filmave”.

Pikërisht ky përkushtim i palëkundur e mbajti atë në këmbë, edhe në momentet më të vështira.

“Më kujtohet pak para se të më jepej ky dënim shumë i rëndë prej 20 vjetësh, me ndalim të realizimit të filmave dhe të udhëtimeve, dhe mendova: ‘Çfarë do të bëj tani?’ Për një kohë të shkurtër isha vërtet i dëshpëruar”, kujton ai. “Pastaj shkova te dritarja, ngrita sytë dhe pashë këto re të bukura në qiell. Menjëherë mora kamerën. Mendova: ‘Këtë nuk mund të ma marrin. Ende mund të fotografoj retë’”.
“Këto fotografi më vonë u ekspozuan në ‘Centre Pompidou’ në Paris... Nuk ka asnjë mënyrë që të më ndalojnë të bëj filma. Nëse kinemaja është vërtet ajo që është e shenjtë për ty, ajo që i jep kuptim jetës tënde, atëherë asnjë regjim, asnjë censurë dhe asnjë sistem autoritar nuk mund të të ndalojë”.
Ndërsa shumë kineastë iranianë janë larguar në mërgim – përfshirë mikun e ngushtë të Panahit, Mohammad Rasoulof, regjisorin e filmit të nominuar për Oscar “The Seed of the Sacred Fig”, i cili tash jeton në Gjermani – Panahi thotë se nuk ka ndërmend t’u bashkohet atyre.

“Jam krejtësisht i paaftë të përshtatem me një shoqëri tjetër”, tha ai. “M’u desh të qëndroja në Paris për tre muaj e gjysmë për postproduksionin dhe mendova se do të vdisja”.

Në Iran, shpjegon ai, realizimi i filmave është një akt kolektiv i improvizimit dhe besimit.

“Në orën dy të mëngjesit mund ta telefonoj një koleg dhe t’i them: ‘Ai plan duhet të jetë më i gjatë’. Dhe, ai do të vijë të bashkohet me mua dhe do të punojmë gjithë natën. Në Evropë nuk mund të punohet kështu. Unë nuk i përkas atij vendi”.