Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Nga Trump te Messi – futbolli e politika përplasen në Botërorin më të madh

Nga Trump te Messi – futbolli e politika përplasen në Botërorin më të madh

Pritja po përfundon për Botërorin më të madh të futbollit në histori. Janë 48 ekipe që fillojnë garën të enjten, plot 104 ndeshje, tri nikoqire dhe një mori pyetjesh e polemikash për ngjarjen globale që do të zhvillohet përgjatë gjashtë javëve.

Botërori fillon në Mexico City mes shqetësimeve rreth çmimeve të larta të biletave dhe tensioneve politike. Ekzistojnë sfida logjistike të paprecedentë për organizimin e një ngjarjeje në tri vende të ndryshme: SHBA, Kanada e Meksikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E gjithë kjo është e ndarë nga drama në fushë, që do të zhvillohet deri në finalen e 19 korrikut. Yjet më të mëdha të futbollit luftojnë për trofeun kryesor në sport.

“Do të jetë Kupa e Botës më e madhe, më gjithëpërfshirëse dhe më madhështore ndonjëherë”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ai ka parashikuar që 7 milionë tifozë do të mbushin stadiumet dhe 6 miliardë të tjerë do të shikojnë nga larg.

“FIFA është ofrues zyrtar i lumturisë për njerëzimin”, ka shtuar Infantino.

Futbolli po. Për FIFA-n ka dilema.

Në SHBA zhvillohen shumica e ndeshjeve. Botërori luhet në kohën kur inflacioni është në rritje, kur vazhdon lufta në Iran dhe me politikat diskutabile të administratës Trump për imigracionin.

Presidenti Trump ishte mbështetës i madh i Kupës së Botës. E ka pritur vazhdimisht Infantinon në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ka folur me entuziazëm për turneun e futbollit.

Infantino ka bërë çmos për të forcuar këto marrëdhënie, duke i dhënë Trumpit Çmimin e Parë të Paqes të FIFA-s, vitin e kaluar. Kjo ndodhi pasi Trump u anashkalua për Çmimin Nobel.

Edhe Trofeu i Kupës së Botës për Klube, turne që u mbajt vjet në SHBA, ishte dërguar në Zyrën Ovale. Trump e kishte pyetur FIFA-n se kur do ta merrte trofeun. “Mund ta kesh përgjithmonë në Zyrën Ovale. Po e bëjmë një trofe të ri”, iu tha atij.

Gjashtë muaj më parë një zyrtar i federatës gjermane tha se ishte koha që të merrej në konsideratë bojkotimi i Botërorit për shkak të veprimeve të Trumpit, të cilat përfshinin kërcënime për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Më pas nisën sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, që kanë bërë që të rritet çmimi i naftës dhe të destabilizohet Lindja e Mesme.

Kishte dyshime për pjesëmarrjen e Iranit në Botëror. Iranianët zhvendosën kampin nga Arizona në Tijuana të Meksikës. Patën probleme me viza, tani kanë thënë se kanë probleme edhe me bileta për tifozët. Lojtarët e Iranit gjatë udhëtimit për në Meksikë mbajtën shenja në nderim të viktimave të një sulmi vdekjeprurës me raketa në një shkollë fillore në Iran.

FIFA është kritikuar ashpër lidhur me çmimin e biletave. Tifozët e kanë akuzuar FIFA-n për tradhti, ndërsa biletat për finale kanë çmim deri në 33 mijë dollarë. Biletat e rishitura kanë çmim shumë më të lartë.

Parkimi po ashtu është dukshëm më i shtrenjtë, ndërsa janë shtrenjtuar edhe çmimet e biletave të trenave.

Por jo të gjithë amerikanët janë të kënaqur me zhvillimet rreth Botërorit, e sidomos me çmimin e biletave. Dhe përqindja e atyre që janë “të ngazëllyer” po bie.

Jo të gjithë e përkrahin edhe rritjen e formatit të Botërorit. Shumë vlerësojnë se cilësia do të jetë më e vogël për shkak të rritjes së Botërorit nga 32 në 48 përfaqësuese. Kjo rritje ka mundësuar që edhe vende si Kuraçao e Kepi i Gjelbër të kualifikohen.

Temperatura e lartë pritet të jetë tjetër problem. Tashmë ekipet po ankohen për këtë.

Në fushë, spektakli megjithatë nuk pritet të mungojë. Ka shumë pyetje që presin përgjigje. A do të shkëlqejë sërish 38-vjeçari Lionel Messi? A mund ta fitojë 41-vjeçari Cristiano Ronaldo trofeun e vetëm të madh që nuk e ka ende? Pyetje të tjera priten të paraqiten në javët e ardhshme.