Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka kërkuar nga Gjykata Supreme shfuqizimin e Rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil, që u miratua nga Qeveria në detyrë vitin e shkuar e që ka hyrë në fuqi më 9 janar sivjet.
Sipas një njoftimi nga CSL-ja, rregullorja bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe se disa dispozita të saj cenojnë parimet e Ligjit për zyrtarët publikë. Sipas ankesës, shfuqizimi duhet të ndodhë sepse rregullorja u miratua në kohën kur qeveria ishte në detyrë dhe ministrat dhe kryeministri kanë qenë të certifikuar edhe si deputetë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Tashmë e konfirmuar edhe me praktikën gjyqësore, Gjykata Supreme ka shfuqizuar akte nënligjore normative të miratuara nga zyrtarët që ushtrojnë njëkohësisht funksione ekzekutive dhe legjislative, duke e konsideruar këtë rrethanë si shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës dhe cenim të parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”, thuhet në njoftim.
CSL-ja ka thënë se disa dispozita të Rregullores bien në kundërshtim edhe me frymën e transparencës së proceseve rekrutuese në shërbimin civil të përcaktuar me Ligjin për Zyrtarët Publik (LZP).
“Këto dispozita ndalojnë publikimin e çfarëdo të dhëne për kandidatët që aplikojnë dhe për ata që e kalojnë fazën e verifikimit paraprak, kurse kufizojnë publikimin e listës përfundimtare vetëm me numër unik të kandidatëve. Si Paditës, vlerësojmë që mos publikimi ose kufizimi i publikimit të të dhënave të kandidatëve për këto pozita, cenon parimet mbi të cilat duhet të zhvillohen proceset e pranimit në punë të zyrtarëve publik dhe interesin publik në raport me këta kandidatë”, thuhet në komunikatë.
Kjo rregullore përcakton rregullat dhe procedurat për rekrutimin e kandidatëve për pranimin në shërbimin civil, themelimin e komisioneve, vlerësimin dhe emërimin e kandidatëve në shërbimin civil.