Banorët e fshatit Devajë të Vitisë kanë shprehur kundërshti ndaj nismës së komunës për dhënien në shfrytëzim të 54 hektarëve tokë publike, meqë sipas tyre, po rrezikohet blegtoria dhe mbijetesa e familjeve të zonës. Opozita në Viti ka akuzuar për mungesë të konsultimit publik dhe për konflikt interesi. Në komunë dhe në kompaninë fituese thonë se procesi është zhvilluar ligjshëm dhe përmes ankandit publik.
Kryetari i fshatit Devajë të Vitisë, Ilir Rrustemi, bashkë me banorë të tjerë të fshatit u mblodhën të dielën për të kundërshtuar një nismë të komunës për të dhënë në shfrytëzim 54 hektarë tokë të këtij fshati.
Rrustemi, i cili merret me blegtori, thotë se dhënia në shfrytëzim e këtyre pronave për përfitues privatë rrezikon drejtpërdrejt jetesën e familjeve që merren me blegtori, pasi nuk do të kenë më hapësirë për kullotjen e bagëtive.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kur të shiten pronat publike deri në derë të shtëpisë po as pulat s’mund t’i mbash se lërë më tjera mënyra. Kjo jo që na e dëmton (v.j. blegtorinë) por e shkatërron”, tha Rrustemi.
E Besfort Zejnullahu, thotë se pronat u dhanë pa dijeninë dhe miratimin e banorëve.
“Me këtë vendim të komunës, i cili ka qenë një lloj vendimi tinëzar sepse nuk na kanë njoftuar fare se çka po zhvillohet atje në komunë sepse ne nuk jemi tërë kohën të informuar se çfarë postimesh a shpalljesh bëhen në faqen e Komunës së Vitisë”, tha Zejnullahu.
Sipas Liridona Bislimit, asambliste e Vetëvendosjes në Komunën e Vitisë, përveç mungesës së konsultimit publik, në këtë proces dyshohet edhe për konflikt interesi.
“Nga informacionet që kemi marrë, veçse kemi kuptuar që kemi konflikt të pastër të interesit nga drejtoresha a Kadastrit dhe familjarit të saj dhe i bie që edhe këtu ka shkelje ligjore”, tha Bislimi.
13 hektarë të këtij fshatit, përmes një propozim-vendimi të kryetarit i janë ndarë për shfrytëzim për 20 vjet një kompanie që për pronar e ka Ibrahim Ostrogllavën, vjehrrin e drejtoreshës për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Majlinda Ostrogllavën.
Ajo ka mohuar të ketë pasur ndikim në procesin e përzgjedhjes.
"Pozita ime nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces. Ankandi ka qenë publik dhe kjo nuk është as përgjegjësi as kompetencë e pozitës sime si drejtoreshë", tha ajo.
Ibrahim Ostrogllava, pronar i kompanisë që ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e 13 hektarëve në Devajë për ndërtimin e një parku me panele solare, ka konfirmuar se drejtoresha është nusja e djalit të tij.
Megjithatë, ai ka thënë se prona është fituar përmes një ankandi publik, të hapur dhe ligjor.
Sipas tij, kundërshtimet po nxiten nga interesa të bizneseve konkurruese.
“Organizatorët kryesorë të këtij reagimi janë operatorë që tashmë shfrytëzojnë rreth 100 hektarë tokë pikërisht në këtë zonë. Këta individë kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në të njëjtin ankand publik, por e kanë humbur garën, sepse oferta e tyre financiare ka qenë më e ulët se ajo e kompanisë sonë”, tha Ibrahim Ostrogllava.
Dhënia e këtyre pronave në shfrytëzim do të hidhet në votim të premten në Kuvendin Komunal të Vitisë.
Banorët kanë paralajmëruar kundërshtim edhe me protesta.
Devaja është fshat me rreth 200 banorë dhe ndodhet 10 kilometra larg nga Vitia.