Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Supplément culturel

« Trio Aurea » ouvre le « KamerFest » d'un quart de siècle avec des moments forts et des ombres du temps

kamerfest

Violinistja Iva Vogel, violonçelistja Eva Vuçekoviq-Veith dhe pianisti Hwi-Min An, duke ndërtuar programin muzikor që ka kaluar nga muzika e hershme e Beethovenit, te romantizmi i Gabriel Faurésë dhe në fund te kompozitorja kroate, Dora Pejaçeviq (Foto: Adi Beqiri)

Një përzgjedhje elegante veprash muzikore, i ka dhënë formë koncertit “Trio Aurea” jo vetëm si udhëtim nëpër epoka, por edhe si lidhje kujtimesh e biografish. Titulli “Dritë dhe hije” në koncertin hapës të edicionit të 25-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, ka marrë kuptim edhe nëpërmjet rrëfimeve personale e dedikimit për kolegët

Edicioni i sivjetmë i festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest” ka nisur në Prishtinë me tingujt e “Trio Aurea”, ansambël me bazë në Gjermani, i cili në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka sjellë koncertin “Dritë dhe hije” (Licht und Schatten).

Në skenë kanë interpretuar violinistja Iva Vogel, violonçelistja Eva Vuçekoviq-Veith dhe pianisti Hwi-Min An, duke ndërtuar programin muzikor që ka kaluar nga muzika e hershme e Beethovenit, te romantizmi i Gabriel Faurésë dhe në fund te kompozitorja kroate, Dora Pejaçeviq.

Koncerti ka nisur me “Trion për piano në c-mol, op. 1 nr. 3” të Beethovenit, vepër e ndarë në katër pjesë: “Allegro con brio”, “Andante cantabile con variazioni”, “Menuetto. Quasi Allegro” dhe “Finale. Prestissimo”.

Që në kohën e parë, pianoja, violina dhe violonçeli janë shfaqur si zëra që ndërthuren dhe i përgjigjen njëri-tjetrit.

Ritmi i gjallë i “Allegro con brio” është pasuar nga një pjesë më e qetë, ku melodisë i është dhënë hapësirë të zhvillohet. Te “Menuetto...” është sjellë tjetër ndryshim i karakterit, para se të rikthehet vrulli dhe energjia e veprës.

Violonçelistja Eva Vuçekoviq-Veith ka treguar se përzgjedhja e Beethovenit lidhet edhe me rëndësinë që kjo vepër ka në repertorin e muzikës kamertale.

“Beethoven është kompozitor i madh klasik, i cili është i njohur shumë me këtë trio. Ka elemente tragjike ku shpesh kulmon”, ka thënë ajo.

Ka folur edhe për lidhjen e programit me veprën e Gabriel Fauré.

Pas Beethovenit, muzika ka marrë tjetër ngjyrim me “Trion për piano në e-mol, op. 120”, Fauré, kompozitorit krijimtaria e të cilit është urë e kapërcimit midis romantizmit dhe modernizmit. Në tri pjesët e saj – “Allegro ma non troppo”, “Andantino” dhe “Allegro vivo” – muzika është zhvendosur nga rrjedha më e përmbajtur dhe lirike drejt lëvizjes më të gjallë, me dialog të vazhdueshëm midis tri instrumenteve. Fauré e ka shkruar këtë vepër në periudhën e vonë të krijimtarisë së tij dhe, siç ka theksuar Vuçekoviq-Veith, edhe ai, sikurse Beethoveni, e kishte humbur dëgjimin.

Pas përfundimit të programit, duartrokitjet e publikut kanë rikthyer muzikantët në skenë. Për publikun e Prishtinës, trioja ka interpretuar edhe dy vepra në bis (Foto: Adi Beqiri)

“Pas tij vjen kombinimi me Gabriel Fauré, po ashtu një trio të cilën kompozitori e ka punuar në moshë të shtyrë. Edhe ai, sikurse Beethoveni, e ka humbur dëgjimin. Kjo është një ndërlidhje mes tyre”, ka treguar Vuçekoviq-Veith.

Në pjesën e dytë të programit, “Trio Aurea” ka luajtur “Trion për piano në C-dur, op. 29”, të Dora Pejaçeviqit, kompozitores kroate e cila ka vdekur në moshën 37-vjeçare. Vepra ka sjellë tjetër atmosferë, me “Allegro con moto” që është hapur me lëvizje të gjallë, për t’u pasuar nga “Scherzo: Allegro”, “Lento – Allegretto” dhe “Finale: Allegro risoluto”.

Kjo pjesë e programit ka pasur rëndësi të veçantë për festivalin, pasi, sipas drejtoreshës së “KamerFestit”, Sihana Badivuku, është interpretuar premierë në festival.

“Janë ndoshta pak të ndërlikuara dhe specifike për publikun tonë, sepse, mendoj, janë si kryevepra në atë aspektin që nuk janë luajtur asnjëherë. Për shembull, vepra e kompozitores kroate, Pejaçeviq, nuk është luajtur asnjëherë dhe kjo është premierë”, ka thënë Badivuku.

Pikërisht koha e tretë e veprës së Pejaçeviqit, “Lento – Allegretto”, ka sjellë një moment më melankolik të koncertit. Violinistja Iva Vogel ka treguar se trioja ka dashur të përcjellë përmes kësaj pjese një ndjesi të veçantë, të lidhur me humbjen e pianistes Yesim Gokalp, e cila ka interpretuar disa herë në Kosovë, midis tjerash edhe me Filharmoninë e Kosovës, si soliste. Ka qenë viti 2017 kur ajo luajti për herë të parë, dy vjet më vonë ishte edhe në “KamerFest”.

“Po, ishte lëvizja e tretë nga Pejaçeviqi. Kështu që menduam se ishte e ngadaltë dhe u përpoqëm të përcillnim disa nga ndjenjat që kemi për kolegen tonë që ka vdekur”, ka thënë Vogel.

Sipas saj koncerti në Prishtinë ka qenë edhe përvojë e re për ansamblin.

“Është hera jonë e parë dhe jemi shumë të lumtur që mund të jemi këtu. Është vërtet e mrekullueshme të jesh këtu. Është një qytet i bukur dhe njerëz të mrekullueshëm. E kemi shijuar shumë dhe jemi ende shumë të lumtur që jemi këtu”, ka treguar ajo teksa ka folur edhe për programin.

“Ne zgjodhëm, nga njëra anë Beethovenin, sepse të gjithë jetojmë në Gjermani. Beethoven është kompozitor i madh gjerman. Pastaj menduam për pak muzikë franceze, diçka ndryshe. Dhe Dora Pejaçeviq është gjithashtu shumë interesante, një kompozitore kroate që vdiq shumë herët dhe që ishte grua, gjë e pazakontë për atë kohë. Tani shohim se sa vepra të bukura ka kompozuar dhe ne i luajmë. Doja të tregoja se është vërtet një vepër e bukur”, ka thënë Vogel.

 “KamerFesti” me një histori prej një çerekshekulli, është shndërruar në pikëtakim muzikantësh nga të katër anët e botës (Foto: Adi Beqiri)

Për drejtoreshën e “KamerFestit”, koncerti ka pasur edhe dimension personal. Badivuku ka treguar se me Eva Veithin kanë studiuar në Gjermani dhe se takimi në Prishtinë ka qenë ribashkim i tyre pas tri dekadash.

“Për mua, kjo është si një ribashkim me një shoqe shumë të ngushtë, pasi për tridhjetë vjet nuk jemi parë. Kemi studiuar në një specializim në Gjermani, në Dortmund. Kështu që, për mua, kjo është një festë, sepse jemi njohur gjatë kohës që ishim në Gjermani”, ka thënë Badivuku.

Edhe Vuçekoviq-Veith ka treguar se rikthimi në Prishtinë ka pasur për të një domethënie të veçantë.

“Jemi të kënaqur me organizimin, jemi të befasuar. E njoh Sihana Badivukun për shumë kohë më parë, sepse kemi studiuar bashkë. Është bashkim pas 30 vjetësh dhe me shumë kënaqësi do të vinim bashkë me trion. Kam qenë si e vogël në Prishtinë, kur ka pasur disa organizime në kohën e ish-Jugosllavisë, ka pasur një garë këtu. Jam e lumtur që kthehem pas shumë vjetësh. Jemi pritur shumë mirë”, ka thënë ajo.

Sipas të dhënave, “Trio Aurea” është themeluar në vitin 2017 dhe anëtarët kanë prejardhje dhe formime të ndryshme muzikore. Ansambli ka bazën në Göttingen dhe repertori i tij shtrihet nga muzika klasike deri te ajo moderne. Iva Vogel është me prejardhje nga Zagrebi dhe është formuar muzikalisht edhe në Salzburg e Vjenë, ndërsa Eva Vuçekoviq-Veith vjen nga një familje muzikantësh në Mal të Zi dhe ka studiuar në disa qendra evropiane, përfshirë Beogradin, Pragën, Moskën dhe Detmoldin. Pianisti Hwi-Min An është nga Koreja e Jugut dhe është formuar në Gjermani

“Trio-ja është një ansambël i qëndrueshëm, i përhershëm, me bazë në Gjermani. Ata kanë rreth pesëmbëdhjetë vjet që bashkëpunojnë dhe vijnë nga shtete të ndryshme”, ka treguar Badivuku.

Pas përfundimit të programit, duartrokitjet e publikut kanë rikthyer muzikantët në skenë. Për publikun e Prishtinës, trioja ka interpretuar edhe dy vepra në bis: “Salut d’amour” të Edward Elgarit dhe një vepër të kompozitorit çek Bohuslav Martinů.

“Dritë dhe hije” në hapje të edicionit të 25-të të “KamerFestit” ka ardhur jo vetëm si një rrëfim muzikor që lidh kohët por edhe kujtimet. Edicioni i sivjetmë sjell edhe pesë koncerte deri më 13 tetor.