Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Supplément culturel

De la chute de deux guerriers idéalistes à la mémoire

Gursel

Murali “Rruga” në Stacionin e Trenit në Ferizaj, realizuar në shtator të vitit 2021 nga artistja Pranvera Sylejmani si dedikim për babanë e saj, piktorin e dëshmorin, Gursel Sylejmani (Foto: MuralFest)

Trashëgimia e Gursel e Bajram Sylejmanit nuk përfundon me rënien dhe as me format e institucionalizuara të përkujtimit. Një nga shprehjet më konkrete të idealit për të cilin vepruan shihet te brezi që erdhi pas tyre. Liria për të cilën ata luftuan mund të vlerësohet jo vetëm përmes ndryshimit të statusit politik të Kosovës, por edhe përmes mundësive që ajo krijoi për brezat pasues: për t’u arsimuar, për të krijuar, për të zhvilluar individualitetin e tyre dhe për t’i shërbyer një shoqërie që tashmë ndërton institucionet e veta

Lajmi për rënien e Gursel dhe Bajram Sylejmanit më 28 shtator 1998, ishte tronditës; për ata që i kishin njohur dhe veçanërisht për familjarët, dukej sikur bota ishte përmbysur brenda një çasti. Ishte nga ato lajme që të ndalin frymën, sepse nuk sillte vetëm kumtin e humbjes së dy luftëtarëve, por të dy vëllezërve, dy bijve, dy bashkëshortëve dhe dy etërve që kishin lënë pas familjet e tyre për t’iu bashkuar luftës. Për nipërit dhe mbesat ishte edhe humbja e dy dajave që kishin qenë model – burra të arsimuar, punëtorë, të emancipuar e të përkushtuar ndaj familjes, por njëkohësisht njerëz të bindjeve të forta, që atë që ua kishin mësuar të tjerëve për dinjitetin dhe lirinë ishin të gatshëm ta dëshmonin edhe me jetën e tyre. Dhimbja bëhej edhe më e rëndë nga koha në të cilën vinte: vetëm gjashtë ditë më parë, më 22 shtator 1998, kishin rënë Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xhevë Lladrovci. Brenda më pak se një jave, lufta po merrte disa prej figurave më të njohura të rezistencës, duke e bërë fundin e atij shtatori një nga periudhat më të rënda të saj.

Për Ferizajn, Vitinë dhe rrethin e gjerë shoqëror ku Gurseli dhe Bajrami njiheshin prej vitesh, lajmi kishte një peshë të veçantë. Kishin rënë njëherësh dy vëllezër, dy veprimtarë, dy intelektualë dhe dy luftëtarë, të cilët kishin qenë pjesë e jetës politike, shoqërore dhe kulturore të kësaj hapësire. Për familjen, megjithatë, historia kishte një dimension shumë më të dhimbshëm: lufta nuk kishte marrë vetëm dy luftëtarë; kishte marrë njëherësh dy djem të së njëjtës nënë, dy bashkëshortë, dy etër dhe dy dajallarë që për brezin më të ri të familjes kishin qenë pikë referimi dhe shembull për t’u ndjekur. Ajo që për historinë do të shënohej si rënie në betejë, për njerëzit e tyre më të afërt ishte humbja e njerëzve me të cilët kishin lidhur kujtimet, këshillat, sigurinë dhe ëndrrat e tyre –  një zbrazëti që as përfundimi i luftës dhe as kalimi i viteve nuk mund ta mbushnin plotësisht.

Është vështirë të gjendet një fjali që ta përmbledhur më fuqishëm tragjedinë dhe krenarinë e një nëne. Sofia nuk kishte humbur një, por të dy djemtë e saj. Megjithatë, në çastin kur dhimbja personale mund të ishte më e madhe se çdo fjalë, ajo e vendosi humbjen e tyre brenda idealit për të cilin ata kishin jetuar dhe, në fund, ishin flijuar. Krenaria e shprehur prej saj nuk e zvogëlon dhimbjen e nënës; përkundrazi, e bën edhe më të dukshme madhësinë e çmimit njerëzor që familja kishte paguar.

Letra nga burgu i Nishit, qershor 1986

Qëndrimi i Sofies merr një domethënie edhe më të thellë kur vihet në raport me një letër që Gurseli i kishte dërguar Bajramit nga burgu i Nishit më 18 qershor 1986. Duke reflektuar mbi tregimin “Një pushkë më shumë” të Naum Priftit dhe mbi figurën e një nëne që kishte humbur të birin në luftë, Gurseli ndalej tek ideja se “njeriu që vritet për atdhe, nuk vdes, por jeton në zemrat e njerëzve liridashës”. Gurseli, pa e ditur, duket sikur shkroi më 1986 epigrafin e historisë së vet dhe të Bajramit.

aussi Leur vie a été brutalement interrompue, mais le chemin a continué. Supplément culturel Leur vie a été brutalement interrompue, mais le chemin a continué.

Dhe pikërisht, dymbëdhjetë vjet më vonë, këto fjalë marrin një peshë që Gurseli vështirë se mund ta kishte përfytyruar kur i shkruante nga qelia e burgut. Atëherë ai shkruante për një nënë të letërsisë që kishte humbur të birin; në shtatorin e vitit 1998, nëna e tij do të përballej me humbjen e të dy djemve. Ajo që më 1986 ishte për Gurselin reflektim mbi sakrificën e të tjerëve, dymbëdhjetë vjet më vonë ishte bërë historia e familjes së tij.

Ky paralelizëm është më shumë se një koincidencë biografike. Ai lidh, në mënyrë pothuajse tragjike, dy skaje të jetës së Gurselit: burgun, ku vite më parë reflektonte mbi kuptimin e rënies për atdheun, dhe Jezercin, ku ai dhe vëllai i tij, Bajrami, do ta përmbushnin me jetën e tyre atë ideal. Letërsia, kujtesa historike dhe angazhimi politik ndërthureshin në botëkuptimin e tij në një kulturë të rezistencës, në të cilën rënia për liri nuk kuptohej si fundi i veprimit individual, por si kalimi i tij nga jeta në kujtesën kolektive.

Pas 28 shtatorit 1998, Gurseli dhe Bajrami nuk ishin më vetëm bartës të kësaj ideje. Ata vetë ishin bërë pjesë e saj: dy vëllezër që kishin ndarë bindjet, ëndrrën dhe rrugën drejt lirisë, e që në fund ndanë edhe sakrificën. Ajo që Gurseli dikur e kishte përsiatur dhe shkruar nga burgu, në Jezerc mori përmasën më tragjike dhe më njerëzore –  u bë pjesë e historisë së tyre dhe e kujtesës së brezave që erdhën pas.

Nga sakrifica te trashëgimia e lirisë

Trashëgimia e tyre, megjithatë, nuk përfundon me rënien dhe as me format e institucionalizuara të përkujtimit. Një nga shprehjet më konkrete të idealit për të cilin vepruan shihet te brezi që erdhi pas tyre. Liria për të cilën ata luftuan mund të vlerësohet jo vetëm përmes ndryshimit të statusit politik të Kosovës, por edhe përmes mundësive që ajo krijoi për brezat pasues: për t’u arsimuar, për të krijuar, për të zhvilluar individualitetin e tyre dhe për t’i shërbyer një shoqërie që tashmë ndërton institucionet e veta. Në këtë kuptim, rrugëtimet dhe arritjet e Pranverës, Kaltrinës dhe Diellit, fëmijëve të Gurselit, si dhe të Gentritit dhe Lirjonës, fëmijëve të Bajramit, marrin edhe një domethënie simbolike: ato dëshmojnë se sakrifica e një brezi gjeti vazhdimësi në mundësitë e një brezi tjetër për të jetuar, për t’u arsimuar dhe për të ndërtuar të ardhmen në liri.

Por vazhdimësia e kësaj trashëgimie nuk mund të kuptohet pa përmendur edhe rolin e atyre që e ndanë jetën me ta dhe që, pas luftës, morën mbi vete barrën e familjes dhe përgjegjësinë për të ardhmen e fëmijëve. Në këtë kuptim, historia e Gurselit dhe Alijes kishte nisur shumë përpara luftës. Njohja dhe lidhja e tyre kishin diçka nga rrëfimet e romaneve: ajo u vu në provë nga vitet e burgut dhe nga rrethanat e vështira të kohës, por as largësia dhe as pasiguria nuk e zbehën besimin e tyre te njëri-tjetri dhe te jeta që ëndërronin ta ndërtonin së bashku. Ajo që nisi si dashuri rinore dhe qëndroi përballë viteve të ndarjes, më vonë u shndërrua në themelin e një familjeje ku arsimi, kultura, krijimtaria dhe atdhedashuria zunë një vend të veçantë.

Pas rënies së Gurselit, kjo histori mori një dimension tjetër. Alijes i mbeti barra që jetën e ndërprerë të bashkëshortit ta vazhdonte përmes jetës së fëmijëve të tyre. Me punë, përkushtim dhe sakrifica të vazhdueshme, ajo u përkujdes për rritjen, shkollimin dhe formimin e Pranverës, Kaltrinës dhe Diellit, duke i mbështetur që secili të ndiqte prirjet dhe rrugën e vet. Në këtë mënyrë, Alija jo vetëm e ruajti kujtimin e Gurselit brenda familjes, por krijoi kushtet që trashëgimia e tij të vazhdonte përmes jetës, krijimtarisë dhe arritjeve të fëmijëve të tyre.

Kjo trashëgimi ka marrë forma të ndryshme te secili prej tyre. Një vazhdimësi tjetër, po aq domethënëse, shfaqet në muralet dhe pikturat e Pranverës, vajzës së piktorit, Gurselit. I përballur vazhdimisht me përndjekjen policore, Gurseli, student i artit figurativ dhe piktor që nuk e braktisi krijimtarinë as në rrethanat më të vështira, sikur vazhdon, në një trajtë tjetër, të komunikojë përmes dhuntisë artistike të së bijës. Aty ku lufta ia ndërpreu atij penelin, krijimtaria gjeti vazhdimësi te Pranvera.

Veçanërisht domethënës në krijimtarinë e saj është murali në stacionin e trenit në Ferizaj, i frymëzuar nga dëbimi i civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Stacioni i trenit –  një hapësirë që zakonisht lidhet me nisjen, udhëtimin dhe kthimin –  këtu fiton një kuptim tjetër: shndërrohet në simbol të dëbimit të dhunshëm, të ndarjes dhe të humbjes së shtëpisë. Pamjet e njerëzve të detyruar të largohen dhe vetë simbolika e trenit evokojnë disa nga imazhet më të fuqishme të kujtesës evropiane të shekullit XX, përfshirë skenat e deportimit të hebrenjve nga regjimi nazist, të ngulitura thellë në kujtesën kulturore evropiane dhe të përjetësuara edhe në vepra kinematografike si “Lista e Schindlerit”. Kjo paralele nuk synon të barazojë përvojat historike, por të evidentojë fuqinë universale të imazhit të trenit si simbol i dëbimit, humbjes dhe shkëputjes së dhunshme nga vendlindja.

Për Pranverën, megjithatë, kjo nuk është vetëm kujtesë kolektive. Është edhe histori familjare. Lufta që dëboi qindra mijëra shqiptarë nga Kosova ishte e njëjta luftë që asaj ia mori të atin. Pikërisht këtu vazhdimësia ndërmjet Gurselit dhe Pranverës merr ndoshta formën e saj më prekëse: babai luftoi që njerëzit e tij të mos dëboheshin nga vendi i tyre; vajza, vite më vonë, përmes artit ua rikthen fytyrat, përvojën dhe kujtesën atyre që u detyruan të largoheshin.

Prandaj, kjo nuk është vetëm trashëgimi e talentit artistik. Është një lidhje e heshtur ndërmjet babait dhe vajzës, ndërmjet një jete të ndërprerë nga lufta dhe një brezi që, falë lirisë për të cilën ai luftoi, mund të krijojë, të kujtojë dhe të shprehet lirshëm. Në artin e Pranverës, kujtesa familjare dhe ajo kolektive takohen: peneli që iu ndërpre Gurselit vazhdon, në një kuptim simbolik, në duart e së bijës.

Njëra i jep lirisë tingull, tjetra i jep ngjyrë. Në muzikën e Lirjonës, në pikturat e Pranverës dhe në jetën e fëmijëve të tyre vazhdon kështu diçka nga ëndrra e dy vëllezërve që nuk patën fatin ta shihnin Kosovën e lirë. Prandaj, sa herë kaloj rrugës që mban emrat e tyre, nuk më duket se po kaloj vetëm pranë së kaluarës. Më duket se po kaloj pranë një porosie. Një porosie që vjen nga jeta dhe vepra e tyre: të vazhdohet rruga e dijes, e krijimtarisë, e lirisë dhe e emancipimit evropian të Kosovës. Sepse, në fund të fundit, kjo ishte Kosova për të cilën “ata jetuan, u angazhuan dhe u flijuan në betejën historike të Jezercit”.

Krahas Pranverës, e cila trashëgoi dhe zhvilloi prirjen artistike të të atit, Kaltrina G. Sylejmani e ndërtoi rrugëtimin e saj në fushën e komunikimit, administratës publike dhe menaxhimit. Pas studimeve në Komunikim Masiv dhe Gazetari dhe në Administratë Publike e Diplomaci, ajo u angazhua në shërbimin publik dhe në jetën kulturore e sportive, duke ushtruar përgjegjësi të ndryshme në Komunën e Vitisë. Krahas angazhimit institucional, ajo ka zhvilluar edhe dimensionin sipërmarrës e kulturor, duke themeluar në Zvicër brandin dhe galerinë e arteve “ALIÉ”, emri i së cilës bashkon simbolikisht emrin e nënës, Alije, me “Atelié”-n, punëtorinë artistike të Gurselit. Në këtë mënyrë, galeria nuk është vetëm një sipërmarrje kulturore e Kaltrinës, por edhe një formë e rikthimit te rrënjët artistike të babait dhe te roli i nënës që, pas rënies së tij, mbajti mbi vete përgjegjësinë për familjen. Në një emër të vetëm takohen kështu dy trashëgimi: arti i Gurselit dhe përkushtimi i Alijes. Kaltrina i bart të dyja në një hapësirë të re kulturore, larg vendlindjes, duke i dhënë kujtesës familjare një formë të re dhe të gjallë.

aussi Lorsque le projet de construction de l'État a nécessité de nouvelles formes d'action politique Supplément culturel Lorsque le projet de construction de l'État a nécessité de nouvelles formes d'action politique

Edhe Dielli, djali i Gurselit, përfaqëson një vijë tjetër të kësaj vazhdimësie familjare. Në kujtesën e familjes, ngjashmëria e tij me të atin nuk lidhet vetëm me tiparet fizike, por edhe me karakterin. Ndryshe nga Gurseli dhe Pranvera, rrugëtimi i tij nuk u orientua drejt artit, por drejt ekonomisë, biznesit dhe menaxhmentit, fushë në të cilën ndoqi studimet. Kjo shumëllojshmëri e zgjedhjeve të fëmijëve është në vetvete domethënëse: trashëgimia e Gurselit nuk duhet kërkuar vetëm në përsëritjen e profesionit apo talentit të tij, por në mundësinë që brezi pas tij të arsimohej, të zgjidhte lirisht rrugën e vet dhe të ndërtonte jetën në rrethana krejt të tjera nga ato që kishin përcaktuar rininë e babait të tyre.

A suivre dans le prochain numéro du Supplément Culture