Poetja dhe artistja kanadeze, Anne Carson shquhet për origjinalitetin dhe stilin e saj të veçantë, që ndërthur poezinë, prozën, esenë dhe artet skenike. E njohur si studiuese dhe përkthyese e greqishtes së lashtë, ajo ndërthur mitet dhe figurat e antikitetit me shqetësimet dhe emocionet e botës bashkëkohore. Megjithëse për një kohë të gjatë nuk u vlerësua sa duhet në vendin e saj, veprat e saj kanë fituar njohje ndërkombëtare dhe kanë frymëzuar lexues e studiues. Krijimtaria e Carsonit dallohet për thellësinë, lojën me gjuhën dhe eksplorimin e dashurisë, mallit, humbjes dhe marrëdhënieve njerëzore, duke e bërë atë një nga zërat më të veçantë të letërsisë bashkëkohore
Një zë letrar që nuk i ngjan askujt
Anne Carson, shkrimtarja dhe artistja kanadeze 76-vjeçare, e cila të enjten mori çmimin “Nobel” për letërsi, ka qenë gjithmonë vetvetja, pa kërkuar falje për këtë — dhe në heshtje, thonë miqtë dhe admiruesit e saj. Ndonjëherë, kjo ka nënkuptuar që ajo të mos vlerësohej apo kuptohej plotësisht në vendin e saj.
Vepra e Carsonit sfidon kufijtë e zhanreve, duke kaluar nga proza te poezia e eseja, nganjëherë edhe brenda së njëjtës pjesë. Në shkrimet e saj shfaqen biseda të imagjinuara mes figurave të antikitetit klasik dhe personazheve të famshme të kohëve moderne, poezi për dashurinë dhe humbjen, si dhe meditime mbi veçoritë e pazakonta të njerëzve, përfshirë edhe të sajat.
Carson është gjithashtu studiuese dhe përkthyese e njohur e greqishtes së lashtë, e vlerësuar për mënyrën se si i ka sjellë sërish në vëmendje fragmentet e Safos, veçanërisht në librin e saj “If Not Winter”.
Çmimet ndërkombëtare e njohën herët talentin e Carsonit. Libri i saj i parë, “Canicula di Anna”, i botuar më 1984, mori çmimin “Betty Colladay” të revistës “Quarterly Review of Literature”. Më 1996, ajo mori çmimin “Lannan” për letërsi, në kategorinë e poezisë. Dy vjet më vonë, iu dha bursa prestigjioze “Guggenheim”, ndërsa në vitin 2000 mori bursën “MacArthur”, e njohur gjithashtu si “Granti i Gjeniut”.
aussi
Anne Carson – une voix pour notre époque
Megjithatë, mungesa e vlerësimit në Kanada nuk dukej se e shqetësonte poeten.
“Më pëlqen të jetoj pas shpinës së atij që ndjek”, kishte thënë ajo për gazetën “The Globe and Mail” në vitin 2000.
“Në fillim të karrierës së saj, shumë njerëz nuk e kuptonin ose nuk donin ta kuptonin. Ajo është tërësisht vetvetja. Bën atë që bën”, ka deklaruar Lucille Friesen-King Edwards, e cila së bashku me bashkëshortin e atëhershëm themeloi librarinë “The Word” në Montreal, një vend që Carsoni e frekuentonte kur jepte mësim në universitetin “McGill”, nga fundi i viteve ‘80 deri në fillim të viteve 2000.
Thellësia dhe loja me fjalët
Me kalimin e kohës, Kanadaja arriti ta vlerësonte Carsonin, duke i dhënë disa herë çmimin kanadez për poezi “Griffin”, si dhe çmimin “A.M. Klein” për poezi të cilin e ndanë Federata e Shkrimtarëve e Quebecut.
Por veprat e saj, të njohura për thellësinë dhe lojën me fjalët, shenjat e pikësimit dhe paraqitjen grafike të tekstit, kanë tërhequr si lexuesit e rinj, ashtu edhe intelektualët e brezave më të vjetër. Kush e njeh, e njeh.
Veprat e preferuara të Carsonit për Friesen-King Edwardsin janë “The Beauty of the Husband”, një shqyrtim i një martese të dështuar që në vitin 2001 i solli autores çmimin prestigjioz britanik “T.S. Eliot”, dhe “The Glass Essay”, një varg poezish elegjiake për vizitën që ajo i bën së ëmës pas vdekjes së të atit.
Ish-bashkëshorti i saj dhe bashkëthemeluesi i librarisë, Adrian King Edwards, vuri në dukje se në shumicën e librave të Carsonit gjendet një fjali e thjeshtë hyrëse: “Anne Carson jeton në Kanada”. Sipas tij, librat e saj rrallë qëndrojnë në rafte më shumë se disa orë, përpara se t’i marrin lexuesit e të gjitha moshave.
“Nga njëra anë, vepra e saj duket sikur i drejtohet një rrethi të ngushtë lexuesish, por, nga ana tjetër, ka kaq shumë njerëz që gjejnë një lidhje me të”, ka deklaruar Brendan Edwards, djali i çiftit.

Nga poezia te piktura dhe teatri
Carson i ka ilustruar vetë kopertinat e disa prej librave të saj, ndër to edhe atë të “Glass, Irony and God”, ku shfaqet një vullkan i gjallë me të kuqe dhe të zezë, si dhe kopertinën e librit më të ri, “Wrong Norma”, me një figurë të vizatuar me dorë që të kujton një kafshë.
Ajo ka shkruar gjithashtu drama dhe ka krijuar performanca artistike. Përkthimi i saj i “Antigonës”, tragjedisë klasike të Sofokliut që daton nga shekulli i 5-të para erës sonë, u vu në skenë me aktoren franceze të shpërblyer me “Oscar”, Juliette Binoche, në rolin kryesor, ndërsa regjisor ishte belgu, Ivo van Hove.
Will Aitken, shkrimtar nga Montreali dhe mik i afërt i Carsonit, shkroi një libër për përvojën e tij si dëshmitar i krijimit të shfaqjes, një përvojë që pati ndikim të thellë tek ai.
“Kjo kishte shumë të bënte me vetë Annen, sepse ajo e përktheu këtë klasik të lashtë në një anglishte të përditshme”, ka thënë Aitken për CBC-në, gjatë pushimeve në Sarajevë. “Ajo di si t’i bëjë gjërat të prekshme dhe të afërta për lexuesit. Di të zhytet pothuajse në çdo gjë, të gjejë thelbin, zemrën e emocionit dhe ta shprehë atë”.
Në mënyrë të ngjashme, Carson ka imagjinuar skena ku poetë dhe personazhe të lashtësisë greke apo romake bisedojnë me njëri-tjetrin ose me personazhe të famshëm të ditëve tona, në një gjuhë të përditshme, duke shprehur shqetësime dhe ankthe tipike të botës moderne.
Në veprën e saj “Norma Jeane Baker of Troy”, ajo vë në skenë biseda mes Helenës së Trojës, Helenës së Spartës, Marilyn Monroes dhe Norma Jeane Bakerit, emri i vërtetë i aktores ikonike, Monroe.
aussi
Prix Nobel pour Anne Carson qui, en écoutant le vent, donne vie à Homère.
“Ajo ka menduar aq shumë për kohën, sa duket sikur mund të ecë përmes saj”, ka deklaruar Victoria Wohl, profesoreshë e studimeve klasike në Universitetin e Torontos. Ajo shtoi se Carson e sjell botën e lashtë në jetë dhe e përdor atë për t’u dhënë zë emocioneve të veta.
Dashuria, malli dhe gjuha
Edhe Wohl mendon se Carson mund të jetë nënvlerësuar si një prej figurave të mëdha të letërsisë kanadeze, megjithëse vëren se fitimi i çmimit më prestigjioz letrar në botë mund ta ndryshojë këtë perceptim. Ajo tregon se u njoh për herë të parë me veprën e Carsonit në vitet ‘90, kur, si studente pasuniversitare lexoi “Eros: The Bittersweet”. Libri shqyrton dëshirën përmes filozofisë dhe letërsisë klasike. Është një nga veprat më akademike të Carsonit, por vazhdon të lexohet gjerësisht.
“Ajo është shumë e interesuar për ‘pothos’, që nënkupton dashurinë e përzier me mallin dhe mungesën. Për këto zbrazëti mes njerëzve, mes fjalëve, mes mënyrave të të kuptuarit”, ka thënë Wohl.
Ajo vlerëson se stili i Carsonit përfaqëson një largim nga mënyra tradicionale e të shkruarit të studiuesve të letërsisë klasike dhe se e ka frymëzuar edhe atë të shkruajë ndryshe gjatë karrierës së saj.
“Në jetën e përditshme, Carson është eterike dhe e një bote tjetër, dhe tek ajo mund të ndjesh shkëlqimin e mendjes dhe krijimtarinë”, ka deklaruar Wohl.
Elizabeth Harvey, profesoreshë emeritus në Universitetin e Torontos, e cila po shkruan një libër për Carsonin, thotë se shkrimtarja ka një humor të thatë, të shprehur me fytyrë serioze, por arrin ta bëjë publikun të qeshë me lot kur flet në publik. Sipas saj, autorja është vetironizuese dhe plot humor.
Të enjten, në përgjigje të një e-maili nga “The Globe and Mail” lidhur me marrjen e “Nobelit”, Carson u përgjigj nga Islanda – ku kalon një pjesë të madhe të kohës me bashkëshortin e saj, Robert Currie – me një fjalë të vetme: “YIKES”, një shprehje që përcjell habi, tronditje apo një lloj shqetësimi të papritur.
Në një intervistë për “The Paris Review” në vitin 2024, Carson tregoi se nga kishte ardhur frymëzimi për titullin e librit të saj, “Wrong Norma”.
“Kur njerëzit më pyesin: ‘Ku dallojnë kanadezët nga amerikanët?’, unë u them: ‘Kanadezët kanë një karakteristikë: janë të sjellshëm, por e kanë gabim’”, ka deklaruar poetja.
Carson është kanadezja e tretë që nderohet me çmimin “Nobel” për letërsi. Triumfi i saj vjen në një kohë kur krijimtaria artistike dhe kulturore e vendit po ngjall kureshtjen e botës dhe po zgjeron horizontet e vetë kanadezëve.
Kryeministri Mark Carney, i cili gjithashtu ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare qëkur mori detyrën vitin e kaluar, e përgëzoi Carsonin në një postim në rrjetet sociale, duke vlerësuar “zgjuarsinë, imagjinatën dhe stilin e saj krejtësisht unik”.
Aitken, miku i saj i ngushtë, bëri shaka duke thënë: “Carney dhe Anne, së bashku e kanë lartësuar jashtëzakonisht imazhin e Kanadasë”.
Carson vazhdon të botojë rregullisht shkrime në “The New Yorker” dhe “London Review of Books”, ku së fundmi ka shkruar për jetën me sëmundjen e Parkinsonit.
“Një simptomë veçanërisht poshtëruese për mua ishte se shkrimi im me dorë u shpërbë. I fshij tërësisht paragrafë të tërë nga turpi”, kishte shkruar nobelistja.
Sa i përket së ardhmes, sipas Harveyt, Carson tashmë po punon për librin e saj të radhës. Aitken vëren se ajo është gjithmonë e zënë me punë. Në shtëpinë e saj ka tri tryeza të ndryshme pune dhe, sipas tij, shpesh punon njëkohësisht në disa vepra arti dhe projekte shkrimore.
aussi
La poétesse Anne Carson remporte le prix Nobel de littérature
Ajo ka shkruar edhe për notin, duke e krahasuar atë me kërkimin e së bukurës. Aitken kujton një pushim që kaluan së bashku në Cape Cod, disa dekada më parë, kur mikja e tij zgjohej çdo mëngjes në orën pesë për të notuar dhe më pas shkruante deri në drekë.
Marrë nga CBC. Përktheu: Edona Binaku