“Autoportreti (1911)” dhe “Lakoonti (1905) i Meshtroviqit, një pikënisje, rastësi apo ndikim për bustin e “Skënderbeut (1939)” dhe “Të Uriturin (1924)” e Paskalit?!
A ishte vallë vërtetë artisti i njohur kroat i shekullit XX, Ivan Meshtroviq, një frymëzim për skulptorët evropianë të kohës?! Mënyra sesi ka ndikuar? Si mund të jenë pikëtakimet e kësaj lidhjeje dhe ndikimi? Për kritikën kroate, kjo s’ka as edhe një mëdyshje. Për punët e shumë artistëve gjithashtu, kjo është e dukshme. Ndikimi i Meshtroviqit vinte prej staturës dhe njohjes botërore që arriti qysh në fillimet e shekullit XX. Në këtë vazhdë, duke njohur disa punë, veç të tjerave të Odhise Paskalit, mjeshtrit tonë të skulpturës, të çojnë realisht në një arsyetim të tillë logjik. Mbase një studim i mëvonshëm i kujdesshëm do të krijonte premisa, kurse dokumentime dhe pohime në arkiva, mund ta afronin argumentin tonë. Tek e fundit, është gati e njëjta tipologji monumentale dhe te skulptorë të tjerë shqiptarë. Dhe, te kryemjeshtri ynë Paskali, figura të spikatura me një dramaticitet të tillë heroik, si ato të skulptorit kroat janë fare të zakonshme.
Nga Meshtroviqi, lidhur me Shqipërinë, kam në kokë vetëm një vizatim të Skënderbeut, me emrin Juraj (Đurđa Kastriota Skanderbega) që e kam hasur në galerinë “Meštrović” në Split. E has pas gati dy orësh këqyrje, mes një grupi vizatimesh dhe, vërtetë më emocionon që heroi ynë ka ngjallur dhe kureshtinë e mjeshtrit. Në fakt, ka një cikël të tërë personalitetesh ballkanike të ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit veç Antikitetit që u bënë frymëzim i tij. Sot, Galeria e Splitit, e vendosur në ish-vilën e tij buzë detit në bulevardin që mban emrin e tij “Ivan Meštrović 46”, përmbledh mbi 190 skulptura në bronz, mermer dhe dru, shpërndarë në kopshte të bukura me tarraca, që hapen përballë detit. Dhe, fare pak njerëz për ta vizituar, e kujtoj me ironi atë çast në Splitin e mbushur me turistë. Kujtoja se nuk do të shihja më kaq shumë punë prej tij, derisa pak ditë më parë, do të gjendem për disa javë në një rezidencë përkthyesish dhe do të këqyr atelienë “Meštrović”. Kjo e fundit është pjesë e muzeut “Ivan Meštrović” së bashku me galerinë “Kaštelet-Crikvina Meštrović” në Split dhe Kishën e Sakramentit të Bekuar në Otavice. Kjo është sot trashëgimia e skulptorit më të madh kroat me famë botërore, Ivan Meštrović, veç paraqitjeve në eksteriere. Atelieja gjendet në Gornji Grad (qytetin e epërm të Zagrebit) dhe koleksioni i tij ruhet në një shtëpi familjare, ku artisti jetoi nga viti 1922 deri në vitin 1942. Me kamjen e tij, ndërtesa e shekullit XVII u adaptua si një atelie nga një shtëpi familjare. Më pas, artisti ia dhuroi godinën Republikës së Kroacisë (asokohe pjesë e ish-Jugosllavisë) së bashku me 300 skulptura guri, bronzi, druri, vizatime, litografi, por dhe mobile të bëra sipas dizajneve të tij. “Bashkoi dy shtëpi dhe këtu ngriti një mur, kur u nda me të shoqen, por gjithsesi e ndihu deri në fund të jetës”, më thotë ciceronia me një buzëqeshje të lehtë, teksa këqyr interesin tim. Gruaja e kujdesshme dhe simpatike ma bën Atelienë të dashur. Veç, një mase dokumentesh fotografike të artistit dhe arkiva personale, por edhe materiale të kolegëve të tij, kushtuar veprës dhe jetës së Ivan Meštrovićit që më bëjnë ta përjetoj këtë figurë madhore. Kur mbetem në një seksion të shtëpisë, ku ai e ndante me studentët, vjen befas zëri i tij në një leksion që më ndjek pa fund për minuta të tëra dhe më bën të mendoj për artin e tij dhe mbi të gjitha kujtesën e shekullit XX.

Befasia dhe “imazhi” i Skënderbeut?
Rikthehem në hollin kryesor, ku është një tavolinë e stërmadhe, të cilën e vëzhgon nga sipër një punë me një figurinë që i largohet Jezu Krishtit dhe ngjan më shumë me Shën Mërinë. Nuk e kuptoj realisht përballjen e autorit me ikonografinë kristiane në këtë punë. Zakonisht Krishti është i përkorë në kryq. “Jo, është diçka tjetër”, më thotë gruaja, “Ivan Meštrović donte ta përshkruante hapësirën qiellore në kuptimin hyjnor dhe t'i bënte homazh jo vetëm Krishtërimit, por edhe feve të mëdha botërore (Judaizmi, Islami, Budizmi, Hinduizmi dhe Konfucianizmi)”. I kërkoj ndikimin e Islamit dhe ku ndodhet, sepse nuk e kuptoj. Ma tregon duke e identifikuar te pjesa kornizuese e dekorimit. “E ke të qartë tani”, shton. “Ai mendonte se të gjitha fetë identifikoheshin njësoj”. E pyes për pjesën monumentale, të cilën e kam hasur ngado, por edhe shumë frymë Rilindje. “Eh, në punët e tij janë profetë dhe personazhe të mëdhenj në stilin e Mikelanxhelos, artistin që e adhuronte, por fut dhe veten e tij, mbase sepse besonte se të dy ishin të frymëzuar nga i njëjti burim hyjnor”. Gruaja gati e adhuron dhe këtë e ndjej në këtë rrëfim. Kur bëhem gati të shmangem, befas shfaqet autoportreti i tij. Ciceronia e pikas. “Është punë e vitit 1911, më thotë pa e kuptuar ngecjen time, “ngjashëm me të gjithë artistët e rangut të tij do e bëj shpesh autoportretin. Tendencën e ka qysh më 1901 dhe do të vijojë deri në vitin 1961, kur për të fundit herë, bën portretin e tij, por shumë rinor, me qëllimin e madh të përcillte imazhin dhe gjendjen e tij të brendshme në materien që punonte”. I vij përreth dhe nga pas dëgjoj zërin e saj. “Puna u realizua në Romë në vitin 1911, gjatë periudhës kur kapi triumfin e madh në Ekspozitën Ndërkombëtare, pasi u blatua me çmimin e parë për skulpturë”. Nuk i flas. Befas nis t’i shpjegoj hamendësinë time. Autoportreti i tij është krejt gati i ngjashëm me “Skënderbeun” parak të Paskalit. Kuptohet pa përkrenaren dhe thellësinë e mprehtë të tipareve. Përballë, po si “Skënderbeu” i kthyer krejt në profil, Meshtroviqi në rininë e tij mban një mjekër të veçantë dhe shpërfaq shprehjen e fortë, identitetin e madh personal, por edhe ndikimet e mjeshtërve evropianë të kohës, veçanërisht të famshmit Auguste Rodin. E vështroj gjatë. “Skënderbeu” ka gati të njëjtën shprehje, por më të theksuar në ikonografinë zyrtare. Kryevepra e Paskalit ka plotësuar vizionin, përfytyrimin dhe është pjesë e asaj që është tashmë pjesë e konfigurimit mental fizik të shqiptarëve. Ngjashmëria e punëve është tejet e madhe, përveç që Paskali ka theksuar mjekrën, vetullat dhe thellësinë e karakterit të tij. Nuk ka shqiptar që me gjithë punët që i janë dedikuar Skënderbeut të donte shfaqje më të mirë vizuale për të se ajo e Paskalit. Ia shpjegoj cicerones, një njohëse e mrekullueshme dhe bashkëbiseduese e mirë. I tregoj për shkollimin, kohën e Paskalit dhe punë të tij. “Ka të ngjarë. Mos harro se: skulptorët e Ballkanit dhe më gjerë e adhuronin Meshtroviqin dhe përmes tij shikonin se ku mund të arrinin”. Busti prej bronzi i Paskalit u vendos zyrtarisht në qytetin e Kukësit më 28 nëntor 1939 për të zëvendësuar një shtatore të Mbretit Zog, hequr pas pushtimit fashist. Prej atij çasti, ky imazh u kthye në standardin vizual identifikues të heroit tonë kombëtar. Puna e parë, kushtuar Skënderbeut, realizuar nga artisti patriot Murat Toptani më 1917, nuk e pati dot këtë peshë. U pëlqye kaq shumë puna e Paskalit, saqë ajo u vendos në Kërçovë (nëntor 1941) dhe Dibër të Madhe (prill 1942) dhe gjendet sot nga Kryeministria deri te Presidenca, kurse kopje të tij zbukurojnë sheshe të komuniteteve shqiptare, si në Horën e Arbëreshëve (Sicili), Gjenevë (Zvicër), Londër, dhe ngado.

Befasia e dytë
aussi
Dans les coulisses de « L’Odyssée » : d’Homère à l’isopolyphonie albanaise
A mund të jetë vetëm ky përngjasim?! Jo monumentaliteti është ajo që i afron, por më shumë se kaq mënyra e këqyrjes së figurave historike të dy skulptorët. Dhe, befas në kopsht, shpërfaqet skulptura "Laokoon mojih dana" (“Laokoon i kohëve të mia” – 1905 në Vjenë). Qysh në realizimin e saj, në hershmërinë e krijimit, “Laokonti” konsiderohej si një kryevepër, që përfshinte fazën simboliste-impresioniste të Meshtroviqit. Puna është realizuar në bronz (dimensionet 125 x 67 x 54 cm). Ndryshe nga çfarë mendohet, autori është larguar nga miti i mirëfilltë i priftit trojan për të eksploruar në mënyrë alegorike dinamikat psikologjike dhe erotike midis gjinive, referon ciceronia. Për kritikën ishte natyralizmi i zakonshëm i Auguste Rodin dhe klima intelektuale vjeneze të fillimit të shekullit në këtë punë, madje duke përfshirë idetë bashkëkohore psikoanalitike. Më duket sikur m’i thotë literatura. “E di që kemi një vepër po të ngjashme edhe pse për fat të keq e kemi dhe se kemi”, i them cicerones. “Ka të ngjarë, të paktën për këto gjëra folëm”, ma kthen ciceronia, kur i them përngjasimin dhe elementët që e dallojnë me “Të Uriturin” e Paskalit. Është një nga veprat më të hershme të tij, me një dramaticitet plot dhimbje, jo si trishtimi pa fund i Lakontit për fundin e një qytetërimi, por dorëzimin nga jeta. Dhe, Paskali e ka përshkruar me një thellësi të jashtëzakonshme vuajtjen. “I urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odhise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare, që u realizua në vitin 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror, kur u mor nga italianët si plaçkë lufte dhe sot besohet se është në ndonjë koleksion privat. Jam xheloz për sivëllain “Laokontin” e Meshtroviqit që e ka një shtëpi dhe ndihem keq për punën e mjeshtrit, që nuk dihet se ku ndodhet. E vetmja gjë, veç një foto të zbehtë është kujtimi i vetë autorit në të gjallë: “Jam frymëzuar nga plaku, që pashë të vdiste nga uria, në ullishtat e Vlorës, në vitet kur shqiptarët iknin nga Pogradeci, Përmeti e qytetet e tjera dhe gjenin strehim në Vlorë, nga ku kishin shpresë të kalonin në Itali. Po punoja këtë portret, që është me madhësi reale, kur nga porta që ishte gjysmë e hapur mu afrua një vajzë 5-vjeçare, tregon ai. Ajo u afrua te puna që po punoja dhe më pyeti: - Ç’ka ky plak që është kështu?
- Është i uritur, i thashë, nuk ka të hajë...”. Epilogu është i mrekullueshëm. Vajza u afrua me një copë bukë dhe iu lut t’ia jepte...

A mund të jenë takuar Paskali me Meshtroviqin?!
Këtë episod plot kujtime e ndaj me ciceronen, por me siguri i them se ka shumë mundësi që Odhise Paskali ta ketë njohur ose të paktën ta ketë takuar personalisht Ivan Meštrovićin. Janë kaq të afërt, megjithëse Paskali ishte shumë më i ri sesa ai. Dokumentet nuk mjaftojnë, por fakti që skulptori juaj ka jetuar në Itali, do të thotë shumë, ma pret. “Paskan qenë dhe në të njëjtat qendra të rëndësishme të artit evropian, sidomos në Itali dhe Francë gjatë viteve 1920–1930”. Duket se këtu është puna e studiuesit dhe fati i ndonjë kujtimi, pasi artistët kanë një periudhë të përbashkët në Itali (vitet '20), ku Paskali jetoi dhe studioi në Torino nga viti 1919 deri në vitin 1927. Duke qenë se asokohe, Ivan Meštrović ishte një nga skulptorët më të famshëm në mbarë Evropën dhe ekspozonte shpesh në Itali (ku kishte jetuar gjatë Luftës së Parë Botërore), do ishte e pashmangshme të ishte jashtë interesit të studentit të ri shqiptar dhe kolegëve të tij. “Meštrović ishte një figurë e pashmangshme referimi dhe jo vetëm për artistin tuaj. Ishte i adhuruar dhe nga vetë Rodin...”, më thotë gruaja. Dhe shton, duke pasur parasysh se artisti juaj konsiderohet si "babai i skulpturës monumentale shqiptare" dhe në periudhën e hershme të artistit shqiptar Meštrović njihej botërisht si mjeshtri absolut i plastikës monumentale në Ballkan, atëherë çfarë ka të paveçantë. Por, stili i Paskalit me linja të forta, heroike dhe me një realizëm të ashpër e dramatik, për një sy ka ngjashmëri të mëdha konceptuale me qasjen heroike-kombëtare që Meštrović përdorte për monumentet e tij kroate dhe ikonografinë jugosllave. Nuk mbaron këtu kjo ngjashmëri. Një kritik kroat Srdjan Kovaçeviq (1933-2009) flet për “Teknikat e Modelimit” të Meshtroviq. Ato përvijoheshin nga balta e gjallë te bronzi, ku të dy skulptorët nuk e kanë gdhendur shpesh gurin, por kanë punuar me modelimin me shto-dhe-ngjesh (clay modeling). Kjo teknikë lejon një liri të madhe shprehëse përpara se vepra të kthehet në metal. Kanë përdorur modelimin me plane të prera (Faceting): Në vend që t’i lëmonin sipërfaqet (si në neoklasicizëm), Paskali ashtu si edhe Meshtroviq i lanë format në plane të prera gjeometrike. Mjekra, mollëzat dhe balli janë ndërtuar me vëllime të forta e thyerje të mprehta drite, te të dy artistët. “Gjurmët e gishtave dhe thikës” janë mbi sipërfaqen e bronzit që mban “kujtesën” e baltës së butë. Mund të shihen qartë goditjet e shpejta të daltës dhe shtypja me gishta, çka i jep veprave një ndjesi dridhjeje, energjie të papërfunduar dhe dramaciteti (tipar i marrë nga Auguste Rodin), referon Srdjan Kovaçeviq. Por kritiku sheh gjëra interesante edhe te “Stilizimi grafik i flokëve” për artistin kroat: Flokët dhe mjekra nuk janë modeluar fije për fije, por janë kthyer në masa bllok me vija ritmike ornamentale. Kjo është një teknikë tipike e Secesionit (Art Nouveau) të cilën Meshtroviq e mbështeti gjerësisht në Vjenë e Romë. Paskali duket se ka të njëjtën linjë ndikimi.

Lidhja me shqiptarët e Meshtroviqit
aussi
« Le fer à cheval » – l’aboutissement d’une doctrine politique serbe envers les Albanais du Kosovo
Në Kalemegdan, kështjellën e kryeqytetit serb, gjendet monumenti ikonik i Beogradit: “Pobednik” (Fitimtari). Ajo është një pikë e shpeshtë e diskutimit dhe e lidhjes së Meštrovićin me shqiptarët. Komentuesit dhe historianët kulturorë shpesh vërejnë se figura mashkullore e stilizuar mban një kapelë minimaliste që i ngjan një plisi tradicional shqiptar (qeleshe) ose një kapelë bariu të lashtë ballkanike, e cila pasqyron fokusin karakteristik të Meštrovićit në traditat folklorike rajonale. Kurse të mos harrojmë se torzoja e tij e Milosh Obiliqit ose Kopiliq (si i thonë shqiptarët), luftëtarit të Fushë Kosovës që vrau Sulltan Muratin I, dhe që ruhet në Beograd, është qasja e tij e dytë direkte, paçka se historiografia serbe e hedh poshtë origjinën e figurës së madhe, por me mungesa dokumentare. Por, autori i këtyre rreshtave ka kapur edhe vizatimin e tij kushtuar Skënderbeut dhe që ruhet në Split, ndërsa ka dëgjuar se Skënderbeu i tij ka qenë në konkurrim në konkursin për ekuestrin e tij para Luftës së Dytë Botërore...

Epilogue
Mendoj se ka fushë të gjerë për një temë të madhe, lidhur me ndikimin e Meshtroviqit për kulturën shqiptare, por përmes tij edhe artin e madh që kanë synuar shqiptarët. Për fat, puna e Paskalit me ngjashmëritë e mëdha të punëve të Meshtroviqit mund të shërbejë si një fillesë. Ciceronia më grish të vij sërish në Atelie. Me gjithë atraksionet në Gornji Grad, ku gjendet Atelie nuk gjej vend më tërheqës. I buzëqesh një polici, që i kërkova ndihmë të ma tregonte Atelienë dhe që nuk e dinte. “Aty, e ke”, i them dhe ia bëj me gisht. “Duhet ta shohësh”, i them. “Po detyra”, më thotë hokatar dhe më tregon një grup turistësh që po mësynë në katedrale.
Été 2026


Ivan Meštrović konsiderohet si skulptori kryesor kroat i shekullit XX dhe një nga më të shquarit evropianë të kohës së tij. Auguste Rodin e quajti Meštrović fenomenin më të madh midis skulptorëve të gjeneratës së tij dhe në vitin 1915 ai u bë skulptori i parë i gjallë që pati një ekspozitë personale në Muzeun “Victoria dhe Albert”. Në vitin 1946 ai u bë gjithashtu artisti i parë i gjallë që ekspozoi në Muzeun Metropolitan të Artit, SHBA. Muzeu “Ivan Meštrović” në Split, Kroaci, realizuar në vitin 1950 vazhdon të mbajë koleksionin më të plotë të punës së skulptorit.
aussi
Textes du « Supplément Culture » de « KOHË Ditore », 16 août 2026
Meštrović lindi në një familje fshatare në Vrpolje dhe gjatë viteve të adoleshencës punoi si praktikant në punishtet e gurgdhendësve në Split, ku mësoi të kopjonte skulpturën klasike greke dhe romake. Në vitin 1901 ai shkoi në Vjenë ku u bashkua me Akademinë e Arteve dhe filloi të bënte kontakt me artistë nga lëvizja në lulëzim e Secesionistëve vjenezë. Në vitin 1905, ai ekspozoi për herë të parë me grupin separatist dhe u njoh për stilin e tij të Art Nouveau. Gjatë qëndrimit në Vjenë që Mestroviqi u takua për herë të parë me Rodinin dhe, në vitin 1908, ai u transferua në Paris (nëpërmjet Italisë) ku mori me qira një studio në Montparnasse. Në vitin 1911, Meshtroviqi jetoi dhe punoi në Romë, së bashku me anëtarë të tjerë kryesorë të avangardës. Po atë vit, ai fitoi çmimin e parë për skulpturë në Ekspozitën Botërore (gjithashtu në Romë), bashkë me Klimtin që fitoi çmimin për pikturë.
Pas Luftës së Parë Botërore, Meshtroviqi u kthye në Jugosllavi, ndërkohë që pati ekspozita të shumta në të gjithë Evropën dhe SHBA. Gjatë kësaj periudhe dhe duke vazhduar midis dy luftërave botërore qëllimet e tij si skulptor filluan të ndryshonin, krahasuar me modernistët e tjerë kryesorë evropianë. Në të vërtetë, Meshtroviqi u shqetësua gjithnjë e më shumë për çështjet rajonale, veçanërisht konfliktet midis kroatëve dhe serbëve që e dëmtonin Jugosllavinë në atë kohë. Asokohe Meshtroviq përdori gjithnjë e më shumë motive fetare në punën e tij, një praktikë që e ndau atë edhe më tej nga një peizazh artistik që favorizonte abstraksionin dhe formën mbi figuracionin dhe rrëfimin. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe një periudhe burgimi të krijuar për ta ndaluar largimin e tij nga Kroacia, Meshtroviq u transferua në SHBA ku iu ofrua një post mësimdhënieje në Universitetin e Sirakuzës. Ai mbërriti në vitin 1947 dhe brenda vitit shfaqi një sërë punimesh të realizuara gjatë viteve të luftës në Muzeun Metropolitan të Artit. Në vitin 1954, në një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Meshtroviq u bë shtetas amerikan. Ai u kthye vetëm një herë në Jugosllavi, në vitin 1952, duke sjellë me vete pesëdhjetë e dy skulptura të destinuara për hapësira dhe projekte të ndryshme ekspozitash, si dhe duke ia transferuar tokën e tij private pranë Splitit shtetit jugosllav. Tani aty ndodhet galeria “Meštrović”, ku mbi 400 nga veprat e tij janë të ekspozuara përgjithmonë. Meshtroviq vdiq në vitin 1962 në South Bend, Indiana.