Më vërshuan idetë. Propozimi i presidentit serb ishte frymëzues. Hap shumë mundësi për shqyrtim. Për shembull, BE-ja mund të ndërrojë rrjedhën e Danubit, Mali i Zi atë të lumit Drina. Është çmenduri, do të thoni. Por mos u ngutni. E pse jo? Përse të mos shqyrtohet si ide. I thonë “brainstorming”. Ta zëmë se Serbia e ndërroi rrjedhën e Ibrit, Kosova duhet të kërkojë nga Mali i Zi të devijojë Ibrin direkt në Kosovë. Së paku ta shqyrtojë si ide... të thërrasë ekspertë. Ideja e z. Vuçiç është gjeniale. E tillë duhet të jetë, derisa askush më herët nuk e ka përmendur. Paramendojeni si do të lëvizte (gjeo)politika. Serbia nuk do të kishte më 2800 MWh nga Danubi, as 1300 MWh nga Drina, pra do të varej nga tregu i energjisë, nga rrethina, ndoshta do të blinte energji nga ne, nga parku ynë solar apo nga turbinat me erë.
Edhe Bashkimi Evropian, tash pas ndryshimeve në qeverinë hungareze, e ka më lehtë ta shqyrtojë një vendim kaq strategjik, i cili do t’ia ndërronte vetë natyrën mesjetare të shtetit serb dhe politikës së tij. Nuk jam ekspert, por me logjikën e shëndoshë të zotit Vuçiç, mund të vijmë në përfundim se Danubi mund të devijohet kah jugperëndimi, nëpër Kroaci e... në Adriatik, ose kah veriu, në Baltik. I forti, edhe ujin e bën me ecë përpjetë.
Edhe NATO-ja mund të kontribuojë, duke kërkuar nga Mali i Zi, që është pjesë e aleancës, të shqyrtojë projektin e ndërrimit të rrjedhës së lumit Drina, i cili në fakt i jep Serbisë primatin energjetik në rajon. Thjesht, duhet t’i kërkojë që ta kthejë në jug lumin Drina dhe... hidrocentralet mbi lumin Drina ndalen. Edhe Edi Rama nuk duhet ta marrë me mendjelehtësi këtë ide. Koketimi me presidentin Vuçiq, për arsye të panjohura deri më tash, mund ta rrezikojë edhe rrjedhën e lumit Drini i Zi, i cili buron në Kosovë, por mund të devijohet kah të dojë Albini. Së paku mund të shqyrtojë çdo ide. Ai është edhe ekspert. Por, vërtet mendoni se presidenti serb është çmendur? Nuk është çmendur. Po merr iniciativën. Po përpiqet. Në Serbi e përqeshin, në Ballkan e urrejnë (përveç Edit që nuk urren askënd), ndërsa në botë e injorojnë. E ulin pas dere. Hallin e ka për urat mbi Ibër. U kujtua dikush dhe i shkroi email NATO-s, dhe NATO-ja u kujtua, u kujtua dhe vërtet e kuptoi që kjo më nuk ka kuptim. E hoqi KFOR-in nga ura. Dikur, serbët në ikje i kishin vënë barrikadat mbi urën e Ibrit. Shteti serb, i ikur nga Kosova, kishte hequr uniformën dhe ishte rehatuar në Veri. Me përkrahje ndërkombëtare kishte vendosur një kufi në Ibër. Mitrovica e Jugut nuk komunikonte më me atë të Veriut përpos me lejen e KFOR-it, UNMIK-ut. Biznesi në zi lulëzonte, ndërkaq interesi ishte i të gjitha palëve në politikë që konflikti të jetë i përhershëm, i pazgjidhshëm. Pra, NATO-ja e mori emailin dhe e kuptoi që qëndrimi i mëtejmë i KFOR-it mbi urën e Ibrit ishte bërë qesharak, pasi tashmë po funksiononin ura të tjera që nuk ishin pjesë e marrëveshjeve të negociuara nga ngatërrestarët e UNMIK-ut dhe interesat informale serbe e shqiptare. Me heqjen e barrikadës, humbi edhe simbolikisht kontrolli i serbëve mbi veriun dhe kontrolli i Vuçiç mbi serbët e veriut. Presidentin serb nuk e çmendi humbja e Ujmanit, por humbja e kontrollit, iniciativës. Përmes krijimit të problemeve, Serbia impononte zgjidhje që e fuqizonin në Kosovë. Ajo që ka ndryshuar nga 2020 është pikërisht kjo: problemet më nuk po i krijon vetëm Serbia, por edhe shteti i Kosovës duke e shtrirë sovranitetin. Kuptohet, kjo nuk është problem për askënd tjetër përveç për Serbinë, e cila i ka humbur tashmë mundësitë të bllokojë Kosovën nga brenda. Serbët kanë mbetur brenda, pa Serbinë. Integrimi i serbëve në jetën publike të Kosovës është fitore për Serbinë demokratike, por e rrënon mitin e Kosovës dhe Serbinë mesjetare në Beograd. Presidentin serb më askush nuk po e merr seriozisht në Serbi e as në Evropë. Për të marrë vëmendjen dhe iniciativën u desh të thoshte vërtet diçka... kundër natyrës. E mori? Në rregull, po e mbyll me kaq. E kuptoj nëse devijimi i Danubit paraqet vërtet problem për shkak të ujërave të bollshme, por e dashur BE, lumi Drina mund të devijohet ende pa u bërë aq i fuqishëm. Edhe Ibri mund të devijohet nga jugu qysh në Mal të Zi, pa hyrë ende në Serbi. Ndërsa ne, për inat të Edit, mund të devijojmë Drinin e Zi... drejt Sitnicës. E di, nuk jam ekspert. Nuk është as presidenti serb, por Albini është...
- L'heure est aux chemins de fer
- Le fleuve Ibar devrait apporter de l'eau, pas des politiques nationalistes.
- La présidence réduite : comment la Cour constitutionnelle a restreint le pouvoir présidentiel et transformé la dissolution de l'Assemblée en un outil politique
- Du droit international à la Constitution et pourquoi une véritable démocratie a besoin d'une interprétation de bonne foi
- La culture constitutionnelle comme condition du fonctionnement de la République