Soutenez TIME. Préservez la vérité.
militaire

Kuka prend position sur les naturalisations douteuses dans le sport

Emily et Brian Ibanez Guerrero

Emily dhe Brayan Ibanez Guerrero i fituan plot gjashtë medalje në Kampionatin Evropian për juniorë dhe U23 në peshëngritje. Pos kësaj i vendosën edhe shumë rekorde.

Emily e Brayan janë motër e vëlla. Asgjë e pazakontë. Ata janë pjesë e një familjeje sportive, me nënën e babain të suksesshëm në peshëngritje. 

Por garojnë për Kosovën. Dhe kjo solli shumë diskutime së fundi.

Babai i dy peshëngritësve “të Kosovës” është nga Kuba. Madje është krenar që është nga Kuba. Nëna e tyre është nga Spanja. Emily e Brayan për kohë të gjatë kanë jetuar në Kanada dhe kanë garuar për këtë vend. Më pas bënë përpjekje e presion për të garuar për Spanjën, vendin ku janë të lindur. Por Spanja nuk ua ofroi këtë mundësi dhe ata përfunduan duke garuar për Kosovën. Si ndodhi kjo, nuk është plotësisht e qartë. 

Por dy peshëngritësit tashmë kanë pasaporta të Kosovës dhe garojnë për Kosovën. Madje i fituan plot gjashtë medalje evropiane, prej tyre katër të arta. 

Edhe më dramatike bëhet situata nëse për bazë merret që peshëngritja është sport i pazhvilluar në Kosovë. Pra janë natyralizuar sportistë në një sport që Kosova nuk e ka fare të zhvilluar. I natyralizuar është edhe peshëngritësi iranian Kianoush Rostami, që tashmë ka fituar medalje mesdhetare për Kosovën.

Të mërkurën për këtë temë reagoi edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Është më kompetenti për reagime të tilla në fakt. Nxënësit e tij, të lindur e të rritur në Kosovë, i kanë pesë medalje olimpike, tri prej tyre të arta. I kanë edhe dhjetë medalje botërore dhe shumë më tepër medalje evropiane. 

Kuka e vlerëson të papranueshëm faktin që pasaporta të Kosovës t’u jepen edhe fëmijëve. 

Emily Ibanez Guerrero është vetëm 15-vjeçare. Vëllai i saj është 19-vjeçar. Sipas dokumentacionit, që Emily të pajiset me pasaportë të Kosovës, fillimisht shtetësia e Kosovës i është dhënë nënës së saj, që është trajnere. 

“Mungesa e rezultateve në Kosovë po krijon situata që po shkojnë në drejtim të tmerrshëm për gjeneratat e reja, në të gjitha sportet. Po shohim natyralizime edhe të fëmijëve, që normalisht nuk lejohet me ligj të shtetit tonë. Dhe kjo më pas po paraqitet si e arritur e madhe. Kjo nuk do të duhej të ishte strategji e Ministrisë dhe as e KOK-ut”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka të mërkurën.

Në fakt edhe në xhudo për Kosovën kishte garuar një japonez disa vjet më parë. Ai vetëm i bashkua në ekipin tashmë të suksesshëm të Kosovës. 

Kuka e di që natyralizimi i sportistëve, përkatësisht kalimi i tyre nga një vend në tjetrin, nuk mund të përjashtohet plotësisht. Por kërkon kritere të qarta. Një pjesë e vendeve të botës, sidomos ato arabe, marrin sportistë të gatshëm nga vende të tjera. Pra nuk angazhohen për zhvillimin e tyre dhe të sportit, por përmes sportistëve të gatshëm arrijnë suksese. 

Kuka kërkon që ky trend të mos paraqitet në Kosovë, ndonëse ai sheh tendencë për një gjë të tillë.

“E kuptoj që ka dhe do të ketë natyralizime. Kjo duhet të bëhet me kritere shumë të qarta dhe nëse një sport ka nivel dhe të shihet si përforcim i ekipit. Kosova ka fëmijë të mirë dhe Majlinda, Nora, Donjeta, Akili e shumë të tjerë e kanë dëshmuar”, ka shkruar Kuka.

Ai ka kërkuar krijimin e Këshillit Kombëtar të Sportit për të vendosur prioritetet dhe strategjinë e qartë për zhvillimin e sportit. 

Pos në peshëngritje edhe në disa sporte të tjera janë afruar sportistë nga vende të tjera. Kjo vlerësohet edhe mbulesë e mospunës për zhvillimin e sportit në vend.