Soutenez TIME. Préservez la vérité.
militaire

Kroatit Hrgoviq titulli i kampionit, yllit në ardhje mësimet e duhura

Filip Hrgovic

Filip Hrgoviq ka ofruar paraqitje të guximshme, e deri diku edhe të pabesueshme, për të ndalur Moses Itauman në raundin e nëntë në meçin për titull të botës. Dhe është bërë kampioni i parë i botës nga Kroacia në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Meçi për titullin në versionin IBF është zhvilluar në orët e para të së dielës në Londër.

Me boksierin e tij të rraskapitur dhe të mbështetur pas litarëve, trajneri i Itaumas, Ben Davison, hodhi peshqirin në raundin e nëntë, ndërkohë që gjyqtari në ring po i jepte fund meçit plot aksion në “O2 Arena”. Kështu titulli në versionin IBF, që ishte vakant, i takoi kroatit.

Itauma u largua nga arena me barelë dhe u dërgua në spital.

Hrgoviqi vlerësoi rivalin e tij pas ndeshjes së mundimshme.

“Ai është luftëtar i mrekullueshëm. Dua ta falënderoj që pranoi këtë ndeshje, që më dha mundësinë të bëhem superyll i ri në kategorinë e rëndë”, tha Hrgoviq. “Unë jam e tashmja dhe ai është padyshim e ardhmja”.

Itauma është 21-vjeçar dhe shpresonte të bëhej kampioni i dytë më i ri në histori në kategori të rëndë, pas Mike Tysonit. Ai doli furishëm në ring, duke shfrytëzuar kryesisht shpejtësinë. Hrgoviqit iu numërua në raundin e dytë. Në fakt kroati ka vuajtur gjatë gjithë raundeve. Por, i njohur për qëndrueshmërinë, mbeti në këmbë, duke u rezistuar goditjeve të panumërta të britanikut. 

Dhe në raundin e tetë, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për ta rrëzuar kroatin, lodhja e Itaumas doli në pah. Në raundin e nëntë ai po lëkundej derisa qëndronte në këmbë dhe kroati shfrytëzoi rastin. Me goditje e shtyrje e detyroi Itauman të mbështetej në litarë dhe të lëshonte duart. Itauma nuk kishte më asgjë për të dhënë dhe meçit i erdhi fundi në të mirë të kroatit. 

Hrgoviqi nuk është llogaritur shumë para meçit, njëjtë si gjatë gjithë karrierës së tij. Ai ka pasur karrierë të suksesshme në boksin amator dhe e ka vetëm një humbje në boksin profesionist, nga Daniel Dubois. 

Të gjithë e prisnin fitoren e yllit në ardhje, Itauma, por rezistenca e kroatit ishte vendimtare. 

Deri në raundin e nëntë britaniku ishte dominant në fushë, falë shpejtësisë, mprehtësisë dhe aftësive të boksit. Ka goditur vazhdimisht kroatin 34-vjeçar. Por pa mundur ta nokautojë dhe pa qenë i gatshëm që t’u shkojë në fund 12 raundeve.

Talenti i Itaumas është konfirmuar në këtë meç. Por po ashtu mungesa e kondicionit dhe përvojës për të qëndruar 12 raunde në ring, në një meç me kundërshtar të fortë. 

Kroati i ka këto. Ai fitoi medalje të bronztë olimpike, bëri 12 raunde me gjigantin Zhilei Zhang dhe ishte duke udhëhequr ndaj Daniel Dubois para se ndeshja të ndërpritej për shkak të lëndimeve që kishte pësuar. Hrgoviqi ka 21 fitore e një humbje në karrierë. 16 prej fitoreve i ka me ndërprerje.

Kroati fitoi edhe luftën psikologjike me Itauman para meçit, duke u thirrur vazhdimisht në moshën e tij të re dhe rrugën e lehtë deri te lufta për titull.

Hrgoviq e dinte se si është të lodhesh e të lëndohesh, por të vazhdosh të qëndrosh në këmbë. Itauma nuk e dinte këtë.

Ruandi i tetë ishte vendimtar. Itauma dha goditje si në asnjë raund tjetër dhe mbeti pa energji. 

“Ai po godiste shumë. Luftonte si amator”, tha Hrgoviq më pas. “E dija që duhej të duroja. Duhej të qëndroja aty. Ai do të lodhej dhe unë do të merrja raundet e fundit”.

Fakti se Itauma nuk ka bërë kurrë 12 raunde, madje as në stërvitje, erdhi në shprehje. Hrgoviqi me përvojë ka një këshillë për boksierin e ri.

“Mos u dorëzo. Mos e humb besimin. Merr disa ndeshje të lehta, fitore të lehta. Ndërto përsëri dhe mëso nga këto gabim. Nuk mund të boksosh si amator. Është ndeshje e 12 raundeve, duhet të kesh ritmin tënd”, është këshilla e kroatit. 

Itauma përfundimisht mori mësimin. Dhe mbetet të shihet si do të reagojë.