Për vite me radhë, nxirja u konsiderua simbol i shëndetit dhe mirëqenies. Por në ditët e sotme dihet se ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) rrit ndjeshëm rrezikun e djegieve, plakjes së parakohshme të lëkurës dhe kancerit të lëkurës, ka shkruar BBC.
Megjithatë, shmangia totale e diellit nuk është zgjidhje. Ekspozimi i moderuar mund të ndihmojë trupin të prodhojë vitaminë D dhe të ketë ndikim pozitiv në humor, gjumë dhe shëndetin e përgjithshëm.
Pse kemi nevojë për diell?
Rrezet e diellit ndihmojnë trupin të prodhojë vitaminë D, e cila është e rëndësishme për eshtrat, muskujt dhe funksionimin normal të sistemit imunitar.
Ekspozimi ndaj dritës së ditës mund të ndikojë gjithashtu në humor dhe shëndet mendor, gjumë më të mirë, vigjilencë, përqendrim, shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut si dhe funksionimin e sistemit imunitar.
aussi
Comment éviter la dépression saisonnière, selon l'expert qui l'a découverte
Drita e mëngjesit ndihmon orën biologjike të trupit të kuptojë se ka ardhur dita. Ajo ndikon në hormonet që na mbajnë zgjuar gjatë ditës dhe na ndihmojnë të flemë natën.
Një studim me më shumë se 360 mijë njerëz gjeti se rreth një orë e gjysmë ekspozim ndaj dritës së ditës lidhej me rrezik më të ulët të zhvillimit të demencës.
Sa diell na duhet?
Nuk ekziston një kohë e vetme që vlen për të gjithë. Nevoja ndryshon sipas ngjyrës së lëkurës, moshës, vendit ku jetojmë, stinës dhe nivelit të rrezatimit UV.
Sipas profesoreshës Rebecca Mason pak dhe shpesh është më mirë.
Për njerëzit me lëkurë të çelët, disa minuta ekspozim në diell në pjesë të trupit si duart, krahët ose këmbët mund të jenë të mjaftueshme në shumë raste për ta nxitur prodhimin e vitaminës D.
Njerëzit me lëkurë më të errët mund të kenë nevojë për më shumë kohë, sepse melanina mbron lëkurën, por njëkohësisht ngadalëson prodhimin e vitaminës D nga dielli.
Një studim në Britani sugjeroi se njerëzit me lëkurë kafe të errët mund të kenë nevojë për rreth 25 minuta ekspozim në mesditë gjatë pranverës dhe verës për të prodhuar mjaftueshëm vitaminë D.
Por këto nuk janë rregulla universale. Nuk duhet të qëndrojmë në diell derisa lëkura të skuqet apo të digjet.
Kujdes me rrezet UV
Indeksi UV tregon sa i fortë është rrezatimi ultravjollcë. Sa më i lartë indeksi, aq më i madh është rreziku për dëmtimin e lëkurës.
Personat me lëkurë shumë të çelët, shumë nishane ose histori personale apo familjare të melanomës duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm.
aussi
Quatre choses qui peuvent vous aider à mieux gérer vos maux de tête
Ekspertët rekomandojnë që ekspozimi të jetë i shkurtër dhe i kontrolluar, ndërsa për periudhat më të gjata në diell duhet përdorur mbrojtje: rroba, kapelë, syze dielli dhe krem mbrojtës.
“Ne kemi nevojë vetëm për sasi të vogla deri të moderuara të diellit për të pasur shëndet të mirë”, ka shpjeguar profesoresha Joann Manson.
Ajo ka theksuar se ekspozimi i gjatë dhe i pambrojtur duhet shmangur, sidomos gjatë orëve me rrezatim të fortë.
Çka ndodh nëse marrim shumë diell?
Më shumë diell nuk do të thotë më shumë vitaminë D.
Ekspozimi i tepërt rrit rrezikun për djegie nga dielli, njolla dhe dëmtime të lëkurës, plakje të parakohshme, kancer të lëkurës dhe dëmtime të syve, përfshirë kataraktet.
Melanoma, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, është në rritje në shumë vende. Një pjesë e madhe e rasteve lidhet me ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve UV dhe përdorimin e solariumeve.
Fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbrohen, sepse ekspozimi i fortë ndaj diellit dhe djegiet në moshë të re mund të ndikojnë në rrezikun e kancerit të lëkurës më vonë.
Po nëse nuk marrim mjaftueshëm diell?
Mungesa e dritës së diellit, sidomos gjatë dimrit, mund të kontribuojë në nivele të ulëta të vitaminës D.
Rreziku është më i madh për njerëzit që kalojnë shumë pak kohë jashtë, kanë lëkurë të errët, mbulojnë pjesën më të madhe të trupin e që jetojnë në vende me pak diell gjatë dimrit.
aussi
Les médicaments pour la perte de poids peuvent également réduire les envies d'alcool.
Mungesa e zgjatur e vitaminës D mund të dëmtojë eshtrat dhe muskujt. Në këto raste, vitamina D mund të merret edhe përmes ushqimit ose suplementeve, sipas nevojës dhe këshillës së mjekut.
Sipas ekspertëve, çelësi është ekuilibri, ekspozim i shkurtër dhe i rregullt ndaj dritës së diellit, pa e lënë lëkurën të digjet, dhe mbrojtje kur ekspozimi zgjatet ose indeksi UV është i lartë.