Vitet e fundit është bërë shumë popullore ideja se duhet të shmangim me çdo kusht “pikat” e sheqerit në gjak. Disa njerëz përdorin edhe pajisje që matin vazhdimisht glukozën, ndërsa të tjerë shmangin ushqime si buka, makaronat dhe orizi i bardhë, ka shkruar BBC.
Por sipas ekspertëve jo çdo rritje e sheqerit në gjak është e dëmshme. Rritja e përkohshme e sheqerit në gjak pas ushqimit është normale. Problemi shfaqet kur nivelet mbeten të larta për një kohë të gjatë.
Pse rritet sheqeri në gjak?
Kur hamë ushqime që përmbajnë karbohidrate ose sheqerna, trupi i shndërron ato në glukozë, e cila kalon në gjak. Si përgjigje, pankreasi prodhon insulinë, hormon që ndihmon glukozën të kalojë nga gjaku në qeliza, ku përdoret për energji.
Edhe aktiviteti fizik intensiv mund ta rrisë përkohësisht sheqerin në gjak, pasi hormonet si adrenalina nxisin mëlçinë të çlirojë më shumë glukozë për t’u dhënë energji muskujve.
Te personat me diabet, trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë si duhet. Për këtë arsye, sheqeri në gjak mund të mbetet shumë i lartë dhe kërkon monitorim dhe trajtim të përshtatshëm.
Një rritje e përkohshme është normale
Te njerëzit e shëndetshëm, rritja e sheqerit pas ushqimit është reagim normal i organizmit.
“Keqkuptimi më i madh është ideja se çdo rritje e glukozës është e dëmshme”, ka thënë Adrian Brown, profesor në University College London.
Zakonisht, niveli i sheqerit në gjak arrin kulmin rreth një orë pas ushqimit dhe më pas fillon të kthehet në nivelin normal.
Sipas ekspertëve, nëse rritja është e përkohshme dhe organizmi e rikthen sheqerin në nivele normale, nuk ka arsye për panik.
Shqetësimi lind kur sheqeri në gjak mbetet i lartë për një kohë më të gjatë. Kjo mund të jetë shenjë se organizmi nuk po e rregullon si duhet glukozën dhe mund të lidhet me rezistencën ndaj insulinës, paradiabetin dhe diabetin e tipit 2.
A kanë nevojë të gjithë për pajisje që matin sheqerin?
Njerëzit me diabet përdorin shpesh pajisje që monitorojnë vazhdimisht glukozën. Por këto pajisje po përdoren gjithnjë e më shumë edhe nga persona të shëndetshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se njerëzit pa diabet zakonisht nuk kanë nevojë t’i përdorin këto pajisje. Një studim tregoi se personat pa diabet kishin nivele të shëndetshme të sheqerit në gjak rreth 96 për qind të kohës.
Disa studiues shqetësohen gjithashtu se monitorimi i vazhdueshëm mund t’i bëjë njerëzit të ndryshojnë në mënyrë të panevojshme ushqyerjen ose të shqetësohen për ndryshime normale të glukozës.
Nuk ka nevojë të hiqni dorë nga karbohidratet
Edhe pse një vakt me shumë karbohidrate mund ta rrisë më shpejt sheqerin në gjak, kjo nuk do të thotë se duhet t’i eliminoni karbohidratet nga dieta.
Një mënyrë më e mirë është të krijoni vakte të balancuara, me proteina, perime dhe ushqime të pasura me fibra, drithëra integrale e yndyra të shëndetshme.
Këto ushqime mund të ngadalësojnë tretjen, t’ju mbajnë të ngopur më gjatë dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një peshe të shëndetshme.
Studimet sugjerojnë gjithashtu se ngrënia e proteinave dhe perimeve para karbohidrateve mund të zvogëlojë rritjen e sheqerit në gjak pas vaktit.
Çdo organizëm reagon ndryshe
Nuk ekziston një reagim identik ndaj ushqimit. I njëjti ushqim mund të ndikojë ndryshe te njerëz të ndryshëm, madje edhe te i njëjti person në ditë të ndryshme.
Gjumi, stresi, aktiviteti fizik dhe përbërja e vaktit mund të ndikojnë në mënyrën se si ndryshon sheqeri në gjak.