Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Lifestyle

Une photo du visage d'une personne peut-elle révéler à quel point elle est malade ?

Selfies

Një fotografi e thjeshtë e fytyrës mund të ndihmojë inteligjencën artificiale të vlerësojë gjendjen shëndetësore dhe mbijetesën e pacientëve me kancer. Ky është përfundimi paraprak i një studimi nga studiues amerikanë, të cilët po zhvillojnë një teknologji që në të ardhmen mund t’i ndihmojë mjekët të marrin vendime më të sakta për trajtimin e pacientëve, ka shkruar BBC.

Mjeti i inteligjencës artificiale, i quajtur “FaceSurvival”, është trajnuar me miliona fotografi të personave të shëndetshëm dhe rreth 35 mijë fotografi të pacientëve me kancer. Sipas studiuesve, sistemi analizon tipare të caktuara të fytyrës, sidomos zonën poshtë syve dhe rreth urës së hundës, për të vlerësuar mundësinë e mbijetesës së pacientëve.

Analizat janë kryer te persona me lloje dhe shkallë të ndryshme të kancerit, përfshirë raste kur sëmundja ishte përhapur në eshtra ose në tru.

Mjekët aktualisht përdorin ekzaminime, analiza dhe teste të ndryshme për të vlerësuar gjendjen e pacientëve dhe për të përcaktuar trajtimin më të përshtatshëm.

Studiuesit synojnë që inteligjenca artificiale të shërbejë si një mjet shtesë, sidomos kur duhet të vendoset nëse një pacient mund t’i përballojë trajtimet intensive, si ndërhyrjet kirurgjikale, radioterapinë apo trajtimet me barna.

“Qëllimi ynë është që vlerësimi i shëndetit përmes fotografive të fytyrës të jetë më i saktë, më i qëndrueshëm dhe më i lehtë për t’u përdorur, në mënyrë që të ndihmojë në vendimmarrjen për trajtimin individual të pacientëve, pa zëvendësuar gjykimin e mjekut”, ka shpjeguar studiuesi kryesor, doktori Raymond Mak.

A mund të zbulojë fytyra edhe ritmin e plakjes?

Ekipi po studion gjithashtu një mjet tjetër, të quajtur “FaceAge”, i cili synon të vlerësojë moshën biologjike të një personi, pra sa i moshuar duket organizmi i tij, dhe jo vetëm moshën sipas datëlindjes.

Sistemi analizon rrudhat dhe tipare të ndryshme të fytyrës, përfshirë zonën rreth gojës, ballin, tëmthat dhe faqet.

Sipas studiuesve, disa zakone, si konsumimi i tepërt i alkoolit, përdorimi i drogave dhe pirja e duhanit, mund të përshpejtojnë procesin e plakjes.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto teknologji janë ende në zhvillim dhe nevojiten studime më të gjera, me fotografi nga njerëz të etnive dhe grupeve të ndryshme, për të vërtetuar saktësinë e tyre.

Profesori Miroslaw Bober, ekspert në përpunimin e videove dhe inteligjencën artificiale në Universitetin e Surreyt në Britani, e ka cilësuar kërkimin si premtues, por ka theksuar se teknologjia nuk është ende gati për përdorim klinik.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se parashikimi i një rezultati nuk do të thotë domosdoshmërisht se mund të shpjegohen arsyet që e shkaktojnë atë.