Rrugët e sheshet e Prishtinës kanë vërshuar nga qytetarët në 29-vjetorin e protestave studentore kundër represionit të Serbisë në Kosovë. Këtë herë është protestuar kundër vendimit të Speciales, me të cilin ka dënuar udhëheqësit e UÇK-së, e cila udhëhoqi rezistencën e armatosur ndaj Serbisë. Organizatorë të protestës dhe të tjerët që iu drejtuan masës, akuzuan ndërkombëtarët për njollën që thanë se ia kanë vënë luftës për liri
Me tensione është përmbyllur protesta “Jo në emrin”, në të cilën kanë marrë pjesë mijëra qytetarë për të kundërshtuar verdiktin e Gjykatës Speciale, me të cilin u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Pas përfundimit të fjalimit të Çlirim Hazirit, i cili është një prej organizatorëve të protestave që mbahen secilën natë që nga aktgjykimi, disa qytetarë ia mësynë oborrit të Qeverisë, por rrugës u ndaluan nga policia.
Pas kësaj, Haziri mori sërish fjalën duke thënë se protestuesit nuk kanë problem me policinë. Ai njoftoi se bashkë me disa fëmijë të dëshmorëve do të lënë te ndërtesa e Qeverisë uniformën e UÇK-së dhe dosjet me përmbajtje të ndryshimeve të propozuara të Ligjit për Gjykatën Speciale.
Haziri, gjatë fjalës së tij, i është drejtuar edhe babait që ende figuron i zhdukur që nga lufta: “Babë, ma mirë pa ty, se pa atdhe”.
Ai ka deklaruar se 1 tetori është zgjedhur si ditë për të protestuar për shkak se si datë simbolizon qëndresën kur studentët në të ’90-at dolën për të protestuar për universitetin dhe të drejtën për të qenë të lirë në vendin e tyre. Përzgjodhi të rinjtë, për ta përçuar mesazhin.
“Si djali i një njeriu që dha jetën për këtë vend ju them: Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tim, sepse kur iu shoh të lirë e në këmbë, duke mos harruar se nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton te ju”, tha gjatë fjalës së tij Haziri.
Ai ka bërë thirrje te të rinjtë që të vazhdojnë ta ngrenë zërin kundër verdiktit të Speciales.
“Ju nuk e keni parë luftën me sy, por jeni rritur me lirinë qe doli prej saj. Ju jeni brezi qe keni fitoren me të freskët... Ndoshta pikërisht për këtë, kjo rini nuk e ndien përkuljen, frikën dhe heshtjen kur mendon që po i bëhet padrejtësi vendit të vet, sepse ju nuk jeni rritur në robëri, por jeni rritur në liri”, ka thënë Haziri. “Unë nuk e pata fatin për ta pyetur babanë tim se ‘çka bane babë kur u shkel dinjiteti i Kosovës’, por ma tregoi gjaku i tij. Ma tregoi liria në të cilën u rrita. Sot ata janë në Hagë e sot drejtësia duhet të flasë me prova, ligj dhe standarde të drejta. Ndërkohë që ata po mbahen atje, një propagandë e heshtur po zvarritet si krimb në opinionin tonë”.
Masës i është drejtuar edhe mjekja Lavdije Leci, e cila është vajza e Lec Gradicës, doktorit që është vrarë në luftë dhe i cili e kishte kthyer në spital shkollën e Gradicës së Drenasit.
Ajo ka kërkuar drejtësi për katërshen e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, çmimi për të cilën popullit të Kosovës po i kushton ende.
Gjatë fjalës së saj në protestë, ajo ka thënë se liria është e drejtë themelore e çdo njeriu, për të cilën tha se ka rënë edhe babai i saj.
“Ende po orvatemi t’i dëshmojmë gjithë botës se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë. Liria është e drejta themelore e çdo njeriu në botë. Ndërsa neve shqiptarëve na u desh që të paguajmë aq shumë. Ky çmim duket aq i lartë sa neve po na kushton ende. Edhe babi si shumë liridashës iu përgjigj kushtrimit të atdheut me të vetmin qëllim – lirinë e vendit tonë”, ka thënë doktoresha Leci. “Duam drejtësi për familjet tona, duam drejtësi për çlirimtarët”.
Protestës i janë adresuar edhe folës të tjerë.
Fjalimet kanë nisur me atë të përfaqësuesit të Platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli. Ai ka komentuar edhe vizitën në Kosovë të presidentes së Komisionit Evropain, Ursula von der Leyen, po të enjten.
“Ne i themi që besojmë në vlerat e Evropës, por nuk besojmë në dystandardësi kur flitet për drejtësi. I themi: Jo në emrin tonë”, ka thënë ai para masës.
Tasholli ka theksuar se protesta e organizuar në Prishtinë tejkalon partitë politike.
“Jemi mbledhur sot me sebep të madh. Jemi mbledhur për ju. Jemi mbledhur për UÇK-në. Jemi bë bashkë për të çuar mesazh të rëndësishëm. S’u bëmë bashkë për shkak të partive, jo për shkak të mitingjeve të caktuara, por për ju, sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, ka thënë Tasholli në nisje të protestës. “Secili brez dha djersën. Themeli është i shumë gjeneratave. UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se qysh sot po na servohet si drejtësi, kemi arsye të madhe që të themi se duam drejtësi të barabartë, të drejtë e ato vlera që BE-ja na ka mësuar gjatë gjithë kohës”.
Ndërkaq, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka kërkuar që në shkallën e Apelit të lirohen ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka thënë se verdikti dënues është njollë për Kosovën, por edhe për ndërkombëtarët.
“Ne jemi edhe anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale nga 16 shtatori. Një Gjykatë që nuk e di çka ka ndodhur këtu në vitet 1998-1999, turpi i mbuloftë kudo që janë ata. Nga ky shesh ju themi (ndërkombëtarëve) hiqeni këtë njollë prej jush edhe prej nesh. Hiqeni përmes Apelit. Si mund të jenë me të rëndësishme dëshmitë prej Serbisë se dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë”, ka thënë Syla.
Ndërkaq, ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, gjatë fjalës së tij, u është drejtuar deputetëve dhe ndërkombëtarëve me nga një kërkesë.
“Dy gjana i kam. E para, 100 deputetet që jeni atje, secili me përgjegjësinë e vet, ju thërrasim për bashkim. Ndërsa për ndërkombëtarët që iu besuam sepse na ndihmuan në luftën e UÇK-së, bashkë fituam, por na keni tradhtuar dhe kthena besimin. Prandaj këtu ju thërras: ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbulim të krimeve patjetër, sepse shumë të tjerë po tentojnë ta keqpërdorin. Kosova ka ngritur institucione, ka njerëz profesionistë që drejtësinë e çojnë në vend. Ndërkombëtarë, nuk mund të na mashtroni se janë raste individuale”, ka thënë Haradinaj.
Marshi u organizua në një ditë simbolike – në përvjetorin e demonstratave të 1 Tetorit të vitit 1997 kundër mizorive që Serbia i kreu në Kosovë.
Një nga organizatorët e asaj proteste, Muhamet Mavraj, iu drejtua masës edhe të enjten. Ai ka thënë se simbolika e protestave të 1 tetorit të vitit 1997, duhet të manifestohet edhe në skenën politike sot e të bëhen bashkë, të miratohet ndryshimi i ligjit për Specialen apo kërkesa që shkoi në vitin 2020 në Hagë të shkojë te Kushtetuesja e Kosovës.
« Parce que cette cour n'a aucun mandat, conformément à l'article 13 du 24e amendement », a déclaré Mavraj.
Ai ka theksuar se Specialja nuk është një gjykatë e drejtësisë.
“Çdo seancë e ka fituar me rezultat 9:8. Pse 9:8? Sepse në ballafaqimin e drejtpërdrejtë fer, mbrojtja ka fituar 8:2 ndaj Prokurorisë. E kur ka humbur Prokuroria atëherë topin e merrte gjykata e i hapte portat e i jepte 7 gola për Prokurorinë që të fitonte Prokuroria. Kjo nuk është drejtësi. Tri apele i ka paraqitur Prokuroria dhe të tria janë pranuar. 44 apele i ka bërë mbrojtja e nuk është pranuar asnjë. Nuk është gjykatë e drejtësisë, gjithçka mund të jetë pos e drejtësisë jo”, ka thënë Mavraj.
Ai ka insistuar se asnjë vendim tjetër, përpos atij lirues, nuk është i drejtë.
“Po ju them këtu se askush nuk po proteston për shkallën e dënimit. Qoftë një minutë fajësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për ne, është tragjedi. Kërkojmë pafajësi qind për qind”, ka thënë Mavraj.
Ndërkaq, studenti dhe deputeti i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Granit Spahiu, ka thënë se as studentët nuk do të heshtin ndaj vendimit të Speciales.
“Sot është 1 tetori dhe për dikë mund të jetë vetëm një datë në kalendar, por për ne studentët e Kosovës është më tepër se kaq. Nuk mund të flasësh për Kosovën e sotme pa kujtuar njerëzit që në ditët më të vështira morën vendime të mëdha. Le ta dëgjojë sot Prishtina, Kosova, Bashkësia Ndërkombëtare dhe Gjykata e Hagës që studentët dhe populli i Kosovës nuk hesht asnjëherë. Nga këtu, gjyqtarëve në Hagë iu themi: Jo në emrin tonë”, ka thënë Spahiu.
Pas verdiktit dënues në Hagë, protesta janë organizuar çdo natë në Prishtinë. Ndërkaq, masive janë organizuar edhe nga studentët e organizatat e dala nga lufta.