Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

Thaçi et Krasniqi sont condamnés à 25 ans de prison chacun, Veseli à 18 ans et Selimi à 13 ans.

Thaci et autres

Verdikt dënues ka shqiptuar shkalla e parë e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Ndonëse trupi gjykues rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit, ai i bëri përgjegjës për një numër krimesh të luftës. Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 e Selimi me 13.

Gjykata Speciale ka dënuar të katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dënimin në total prej 81 vjetësh burgim.

Ndonëse trupi gjykues rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit, ai i bëri përgjegjës për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Gjykatësit konstatuan se ata dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e, siç e kanë quajtur, qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së.

“Katër të akuzuarit dhe personat e tjerë në udhëheqjen e UÇK-së përfshirë edhe ata që pretendohet se janë anëtarë të NPK-së kishin dy objektiva: Pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që shpresonin se do ta kishte një Kosovë e pavarur”, tha kryetari i Trupit Gjykues Charles Smith.

Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar ndaj 385 personave, trajtimit mizor ndaj 49 personave, torturës ndaj 303 personave dhe vrasjes së paligjshme ndaj 96 personave.

Dënimet më të mëdha u shqiptuan ndaj Thaçit e Krasniqit.

“Z. Thaçi, në emër të popullit të Kosovës... Trupi gjykues ju dënon me një burgim të njehsuar me 25 vjet burgim ... Trupi gjykues… ju shpall ju, Jakup Krasniqi fajtor… Trupi gjykues ju dënon me një dënim të njehsuar me 25 vjet burgim”, tha Smith.

Për vepra të ngjashme, u dënuan me burgim edhe Veseli e Selimi.

“Z. Veseli në emër të popullit të Kosovës… trupi gjykues… ju shpall ju, Kadri Veseli fajtor... Trupi gjykues ju dënon me një burgim të njehsuar me 18 vjet burgim ... Trupi gjykues… ju shpall ju, Rexhep Selimin fajtor… trupi gjykues ju dënon me dënim të njehsuar me 13 vjet burgim”, tha Smith.

Prokuroria pati kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për Thaçin, Kransiqin, Veselin e Selimin, të cilët i pati akuzuar edhe për krime kundër njerëzimit. Por, sipas trupit gjykues organi i akuzës nuk ka mundur ta vërtetojë këtë.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, deklaroi Smith.

Dënimin për krime lufte, Trupi gjykues e ka arsyetuar duke konstatuar se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria dhe 96 u vranë.

Kryetari i trupit gjykues tha se ishin shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, përfshirë romë dhe serbë.

“Ata ranë në marrëveshje për qëllimin e përbashkët kriminal, bashkërisht vendosin një sistem për realizimin e tij, ngritën objekte ndalimi, krijuan dhe përcaktuan rregulla për policinë ushtarake, shërbimin e zbulimit dhe njësitë speciale dhe u dhanë detyrën për përmbushjen e planit kriminal të tyre... lëshuan komunikata që përhapën mendime të tyre, sulmuan armiq dhe morën përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme bashkërisht”, tha Smith.

Trupi gjykues i faturoi Thaçit edhe përgjegjësi për pjesëmarrje në krime.

“Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Baicë, si dhe në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit”, theksoi Smith.

Sipas trupit gjykues, një numër personash të tjerë si Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci, kishin dhe ranë në marrëveshje për qëllimin kriminal të përbashkët dhe morën pjesë në realizimin e tij, por se në lidhje me ta nuk u bë konstatim fajësie.

Procesi kryesor në Hagë nisi në nëntor të 2020-s kur katërshja e UÇK-së u arrestua nga policia ndërkombëtare dhe u transferua në Hagë. Ata ndodhen prej pothuajse gjashtë vjetësh në paraburgim.

Verdikti i Themelores nuk është përfundimtar dhe mbrojtja ka paralajmëruar apelim.