Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

Prokuroria kërkon dënim më të lartë për spiunen e BIA-s

Jelena Djukanovic

Photo de : Driton Pacharada

Dy palët kanë kërkuar ndryshimin e aktgjykimit ndaj Jelena Gjukanoviqit, e cila nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar për spiunazh me gjashtë vjet burgim. Në seancën e së premtes, Prokuroria Speciale përmes ankesës ka kërkuar që dënimi të jetë më i lartë, ndërsa mbrojtja që Gjukanoviqi të lirohet nga akuza

Është zhvilluar seanca në Gjykatën e Apelit, pasi edhe Prokuroria Speciale e edhe mbrojtja janë ankuar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Jelena Gjukanoviq është dënuar me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë.

Prokuroria, në fjalën përfundimtare, pati kërkuar 25 vjet burgim.

Në seancën e së premtes në Gjykatën e Apelit, përfaqësuesit e organit të akuzës nuk ishin të pranishëm.

Por, një pjesë të ankesës së Prokurorisë e lexoi gjyqtari referues, Vaton Dërguti.

“Në pikën e parë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe aktgjykimi të ndryshohet përkitazi me sanksionet e Kodit Penal në atë mënyrë që të akuzuarës për këtë vepër penale t’i shqiptohet një dënim më i lartë në burgim. Ndërsa në pikën e dytë, ka propozuar që të refuzohet si e pa bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarës, avokatit Predrag Milkoviq”, ka thënë Dërguti.

Ankesë ka paraqitur edhe mbrojtja e Gjukanoviqit.

Avokati i saj, Predrag Milkoviq, ka pretenduar se në proces ka pasur shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Ai ka kërkuar që Gjukanoviq të lirohet nga akuza, të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rivendosje.

“Mbrojta qëndron pro ankesës që bastisja vetëm sipas vendimit të gjykatës mund të realizohet, kurrqysh ndryshe... Prokuroria ka sekuestruar telefonin në mënyrë të ligjshme, por nuk ka pasur qasje në përmbajtjen e telefonit në mënyrë legale”, ka thënë Milkoviq.

Prokuroria Speciale më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Gjukanoviqit. Atë e ka bërë përgjegjëse për veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për shërbimin inteligjent të Serbisë, BIA, duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të misionit të OSBE-së.

Informacionet që i janë dërguar shërbimit sekret serb për zhvillimet në veri të Kosovës, prej “shqetësimeve” të OSBE-së për kryetarin e Mitrovicës së Veriut e deri te lëvizjet e Policisë së Kosovës, janë përshkruar në aktgjykimin e plotë për dënimin me 6 vjet burgim të Jelena Gjukanoviqit. Dokumenti tregon se informatat që ajo i ka përcjellë e kanë ndihmuar BIA-n serbe të krijojë një pasqyrë të qartë të situatës në veri.