Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

Des affrontements ont eu lieu au sein de la KPK, et le rapport sur le travail du Bureau du procureur spécial n'a pas été approuvé.

Blérim Isufaj

Përplasjet në Këshillin Prokurorial të Kosovës kanë kulmuar të mërkurën me rrëzimin e raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025. Pas raportimit të kryeprokurorit Blerim Isufaj, katër anëtarë votuan kundër, ndërsa vetëm tre pro miratimit. Gjatë takimit pati përplasje verbale mes Isufajt dhe anëtarëve të KPK-së, ndërsa u bënë edhe kritika për mënyrën e raportimit

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e 301-të të saj, ka refuzuar miratimin e raportit të punës për Prokurorinë Speciale për vitin 2025.

Pas raportimit të kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj, raporti ka marrë katër vota kundër e tri për.

Kundër kanë votuar Visar Krasniqi, Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa, ndërkaq për miratim kanë votuar: Arian Gashi - kryesues, Zejnulla Gashi- kryeprokuror i Shtetit dhe Milot Krasniqi - anëtar.

Por, ende pa u prezantuar mirë raporti, në këtë takim pati përplasje mes anëtarëve të KPK-së dhe Isufajt.

Kjo ndodhi si shkak i ndërhyrjeve nga kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi.

“Kam qenë kryesues i këshillit para se me qenë ti”, ka thënë Isufaj.

E menjëherë ka marrë kundërpërgjigjen e Gashit.

“Ka kaluar koha kur anëtarët kanë raportuar para kryeprokurorit”, ka thënë ai.

Ankesë për mospërgjigje në pyetjet konkrete që ia kishte drejtuar kryeprokurorit të Speciales pati edhe anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi.

“Diku nga 19 ose 18 pyetje s’kam marrë absolutisht përgjigje në mënyrë të veçantë, përveç se kishte mospërputhje në statistika, huqje edhe në referentë, atë të bazës ligjore”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi e pyeti Isufajn se pse ka kërkuar nga ish-ushtruesi i detyrës të kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, që t’ia dorëzojë detyrën.

Isufaj nga anëtarët është pyetur edhe se si po rrjedhin informacionet për rastet nën hetim.

“Mua po më duket si me qenë para një komisioni hetimor, jo para Këshillit. Vetëm po të tregoj diçka, kush ma ndalon mua si kryeprokuror i një prokurorie me u taku me kryeprokurorin e Shtetit? Kë duhet ta pyes?”, ka thënë Isufaj.

Në takim, Isufaj ka prezantuar me shifra punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025, duke thënë se ka pasur lëvizje të tre prokurorëve dhe se aktualisht në punë janë 22 të ngarkuar me lëndë.

Sipas tij, pas ngritjes së aktakuzës, vendimet e gjykatës bazuar në departamente janë si në vijim: Krime lufte-hedhje e aktakuzës një rast, 11 persona të shpallur fajtorë, një i liruar dhe një rast kur është refuzuar aktakuza.

Për krim të organizuar, Isufaj ka thënë se dy raste aktakuzash janë hedhur poshtë, 81 persona të shpallur fajtorë, 44 janë liruar dhe për 22 është refuzuar aktakuza.

Në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryesuesi Arian Gashi ka njoftuar se prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së prokurorëve.

Gashi ka njoftuar se në takimet e radhës do të caktohet anëtari i nevojshëm në këtë komision.