Soutenez TIME. Préservez la vérité.
JOURNAL DU SOIR

Le PDK conteste la constitution de l'Assemblée devant la Cour constitutionnelle.

PDK

Photo de : Driton Pacharada

Tri shkelje i kanë evidentuar deputetët e Partisë Demokratike në procesin e konstituimit të Kuvendit. E me kërkesën për t’i dhënë sqarim, të hënën, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. E për një çështje tjetër kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës të martën

Një ditë pasi kryetarja Albulena Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për ta interpretuar kushtetutshmërinë e procesit. 

Deputeti nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri, tha se në lëndën e dorëzuar të hënën është përfshirë edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme deri në marrjen e një vendimi meritor.

“Fillimisht të vendoset masa, në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptim juridik-institucional. Sepse qeveria që është zgjedhur dje nga kuvendi që nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri për ta votuar qeverinë, mundet të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme. Për të gjitha këto ne do t’i drejtohemi gjykatës, për secilin vendim të jashtëligjshëm në mënyrë që vendi të kthehet në binarë kushtetues”, ka thënë Tahiri.

Të dielën, pa u zgjedhur nënkryetari që i takon PDK-së dhe 37 ditë pas skadimit të afatit kushtetues, Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar. Në një seancë tjetër, po atë ditë, u votua edhe qeveria.

Por sipas deputetit Përparim Gruda, jurist me profesion, pushteti i Vetëvendosjes nuk ka legjitimitet.

“Në një demokraci kushtetuese, legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota, vetëm nga numrat. Në demokraci kushtetuese, legjitimiteti i institucioneve të shtetit buron nga respektimi i Kushtetutës po ashtu. Prandaj kjo qeveri ka problem dhe ky pushtet në tërësi ka problem me kushtetutshmërinë dhe legjitimitetin e vet”, ka deklaruar Gruda.

Gruda tha se të martën do t’i drejtohen Kushtetueses edhe lidhur me formimin e qeverisë.

E avokati Faton Fetahu u shpreh se procesi i konstituimit të Kuvendit është përcjellë me tri shkelje. 

Sipas tij, e para lidhet me mosrespektimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, jo më larg se 30 ditë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. E dyta, me mosrespektimin e Rregullores së Kuvendit, e cila kërkon që ndërprerjet e seancës konstituive të mos zgjasin më shumë së 48 orë. Para vazhdimit të saj më 9 shtator, seanca ishte ndërprerë më 8 gusht, pra për 768 orë.

Si shkelje të tretë, Fetahu e konsideroi moszgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e PDK-së, pasi u konsiderua se kjo parti ka hequr dorë nga e drejta për propozim. 

“Refuzim nuk mund të konsiderohet mosparaqitja fizike e deputetëve tanë në sallën e Kuvendit, sepse të njëjtit paraprakisht kanë paralajmëruar se për qëllim sqarimin dhe parashtrimin në Gjykatën Kushtetuese do të përmbahen nga dhënia e propozimit të tyre, një e drejtë ekskluzive kushtetuese”, ka thënë Fetahu.

Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit në seancën e 9 shtatorit. Nënkryetari nga Vetëvendosja, Ardian Gola, mori votat të premten, ndërsa kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk u votua nga deputetët e shumicës.

Në vazhdimin e seancës të dielën u zgjodhën edhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike, Tanja Vujoviq nga Lista Serbe dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet e tjera joshumicë.