Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se gjetjet mortore të 23 personave në komunën e Zubin-Potokut përkojnë me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”. Ai ka theksuar se identifikimi i këtyre mbetjeve pritet të zgjasë disa muaj. E ka bërë thirrje që Serbisë t’i bëhet presion për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka bërë thirrjen për hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve
Gjatë prezantimit të raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë.
“Serbia arreston dhe përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare. Andaj, më shumë se sa në çdo moment tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Kurti.
Ai deklaroi se mbetjet mortore të gjetura në tri lokacione në Zubin-Potok dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, numër që, sipas tij, përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”.
Theksoi se tashmë ka nisur procesi i identifikimit, i cili mund të zgjasë disa muaj.
aussi
Un troisième suspect arrêté pour crimes de guerre à Zubin Potok, les fouilles se poursuivent à Kalludra
“Numri 23 përkon me atë që njihet si grupi i intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë. Andaj, vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, tha Kurti.
Në këtë proces, sipas Kurtit, janë përfshirë institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si dhe ekipet mjeko-ligjore të EULEX-it.
Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për persona të zhdukur pohoi se gjetjet në tre lokacionet janë afro 300 metra në vijë ajrore afër, ndërkaq nga ajo në Jabukë rreth 1 kilometër.
“Lokacioni i dytë në Jabukë dhe lokacioni i tretë po ashtu në Kalludër, në një distancë ajrore në këtë rast mes lokacionit të parë dhe lokacionit të tretë janë më pak se 300 metra. Ndërsa lokacioni i parë në raport me lokacionin e dytë, po ashtu në raport lokacioni i tretë me lokacionin e dytë, po flasim diku për rreth 1 kilometër vijë ajrore, edhe pse për shkak të specifikave të terrenit, pjesa e rrugës në këtë rast merr shumë më shumë kohë në raport me pjesën e distancës”, tha Gara.
Edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mirëpritur punën e autoriteteve të Kosovës për nxjerrjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin-Potokut.
aussi
Kurti : Le vote pour Emilja Rexhepi ne peut pas être annulé, les Serbes ne sont pas seulement ceux de la Liste serbe
“Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë familjeve të atyre që ende janë të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999 dhe mbështet përpjekjet për të gjetur përgjigje për ta pas shumë vjetësh pasigurie. Ne mirëpresim punën e autoriteteve të Kosovës për nxjerrjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin- Potokut dhe kryerjen e ekzaminimeve forenzike dhe testeve të ADN-së për identifikimin e mbetjeve”, thuhet nga Ambasada.
Në vendet ku janë kryer gërmimet, javën e kaluar autoritetet kanë prezantuar edhe një sasi të madhe armatimi të gjetur në afërsi të lokacioneve. Sipas kryeministrit Kurti, armët janë dërguar për ekzaminim dhe analizë për të përcaktuar nëse mund të kenë lidhje me krimet dhe masakrat e kryera në këto zona.