Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« ReMusica » – un quart de siècle de continuité dans des conditions qui ne changent pas

RéMusica

“ReMusica” e 25-të vjen me program më të gjerë, me artistë të njohur ndërkombëtarë dhe me platforma për gjeneratat e reja. Por problemi i edicionit të parë vazhdon edhe sot – mungesa e hapësirave të përshtatshme për koncerte

Edicioni i 25-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës, “ReMusica” do të mbahet prej 26 tetorit deri më 1 nëntor, në Prishtinë dhe Prizren, në temën “Continuum”. Koncepti i këtij edicioni jubilar ndërtohet mbi vazhdimësinë e festivalit, por edhe mbi ndryshimet artistike që e kanë shoqëruar gjatë një çerekshekulli. Nëse motoja do të koncentrohej te kushtet, ajo do të duhej të konceptohej diku midis “pandryshueshmërisë”. Kësisoj, mbetet infrastruktura e cila nuk ndryshon qyshkur “RaMusica” nisi edicionin e parë

Në vitin 2002, kur Kosova ende po përballej me pasojat e luftës, në Prishtinë nisi një rrugëtim i ri muzikor. Festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica”, i themeluar nga kompozitori Rafet Rudi dhe kompozitorë të tjerë, u bë një prej nismave të para të pasluftës që synonte ta afronte publikun me muzikën moderne e bashkëkohore. 

Një çerekshekull më vonë, festivali vjen me program më të gjerë, me artistë të njohur ndërkombëtarë dhe me platforma për gjeneratat e reja. Por problemi i atëhershëm, vazhdon edhe sot – mungesa e hapësirave të përshtatshme për koncerte. 

“Njëzet e pesë vjet janë një rrugëtim i gjatë. Festivali ka nisur në një moment shumë delikat të historisë së Kosovës, menjëherë pas luftës. Në vitin 2002, sapo kishim dalë nga lufta. Shumë ndërtesa ishin të rrënuara dhe mjedisi nuk ofronte kushtet e nevojshme për të menduar për iniciativa të reja, e aq më pak për një festival të muzikës moderne dhe bashkëkohore”, ka thënë drejtoresha e festivalit, kompozitorja Donika Rudi.

Ajo ka rikujtuar se ideja e festivalit ishte formësuar që në vitin 2000, ndërsa edicioni i parë u mbajt dy vjet më vonë. 

“Ishte një nismë e kompozitorëve, e ndërmarrë nga themeluesi Rafet Rudi dhe kompozitorë të tjerë të Kosovës, të cilët u bashkuan për ta nisur këtë festival. Atmosfera në vend ende bartte jehonën e pasluftës, ndërsa institucionet dhe shumë hapësira nuk ishin rindërtuar. Kështu që festivali nisi në një moment shumë delikat”, ka thënë Rudi, duke bërë me dije se përkundër rrethanave të vështira, interesimi i publikut ishte i madh që në fillim. 

“Këtë e dëshmojnë edhe pamjet filmike dhe fotografitë e asaj kohe. Publiku mezi priste që festivali të niste, që njerëzit të mblidheshin, të festonin së bashku dhe të dëgjonin koncerte të mira”, ka thënë ajo, duke theksuar se nga fillimi, festivali kishte synuar ta bënte muzikën moderne pjesë të jetës kulturore të Kosovës. 

“Në vitin 2002 e kemi nisur festivalin e parë të pasluftës me fokus në muzikën moderne. Ky ka qenë një nga tiparet dalluese të festivalit. Tash, kur e shohim rrugëtimin e tij ndër vite dhe reflektojmë për historinë e muzikës, vërejmë se ka pasur një zhvillim shumë të madh. Megjithatë, ky zhvillim ka ndodhur gradualisht dhe natyrshëm”, ka thënë Rudi.

Përderisa “ReMusica” ka zgjeruar programin dhe rrjetin e bashkëpunimeve, infrastruktura vazhdon të jetë një prej sfidave më të mëdha jo vetëm për festivalin, por për krejt skenën kulturore në vend. Që nga edicioni i parë, kur koncertet mbaheshin në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, kushtet për organizimin e ngjarjeve muzikore kanë mbetur të pandryshuara. 

“Infrastruktura është një problem që na shoqëron që nga viti 2002, kur festivali nisi dhe koncertet mbaheshin në Sallën e Kuqe. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Prishtinë. Qyteti është zhvilluar dhe ka pësuar transformime të mëdha. Vitin e kaluar patëm artistë që u rikthyen pas dymbëdhjetë vjetësh dhe u befasuan nga ndryshimet dhe zhvillimi i qytetit. Megjithatë, Salla e Kuqe ka mbetur krejtësisht e njëjtë, pa zhvillime”, ka thënë Rudi.

Duke iu referuar kushteve, ajo ka rikujtuar pjesëmarrjen e pianistes me renome ndërkombëtare Aki Takahashi në edicionin e parë të festivalit. 

“Më kujtohet mirë viti 2002, kur festivali nisi me pjesëmarrjen e pianistes me renome ndërkombëtare, Aki Takahashi, e cila ishte pjesë e edicionit të parë. Në një intervistë që e kemi publikuar, ajo flet për mungesën e sallave të përshtatshme në Kosovë, duke e lidhur këtë me rrethanat e pasluftës në vitin 2002. Imagjinoni, edhe sot, në 25-vjetorin e festivalit, tema mbetet e njëjtë. Ndërkohë që Prishtina ka ndryshuar në shumë aspekte, çështja e sallave të koncerteve vazhdon të mbetet e pazgjidhur”, ka thënë Rudi.

Edicioni i 25-të i “ReMusica”-s do të mbahet prej 26 tetorit deri më 1 nëntor, në Prishtinë dhe Prizren, nën temën “Continuum”. Koncepti i këtij edicioni jubilar ndërtohet mbi vazhdimësinë e festivalit, por edhe mbi ndryshimet artistike që e kanë shoqëruar gjatë një çerek shekulli.

“Tema e këtij 25-vjetori është ‘Continuum’. Bëhet fjalë për një rrugëtim zhvillimi, gjatë të cilit festivali ka qenë në hap me kohën dhe me trendët muzikore. Kemi ndjekur zhvillimet e muzikës dhe të artistëve që performojnë sot në skenat botërore. Kemi krijuar një paralele mes muzikës minimaliste dhe asaj bashkëkohore, duke e përfshirë këtë qasje në programin e sivjetmë”, ka shpjeguar Rudi.

Sipas konceptit të festivalit, vazhdimësia nuk nënkupton përsëritjen e së njëjtës përvojë, por një proces të vazhdueshëm transformimi, në të cilin ndryshimet artistike ndërtohen mbi përvojat e mëparshme. Aty bëhet me dije se kjo qasje lidhet edhe me natyrën e muzikës minimaliste, ku përsëritja dhe ndryshimet graduale krijojnë gjendje të reja muzikore.

“Çdo ditë, çdo mbrëmje dhe çdo aktivitet sjell një befasi më vete. Është befasi në vetvete”, ka thënë Rudi, duke paralajmëruar një program me koncerte të stileve të ndryshme dhe aktivitete që synojnë të lidhin artistët, publikun dhe profesionistët e muzikës.

Nata e hapjes, më 26 tetor, do të mbahet në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, me koncertin “Vol de Nuit”, ku do të interpretojnë kitaristi Thibaut Garcia dhe fizarmonikisti Félicien Brut.
“Prandaj, këtë 25-vjetor e kemi pritur me krenari, me një program më të pasur dhe me emra shumë të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare. Këtë e kam menduar edhe për natën e hapjes, ku do të jenë dy artistë jashtëzakonisht të rëndësishëm, Thibaut Garcia dhe Félicien Brut”, ka thënë Rudi.

Në të njëjtën ditë do të nisë programi “ReMusica Junior”, ndërsa do të mbahet edhe diskutimi me temën “E ardhmja e muzikës bashkëkohore”. Një prej veçorive të natës së hapjes do të jetë një vepër e përbashkët e tre autorëve shqiptarë, e interpretuar nga ansambli vokal “ReVocal”. Organizatorët ende nuk i kanë bërë të ditura hollësitë e veprës.

Programi do të vazhdojë më 27 tetor në Prizren me koncertin “Zonar” të “North Sea String Quartet”. Në këtë qytet do të mbahet edhe diskutimi “Artists and Festivals Around Table: The Importance of Supporting Emerging Artists in Festival Programmes”, kushtuar rëndësisë së mbështetjes së artistëve në zhvillim përmes programeve të festivaleve. Në program është përfshirë edhe koncerti i trios “MinimalANIMAL”, si dhe diskutimi “Let’s Talk Funds – Funding Opportunities”, që do të trajtojë mundësitë e financimit.

Më 29 tetor, në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, do të mbahet koncerti “The Journey from Bach to Piazzolla”. Programi do të përfshijë edhe koncertin e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Marco Crispo, me kitaristin Mak Grgiq si solist.

Përgjatë shtatë ditëve, edicioni jubilar do të sjellë mbi njëzet ngjarje, përfshirë koncerte të mbrëmjes, performanca dhe aktivitete ditore. Shumica e koncerteve do të mbahen në Kishën Katolike “Shën Ndou”, ndërsa një aktivitet i së martës do të zhvillohet në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Artistët në rezidencë pritet të mbërrijnë të premten dhe të qëndrojnë rreth një javë, duke krijuar mundësi për shkëmbim artistik dhe bashkëpunim gjatë programit.

Njëzet e pesë vjet pas themelimit, “ReMusica” vazhdon ta ndërtojë identitetin e tij mes traditës muzikore duke e lidhur skenën vendore me zhvillimet ndërkombëtare të muzikës.