Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« La Rremë » a pour mission de faire de Pristina un point de rencontre pour la vie théâtrale

“La Rremë”

“Edicioni zero është vetëm fillimi”, shkruhet në paragrafin e fundit të paralajmërimit për “La Rremë” dhe ajo çfarë synon e për çfarë zotohet, është shpresëdhënëse. “La Rremë” –  nofka e artistit të shquar, Muharrem Qena – është emri i festivalit ndërkombëtar të teatrit. “Edicioni zero” nis në ditën e 23-të të këtij muaji, e programi dyditor është dëshmia se ky “është vetëm fillimi”. Është pikënisja që Prishtina të shndërrohet në pikëtakim për artistë, krijues të teatrit dhe profesionistë të kulturës nga Kosova dhe më gjerë.

“Një hapësirë për shkëmbime, takime të reja, ide dhe bashkëpunime të ardhshme. Publiku do të jetë pjesë e kësaj dinamike përmes shfaqjeve, bisedave, masterklasave, muzikës dhe takimeve joformale që do të zhvillohen nëpër qytet”, shkruhet në deklaratën për media të organizatorëve. Aty janë shpalosur programi, detajet, synimet si dhe zanafilla e këtij festivali që bashkorganizohet me Teatrin Kombëtar të Kosovës.  

“Hapja zyrtare do të bëhet më 23 tetor, në orën 19:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ndërsa në orën 19:30 do të prezantohet një nga ngjarjet qendrore të edicionit zero: ‘Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia’, shfaqje e krijuesit të njohur ndërkombëtarisht të teatrit, Mario Banushi”, shkruhet në komunikatë. Banushi përshkruhet si një nga zërat kryesorë të gjeneratës së re të teatrit evropian dhe fitues i Luanit të Argjendtë për Teatër në Bienalen e Venecias 2026. 

“Sjellja e punës së tij në Prishtinë për hapjen e ‘La Rremë’ shënon një moment të rëndësishëm artistik për Festivalin dhe pasqyron një nga ambiciet e tij kryesore: ta lidhë drejtpërdrejt publikun e Kosovës me disa prej zërave më relevantë të skenës bashkëkohore evropiane”, shkruhet aty për mbrëmjen që vazhdon edhe me aktivitete të tjera. 

Dita e dytë, më 24 tetor, sipas organizatorëve “e zgjeron programin përtej shfaqjeve dhe vendos në qendër shkëmbimin artistik, dijen dhe diskutimin kritik”. 

Prej orës 10:00 deri në 16:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, regjisori i njohur i teatrit dhe filmit, Dino Mustafiq, nga Bosnjë-Hercegovina, do të udhëheqë masterklasën “Klasikët në skenën bashkëkohore”. Mustafiq është i njohur edhe për publikun në Kosovë, veçmas me shfaqjen “Rock'N'Roll” e inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 2011. E, masterklasa, sipas njoftimit, do të eksplorojë qasjet bashkëkohore ndaj veprave klasike dhe do të krijojë një hapësirë shkëmbimi mes profesionistëve të teatrit, regjisorëve të rinj, aktorëve, studentëve dhe artistëve në zhvillim.

“Në orën 12:00, në ‘Barabar Centre’, Festivali do të organizojë diskutimin ‘Pse ende mblidhemi? Teatri në një terren që ndryshon’. Në diskutim marrin pjesë: Darko Lukiq, Doruntina Basha, Marko Bratush dhe Ilina Perianova, ndërsa moderatore do të jetë Aurela Kadriu. Diskutimi do të reflektojë mbi rolin dhe misionin e festivaleve ndërkombëtare të teatrit në një kohë ndryshimesh të thella shoqërore, politike, kulturore dhe institucionale”, shkruhet në njoftim. Po atë ditë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, rikthehet “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia” për t’u përmbyllur ky edicion me koncertin e “Ibadete Ramadani & Band”  në mensën “Ramiz Sadiku”. 

Sipas themeltarëve, “La Rremë lindi nga një ide e thjeshtë, por ambicioze”:  që Prishtina të bëhet “një pikë e rëndësishme takimi për teatrin dhe performancën bashkëkohore në Evropë. Festivali synon të krijojë një vend ku artistët vijnë jo vetëm për të prezantuar punën e tyre, por edhe për të shkëmbyer ide, për të frymëzuar njëri-tjetrin, për të krijuar lidhje dhe për të hapur mundësi për bashkëpunime të reja”. 

“Në të njëjtën kohë, synon t'i lidhë artistët nga Kosova me kolegët e tyre ndërkombëtarë dhe t'i njohë artistët e publikun që vijnë nga jashtë me kreativitetin, energjinë dhe potencialin artistik të skenës kulturore të Kosovës”, shkruhet në njoftim. Por njëkohësisht edhe emri i tij ka peshë. 

“Duke mbajtur emrin e Muharrem Qenës – ‘La Rremë’, një prej figurave më me ndikim në historinë e teatrit në Kosovë, Festivali nderon një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, ndërsa shikon nga e ardhmja. Edicioni Zero shënon fillimin e një vizioni afatgjatë për ndërtimin e një platforme kulturore të qëndrueshme, me ambicie rajonale dhe ndërkombëtare, duke forcuar vendin e Prishtinës në hartën kulturore evropiane”, shkruhet aty. Por “ky është vetëm fillimi”.