Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« Images de migrants » dans l’écho de l’origine, de la mémoire et de la disparition

Në veprat e ekspozuara, ngjyrat e zbehura, figurat njerëzore, duart dhe format gjeometrike ndërthuren në kompozime që lënë të hapur kufirin midis figuracionit dhe abstraksionit

Në veprat e ekspozuara, ngjyrat e zbehura, figurat njerëzore, duart dhe format gjeometrike ndërthuren në kompozime që lënë të hapur kufirin midis figuracionit dhe abstraksionit

Ekspozita “Imazhe migruese” e Bora Baboçit rikrijon kujtesën si jehonë që është parë. Por nuk është konceptuar si tërësi statike veprash që mbeten të ekspozuara deri në fund. Në dhjetë ditët e fundit, imazhet do të çinstalohen përmes një procesi të hapur për publikun, ndërsa sipërfaqet që i bartin do të zbrazen gradualisht. Ky veprim është pjesë e konceptit artistik. Imazhet e saj migrojnë

Imazhet mund të ruhen, të zhvendosen nga një sipërfaqe në tjetrën, të marrin kuptime të reja, por edhe të tërhiqen nga fusha e shikimit. Kjo marrëdhënie midis dukshmërisë dhe mungesës qëndron në qendër të ekspozitës “Imazhe migruese” të artistes Bora Baboçi, e hapur të enjten mbrëma në galerinë “Qafa” të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Përmes veprave të realizuara me teknikën e strappos, artistja hulumton mënyrën se si imazhet kalojnë ndërmjet materialeve dhe konteksteve kulturore, duke ruajtur gjurmë të origjinës, por duke u transformuar gjatë këtij rrugëtimi.

Ekspozita e parë personale e Baboçit në këtë hapësirë nuk është konceptuar si tërësi statike veprash që mbeten të ekspozuara deri në fund. Në dhjetë ditët e fundit, imazhet do të çinstalohen përmes një procesi të hapur për publikun, ndërsa sipërfaqet që i bartin do të zbrazen gradualisht. Ky veprim është pjesë e konceptit artistik.

Në veprat e ekspozuara, ngjyrat e zbehura, figurat njerëzore, duart dhe format gjeometrike ndërthuren në kompozime që lënë të hapur kufirin midis figuracionit dhe abstraksionit. Në njërën prej tyre, forma të kuqe, të gjelbra dhe të kaltra rrethojnë një figurë qendrore, ndërsa në një tjetër, forma organike dhe struktura gjeometrike krijojnë një përbërje që ngjan me një imazh të ruajtur nga një kohë tjetër. Një kompozim tjetër vendos duart dhe gjymtyrët përballë një figure të mbështjellë me ngjyra të buta, duke krijuar një raport të pazakontë midis trupit dhe hapësirës.

Këto imazhe janë gjurmë të përpunuara, të zhvendosura nga konteksti fillestar dhe të ndërthurura me elemente të tjera. Kornizat gri, të ndërtuara si kapakë që mund të hapen e të mbyllen, e zgjerojnë këtë ide edhe në mënyrën e ekspozimit: imazhi mund të jetë i dukshëm, por mund edhe të fshihet pas sipërfaqes që e mbron. Baboçi i qëndron besnike pikërisht teknikës strappo, që nga italishtja në shqip i bie shkëputje ose tërheqje.

Imazhi mund të jetë i dukshëm, por mund edhe të fshihet pas sipërfaqes që e mbron. Bora Baboçi i qëndron besnike pikërisht teknikës strappo, që nga italishtja në shqip i bie shkëputje ose tërheqje  

Bora Baboçi ka treguar se punët kanë nisur nga një udhëtim hulumtues që e ka realizuar së bashku me kuratoren Erëmirë Krasniqi në fillim të vitit.

“Imazhet janë abstraktuar në njëfarë mënyre dhe në ekspozitë vijnë më shumë si jehonë e asaj që kemi parë. Ato nuk janë sjellë saktësisht në formën në të cilën i kemi gjetur, por janë përpunuar përmes mekanizmave dhe teknikave të ndryshme, duke ruajtur një distancë nga koha kur i kemi parë për herë të parë”, ka thënë Baboçi.

Ideja e jehonës është thelbësore për mënyrën se si artistja e trajton imazhin.

“Ekspozita shqyrton kushtet e dukshmërisë së imazhit dhe mënyrën se si ai qarkullon ndërmjet materialeve dhe konteksteve të ndryshme. Në qendër të saj qëndrojnë arkitekturat e lëvizshme dhe teknologjitë që mundësojnë zhvendosjen e imazhit nga një kontekst kulturor në tjetrin”, ka thënë kuratorja e ekspozitës, Erëmirë Krasniqi.

Në tekstin kuratorial, ajo e vendos këtë proces në raport me mënyrën se si imazhet kanë qarkulluar historikisht përmes materialeve, librave dhe tekstileve, duke kaluar nga një kontekst kulturor në tjetrin.

Një nga elementet kryesore të ekspozitës është teknika e strappos, e zhvilluar për të shkëputur shtresën e pikturuar nga muri dhe për ta transferuar në një sipërfaqe tjetër. E përdorur historikisht për ruajtjen dhe zhvendosjen e afreskeve, kjo teknikë është lidhur edhe me zhvendosjen e trashëgimisë pamore nga konteksti i saj origjinal.

“Një aspekt tjetër i rëndësishëm i punës së Borës është teknika e strappos, e cila e ka origjinën në shekullin e 18-të dhe është përdorur kryesisht për ruajtjen, konservimin dhe zhvendosjen e imazheve, qofshin ato afreske apo lloje të tjera të pikturave murale. Shumë prej punëve që shohim në ekspozitë mbështeten në këtë teknikë dhe, në njëfarë mënyre, e riaktivizojnë një teknologji të vjetër të bartjes së imazhit nga një vend në tjetrin”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka theksuar se teknika e strappos mundëson krijimin e një kopjeje të imazhit dhe zhvendosjen e tij nga një lokacion në tjetrin.

“Por imazhi mund jetë pasiv. Ky është njëri nga aspektet që trajton ekspozita, sepse edhe në kontekstin tonë ekzistojnë mënyra të ndryshme se si imazhi mbahet i pezulluar ose i paarritshëm. Kjo ndodh veçanërisht kur ai lidhet me një sfond fetar apo me një traditë të caktuar, ku qasja ndaj tij mund të jetë e kufizuar. Në këtë kuptim, ekspozita trajton tensionin që kemi me imazhin, një çështje që vazhdon të jetë e pranishme edhe sot”, ka thënë ajo më tej.

Baboçi e trajton strappon jo vetëm si proces fizik, por edhe si kornizë konceptuale. Shkëputja e imazhit nga muri e ndryshon marrëdhënien e tij me arkitekturën që e ka strehuar, ndërsa bartja në një hapësirë tjetër krijon mundësi të reja interpretimi.

Në tekstin kuratorial, Krasniqi ka shkruar: “Zhvendosja mund ta ruajë një imazh, ta grabitë ose ta çlirojë nga hapësira fizike që e strehon”.

Kjo shfaqet edhe në murin hibrid të ekspozitës. Njëra pjesë i referohet një pune të artistes të nisur më 2019, në të cilën ajo kishte trajtuar transformimet e hapësirave të brendshme të shtëpive shqiptare pas viteve ’90, veçanërisht përdorimin e gipsit dhe ornamenteve dekorative. Materiale që shpesh janë konsideruar si shprehje e kiçit, në këtë kontekst shfaqen edhe si mundësi për shprehje individuale dhe për ndryshimin e mënyrës se si përjetohet hapësira shtëpiake.

Ideja e jehonës është thelbësore për mënyrën se si artistja e trajton imazhin

Pjesa tjetër e murit përmban gjurmë afreskesh të pikturuara, të cilat, ashtu si imazhet e tjera, do të tërhiqen në fund të ekspozitës. Për Baboçin, e cila vjen nga arkitektura, ndërthurja e hapësirës, pikturës dhe figuracionit është pjesë e praktikës së saj artistike.

“Përmes teknikës së strappos, kam mundur të krijoj një qasje më kritike ndaj mënyrës se si ndërthuren hapësira, arkitektura dhe imazhi”, ka thënë artistja.

Në “Imazhe migruese”, interesimi i artistes për arkitekturën shtrihet edhe te mënyra se si ajo e përcakton ekzistencën dhe dukshmërinë e imazhit. Muri bëhet njëkohësisht mbështetje, kufi dhe pikënisje për zhvendosjen, ndërsa imazhi mund të largohet nga sipërfaqja pa e humbur plotësisht lidhjen me të.

Çinstalimi i planifikuar për ditët e fundit e përmbyll këtë cikël. Publiku do të mund të ndjekë procesin përmes të cilit imazhet tërhiqen dhe ekspozita ndryshon pamje, derisa hapësira të mos i bartë më veprat në formën e tyre fillestare. Kjo zhdukje graduale e bën të dukshëm vetë procesin e humbjes së dukshmërisë, duke e zhvendosur vëmendjen nga objekti artistik te marrëdhënia që ai krijon me materialin, historinë dhe shikuesin.