Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

Les empreintes digitales résolvent le mystère de l'armée de terre cuite

L'armée de terre cuite a été découverte en 1974, lorsque des agriculteurs creusant un puits près de la ville chinoise de Xi'an ont mis au jour les premières figurines. On estime qu'elle compte environ 8 000 figurines.

Ushtria e Terakotës u zbulua në vitin 1974, kur fermerë që po hapnin një pus pranë qytetit kinez të Sianit hasën në figurat e para Vlerësohet se përfshin rreth 8 mijë figura, shumë prej të cilave ndodhen ende nën tokë

Analizat e 79 gjurmëve të gishtërinjve në figurat prej terakote të ushtrisë së perandorit të parë të Kinës, ka dëshmuar se, përveç burrave të rritur, në krijimin e tyre mund të kenë marrë pjesë edhe gra dhe fëmijë

Rreth dy mijë e 200 vjet më parë, dikush po i jepte formë argjilës për të krijuar një nga figurat e Ushtrisë së famshme të Terakotës, duke lënë një gjurmë që do t’u mbijetonte mijëvjeçarëve. Vijat e imëta të gjurmëve të gishtërinjve u ruajtën në sipërfaqen e argjilës së pjekur dhe sot po i ndihmojnë arkeologët t’i përgjigjen pyetjes se kush mori pjesë në krijimin e mijëra ushtarëve të varrosur pranë perandorit të parë të Kinës.

Studiuesit analizuan 79 gjurmë gishtërinjsh të ruajtura mirë, të marra nga figurat prej balte në një pjesë të gropës nr. 1 të mauzoleut të perandorit Qin Shi Huang. Rezultatet sugjerojnë se prodhimi i Ushtrisë së Terakotës mund të mos ketë qenë vetëm punë e burrave të rritur, siç është supozuar për një kohë të gjatë, por në të mund të kenë marrë pjesë edhe gra dhe fëmijë.

Studimi është publikuar në revistën “Journal of Cultural Heritage”. Hulumtimi u krye duke përdorur një model statistikor që mundëson vlerësimin e moshës dhe përbërjes gjinore të një grupi, bazuar në karakteristikat e gjurmëve të gishtërinjve.

Çfarë mund të zbulojnë gjurmët e gishtërinjve?

Gjurmët e gishtërinjve nuk janë vetëm shenja unike të identitetit. Distanca ndërmjet vijave të tyre të imëta mund të japë informacione për moshën dhe gjininë e personit që i ka lënë.

Te fëmijët, vijat zakonisht janë më afër njëra-tjetrës, ndërsa distanca ndërmjet tyre rritet gjatë rritjes. Te burrat e rritur, kjo distancë është mesatarisht më e madhe sesa te gratë. Megjithatë, këto dallime nuk mjaftojnë për të përcaktuar me siguri se kush e ka lënë një gjurmë të vetme.

Një problem tjetër është fakti se argjila tkurret gjatë tharjes dhe pjekjes. Për këtë arsye, gjurmët në figurat e lashta nuk kanë saktësisht të njëjtën madhësi si gishtat e njerëzve që i krijuan ato.

Prandaj, studiuesit përdorën modelin statistikor të Bajesit, i cili nuk përpiqet ta klasifikojë secilën gjurmë veçmas, por analizon tërësinë e të dhënave dhe vlerëson përqindjen e mundshme të grupeve të ndryshme.

Për analizë u përzgjodhën 79 gjurmë me vija të qarta, pa deformime të mëdha ose njolla të shkaktuara nga fërkimi. Studiuesit u përpoqën gjithashtu të përjashtonin gjurmët që mund të kishin ardhur nga i njëjti person.

Burra, gra dhe fëmijë në punishtet e prodhimit

Sipas rezultateve të modelit, rreth 45 për qind e gjurmëve të analizuara iu atribuuan burrave të rritur, 32,7 për qind grave të rritura, ndërsa 22,3 për qind u lidhën me persona nën moshën 15 vjeç. Këto vlerësime vënë në pikëpyetje idenë se Ushtria e Terakotës u krijua vetëm nga burra të rritur.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto përqindje përfaqësojnë pjesën e gjurmëve të analizuara dhe jo numrin e punëtorëve individualë.

Një person mund të ketë lënë disa gjurmë, ndërsa një tjetër mund të mos ketë lënë asnjë gjurmë që të jetë ruajtur dhe analizuar.

Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu se gratë dhe fëmijët mund të jenë të përfaqësuar në mënyrë joproporcionale në kampionin e analizuar. Mjeshtrit me përvojë mund të kenë përdorur më shpesh vegla ose të kenë lëmuar sipërfaqet, duke fshirë kështu gjurmët e gishtërinjve. Ndërsa ndihmësit dhe nxënësit më me pak përvojë mund të kenë lënë më shumë gjurmë të dukshme.

Ekziston edhe një kufizim tjetër i studimit. Modeli mbështetet në të dhëna krahasuese nga njerëz bashkëkohorë me prejardhje evropiane. Pa një bazë më të gjerë të dhënash për popullsitë e Kinës së lashtë, rezultatet duhet të interpretohen me kujdes.

Fëmijët mund të kenë ndihmuar në punët më të thjeshta

Një e dhënë interesante është se, në mesin e gjurmëve të lidhura me gratë, u regjistrua një përqindje më e lartë e gjurmëve që mendohet se u përkasin të miturve, krahasuar me gjurmët e lidhura me burrat.

Autorët supozojnë se kjo mund të tregojë mundësinë që fëmijët t’i kenë shoqëruar gratë që punonin në punishte dhe të kenë marrë pjesë në punë të thjeshta ndihmëse, si vendosja e elementeve dekorative në parzmoret e ushtarëve prej balte. Megjithatë, gjurmët e gishtërinjve, në vetvete, nuk mund ta vërtetojnë këtë skenar.

Burime të tjera historike japin një kontekst shtesë. Dokumentet nga koha e dinastisë Qin përmendin gratë dhe të miturit në sistemin e punës, ndërsa disa tekste ligjore regjistrojnë edhe përfshirjen e grave të dënuara në punë si gërmimet dhe punimet me baltë.

Dokumentet e shkruara në bambu nga ajo periudhë tregojnë gjithashtu se në punishtet shtetërore ekzistonte një sistem trajnimi për nxënësit e zanateve. Sipas njërit prej dokumenteve, trajnimi i një nxënësi kërkonte një vit, ndërsa për aftësimin e një mjeshtri të ri duheshin dy vjet.

Gjurmët e gishtërinjve nuk janë vetëm shenja unike të identitetit. Distanca ndërmjet vijave të tyre të imëta mund të japë informacione për moshën dhe gjininë e personit që i ka lënë

Këto të dhëna tregojnë se fuqia punëtore në shtetin e asaj kohe ishte e larmishme, por nuk vërtetojnë se gratë dhe fëmijët kryenin pikërisht këto punë gjatë ndërtimit të Ushtrisë së Terakotës së perandorit të parë të Kinës.

Mijëra figura dhe një organizim i jashtëzakonshëm i punës

Ushtria e Terakotës u zbulua në vitin 1974, kur fermerë që po hapnin një pus pranë qytetit kinez të Sianit hasën në figurat e para. Kompleksi përbëhet nga ushtarë, kuaj dhe karroca luftarake.

Vlerësohet se përfshin rreth 8 mijë figura, shumë prej të cilave ndodhen ende nën tokë.

Krijimi i një kompleksi kaq të madh kërkonte organizim të ndërlikuar të punës. Figurat prodhoheshin nga disa pjesë të veçanta. Kokat, krahët, këmbët dhe trupat formoheshin veçmas dhe më pas bashkoheshin. Në prodhim merrnin pjesë disa punishte, gjurmët e të cilave mund të dallohen edhe në vetë figurat.

Historiani kinez, Sima Qian, shkroi se në ndërtimin e mauzoleut perandorak punuan rreth 700 mijë njerëz. Megjithatë, ky numër duhet trajtuar me rezervë, pasi besueshmëria e raportimit të tij historik vazhdon të jetë objekt debati.

Autorët theksojnë se nevojiten analiza të gjurmëve nga pjesë të tjera të mauzoleut dhe mbledhja e të dhënave shtesë, në mënyrë që rezultatet të verifikohen dhe të bëhen më të sakta.