Një gjykatë penale në Hamburg ka urdhëruar konfiskimin e 32 milionë eurove nga të ardhurat e shitjeve të fëmijëve të Serop Simonianit, të cilët planifikojnë të apelojnë dënimin. Dy fëmijë të tregtarit gjerman, Serop Simonian, i cili dyshohet se ka qenë kreu i një rrjeti trafikimi të specializuar të eksponateve egjiptiane, janë dënuar për pastrim parash në Hamburg. Gjykata penale e qytetit urdhëroi konfiskimin e 32 milionë eurove nga të ardhurat e shitjeve të familjes Simonian dhe vendosi gjoba në një shumë më shumë se 120 mijë eurosh.
Emrat e fëmijëve nuk u bënë të ditur, por akuzat përkojnë me ato të ngritura ndaj Abraham Simonianit dhe motrës së tij, Alice Simonian Schad. Gjykata bëri të ditur se ata ishin përfshirë në shitjen, te një muze në Emiratet e Bashkuara Arabe, të një busti të Kleopatrës, një stele që mbante emrin e Tutankhamunit dhe një sarkofagu të një princeshe. Të gjitha këto dhe artefakte të tjera, që dyshohet se ishin grabitur në Egjipt, iu shitën atij që është Louvre i Abu Dabhit së bashku me një sarkofag të blerë nga Muzeu Metropolitan i Artit në New York. Vlera totale e shitjeve për të dyja muzetë arrin në 70 milionë euro.
Në total, 26 milionë euro u konfiskuan nga Abraham Simonian dhe 6 milionë euro nga Alice Simonian Schad. Atyre iu urdhërua gjithashtu të paguanin gjoba prej më shumë se 90 mijë dhe 30 mijë eurosh. Ata e kanë apeluar vendimin, por kanë refuzuar të komentojnë. Një akuzë shtesë ndaj Abraham Simonianit, për bashkëpunim me një bandë për trafikimin e mallrave të vjedhura, u hoq për mungesë provash.
Më shumë se shtatë vjet pas sekuestrimit të sarkofagut të artë në New York, që e bëri çështjen publike, ky është vendimi i parë i dhënë në Evropë për veprimtarinë e familjes Simonian, e cila tronditi sektorët e muzeve dhe të trashëgimisë kulturore.
Sipas hetimit të nisur nga Matthew Bogdanos, drejtues i Njësisë për Trafikimin e Antikiteteve në zyrën e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, transaksionet e familjes Simonian kalonin përmes një tregtari francez, Christophe Kunicki, i cili tani akuzohet për mashtrim në kuadër të një bande në Paris. Në vitin 2020, një gjyqtar në Paris lëshoi një urdhër-arresti evropian ndaj vëllezërve e motrës Simonian, por gjykatat gjermane refuzuan ekstradimin e tyre, duke e konsideruar kërkesën pamjaftueshëm të bazuar. Ndërkohë, çështja franceze kundër babait të tyre duket se ka ngecur në një sistem gjyqësor të mbingarkuar. Në mars të vitit 2025, pas 15 muajsh në paraburgim në Paris, Serop Simonian, tashmë 84 vjeç, u kthye në Hamburg, pas ndërprerjes së procedurave penale në Francë.
Abraham Simonian ka mohuar se është trashëgimtar i biznesit të babait të tij, megjithëse hetuesit pretendojnë se ai ishte përfshirë gjithnjë e më shumë në veprimtarinë e tij duke filluar nga viti 2013.
Në vendim thuhet se, në vitin 2017, Alice Simonian Schad arkëtoi 6.4 milionë euro nga shitja për 8.5 milionë euro e stelës së Tutankhamunit. Por, sipas një raporti të prokurorisë së Hamburgut, pjesën më të madhe të të ardhurave nga biznesi e mori Abraham Simonian. Në vitin 2014, ai i faturoi Louvreit të Abu Dhabit 4.5 milionë euro për arkivolet e princeshës dhe një portret të Fayumit, duke i paraqitur ato si “dhurata nga gjyshërit e tij”. Pas zbritjes së komisioneve të ndërmjetësve, 3.8 milionë euro shkuan në llogaritë e tij në “Volksbank” në Hamburg. Të njëjtën gjë e bëri edhe në vitin 2018 për kokën kolosale prej mermeri të Kleopatrës, të shitur në Louvrein e Abu Dhabit për shumën rekord prej 35 milionë eurosh. Pjesa e tij ishte 23.5 milionë euro.
Inventari i familjes, i përbërë nga rreth 200 eksponate, u zhvendos më vonë në Antwerp, ku u sekuestrua në qershor të vitit 2021. Sipas dosjeve të policisë, artefaktet ishin të regjistruara në emër të Abraham Simonianit. Në vitin 2020, autoritetet gjermane sekuestruan 4.6 milionë euro nga dhjetëra llogari që ai mbante në gjashtë banka, si dhe prona të paluajtshme me vlerë 16.5 milionë euro. Në vilën e tij në Hamburg u gjetën dhjetëra eksponate dhe rreth 200 monedha të lashta ari, me vlerë 400 mijë euro si dhe një koleksion orësh luksoze.
(Extrait de The Art Newspaper)