Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

« Beethovenfest » dans les différents univers sonores

Après une décennie, le « Beethovenfest » de Bonn revient dans son ancien lieu d’origine, la « Beethovenhalle ».

Après une décennie, le « Beethovenfest » de Bonn revient dans son ancien lieu d’origine, la « Beethovenhalle ».

Akustika e re dhe botët digjitale të tingullit në “Beethovenfestin” e Bonit hapin një vështrim drejt së ardhmes. Nën moton “Kthimi në shtëpi“, muzikantë nga kultura të tjera e pasurojnë spektrin tingullor të festivalit. Konceptet e reja të së ardhmes së muzikës janë ato në të cilat “Beethovenfesti” mbështetet edhe këtë vit. Kështu, takohen dy botë të ndryshme

Gaby Reucher 

Katërmbëdhjetë trumpetistë, të shpërndarë nëpër sallën e koncerteve, luajnë të shoqëruar nga organoja. Paralajmërojnë një përjetim të madh muzikor në sallën e rinovuar të koncerteve “Beethovenhalle” në Bon.

Kompozimin “A Call to the Heavens”, Stefan Behrisch e ka kompozuar enkas për hapjen e “Beethovenfestit”. Orkestra Simfonike e Londrës, të cilën në hapjen e festivalit të premten mbrëma e drejtoi dirigjenti i saj kryesor, sir Antonio Pappano, interpreton gjithashtu veprën e Beethovenit “Shenjtërimi i shtëpisë“ (Die Weihe des Hauses), si dhe Simfoninë e Nëntë të Brucknerit.

Për nëntë vjet “Beethovenhalle” në Bon, që është monument nën mbrojtje, nuk ka qenë në dispozicion të festivalit.

“Tani sërish kemi një sallë të madhe koncertesh me akustikë të mirë origjinale“, shpjegon Philipp Zeliger, zëdhënës i Beethovenfestit. “Përsëri mund të ftojmë orkestra të mëdha dhe me renome, sepse tani kemi një skenë dhe infrastrukturë të përshtatshme“.

Kjo e ka nxitur edhe pianistin me famë botërore nga Hungaria, András Schiff, që këtë vit të performojë në festival.

Një shtëpi muzikore për të gjithë njerëzit

Megjithatë, salla e re duhet t’u ofrojë ndjenjën e shtëpisë jo vetëm yjeve dhe orkestrave të mëdha, por edhe publikut dhe muzikantëve. Për ta është menduar posaçërisht “Festivali-sallon“, në të cilin komunitetet dhe grupet muzikore nga rajoni mund të krijojnë programin e tyre.

Në projektin “Meet your Band“ çdokush mund të vijë dhe të marrë pjesë. Bëhet fjalë për një ofertë falas dhe lehtësisht të qasshme, e destinuar për njerëzit që përndryshe nuk do të vinin në sallat klasike të koncerteve.

“Beethovenfesti”, megjithatë, shkon edhe te njerëzit, në pjesë të ndryshme të qytetit, atje ku është shtëpia e tyre. Ndër pjesëmarrësit janë edhe Juri de Marco dhe “Community-Chor“. Juri de Marco prej më shumë se një viti mbledh njerëz që së bashku të këndojnë dhe të improvizojnë, edhe nëse nuk dinë t’i lexojnë partiturat.

“Atdheu për mua është më shumë një ndjenjë sesa një vend. Është aty ku mund të mbështeteni te një rrjet i vërtetë shoqëror, ku njerëzit e vërejnë kur nuk jeni aty“, thotë drejtori artistik i festivalit, Steven Walter, i cili edhe vetë ka jetuar në vende të ndryshme në mbarë botën. “Kudo ndjenja e mirëqenies varej nga përfshirja në shoqëri”.

Për nëntë vjet “Beethovenhalle” në Bon, që është monument nën mbrojtje, nuk ka qenë në dispozicion të festivalit. Tash salla e re duhet t’u ofrojë ndjenjën e shtëpisë jo vetëm yjeve dhe orkestrave të mëdha, por edhe publikut dhe muzikantëve

Beethoveni i interpretuar përsëri

Ludwig van Beethoven u lind në Bon në vitin 1750, ndërsa vdiq në Vjenë në vitin 1827. Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes së tij vitin e ardhshëm, pianisti Kit Armstrong dhe dirigjenti Jan Caeyers, me orkestrën e tyre “Le Concert Olympique“, nisin një cikël të madh të Beethovenit “Beethoven 27“.

Në nëntë koncerte ata do t’i interpretojnë në një mënyrë krejtësisht të re nëntë simfonitë e Beethovenit, si dhe sonatat dhe koncertet për piano. Tri koncertet e para do të zhvillohen që këtë vit në “Beethovenfest”.

Jan Caeyers është marrë me Beethovenin në mënyrë të hollësishme jo vetëm si dirigjent, por edhe si muzikolog, dhe ndër të tjera ka shkruar edhe një biografi të gjerë “Beethoven – revolucionari i vetmuar“. Megjithatë, për Beethovenin ende nuk i ka mësuar të gjitha, ka thënë Caeyers në një intervistë për “Deutsche Welle”.

“Kur merrem me Beethovenin, përsëri hapen dyer të papritura dhe kjo më magjeps“.  Përvojë të ngjashme ka edhe pianisti Kit Armstrong: “Nuk ekziston vetëm një Beethoven, por ekzistojnë kaq shumë imazhe dhe perspektiva të ndryshme për Beethovenin, që janë krijuar edhe pas vdekjes së tij. Dhe këto perspektiva duhet të jenë pjesë e interpretimit të sotëm“.

Projekti “Campus“ që bashkon tinguj

Disa nga artistët dhe artistet që performojnë në “Beethovenfest” sjellin muzikë nga vendlindjet e tyre. Mes tyre është edhe pianisti palestinezo-sirian Aeham Ahmad, i cili u bë i njohur sepse gjatë luftës civile siriane luante piano për njerëzit mes rrënojave.

Edhe violinistja Lisa Batiashvili nga Gjeorgjia sjell tingujt e vendlindjes së saj. Ajo këtë vit është artiste në rezidencë e “Beethovenfestit”. Me Filarmoninë e Dresdenit, violinistja do të interpretojë, nën titullin “City Lights“, edhe vepra nga Gjeorgjia – një kushtim personal për atdheun e saj.

Gjeorgjia këtë vit është në qendër të vëmendjes së festivalit. Në kuadër të programit tradicional për të rinj dhe të shkëmbimit “Campus“, në festival takohen muzikante dhe muzikantë të rinj nga Gjeorgjia dhe Gjermania.

Muzika e Beethovenit bashkohet me veprat e kompozitorëve të mëdhenj gjeorgjianë. Të gjithë anëtarët e korit këndojnë edhe veprën për pesë zëra të Heinrich Schützit “Na dhuro mëshirshëm paqen“.

Provat e përbashkëta të muzikantëve nga Orkestra Federale e të Rinjve dhe Orkestra e të Rinjve nga Tbilisi u zhvilluan që në qershor, në mënyrë që së bashku të zhvillonin vizionin dhe programin e tyre për “Beethovenfestin”.

Një temë e rëndësishme e projektit është edhe mënyra se si artistët e rinj e përjetojnë veten në një vend që ndodhet në një krizë politike dhe rruga e të cilit drejt Evropës vazhdimisht devijon nga drejtimi i përcaktuar.

Cotne Zedginidze, kompozitor dhe pianist shtatëmbëdhjetëvjeçar, konsiderohet një talent i jashtëzakonshëm gjeorgjian. Atij iu besua detyra të kompozonte një vepër të porositur për projektin “Campus“.

Kompozimi i tij për piano dhe orkestër kamertale mban titullin “Chmebi: Georgian Fantasia“, ku fjala “chmebi“ në gjuhën gjeorgjiane do të thotë “zëra“ dhe shënon shumësinë e zërave si në kuptimin e drejtpërdrejtë, ashtu edhe në atë të figurshëm.

Muzika klasike përtej shtëpisë

Konceptet e reja të së ardhmes së muzikës janë ato në të cilat “Beethovenfesti” mbështetet edhe këtë vit. Kështu, dy botë të ndryshme të tingullit takohen kur interpretuesi i koras – instrumentit tradicional me tela që ka prejardhje afrikane – Momi Maiga, së bashku me orkestrën e harqeve “Ensemble Resonanz“, improvizon mbi muzikën klasike të Beethovenit.

Artistja amerikane Brittany J. Green në kompozimin e saj “gLitchED dreams//invisible BEINGS“ eksperimenton me inteligjencën artificiale dhe efektet vizuale.

Së bashku me kolektivin muzikor “Alarm Will Sound“, ajo dëshiron të krijojë një panoramë tingullore të epokës digjitale.

“Ne kërkojmë Beethovenët tanë të kohës sonë“, ka thënë Philipp Zeliger, “të cilët nuk janë më vetëm kompozitorë dhe kompozitore të muzikës klasike.“

“Beethovenfesti” zgjat deri më 3 tetor 2026.