Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Culture

Un navire coulé révèle des relations commerciales d'il y a 4 500 ans.

Bateau

Sipas vlerësimeve paraprake të studiuesve, fundosja e anijes mund të datojë nga periudha ndërmjet viteve 2700 dhe 2400 para erës sonë. Nëse datimi konfirmohet, kjo mund të jetë anija më e vjetër e fundosur që njihet deri më tash

Arkeologët kanë zbuluar një anije të fundosur pranë bregdetit të Turqisë, në afërsi të ishullit të Kekovës, për të cilën besohet se i përket epokës së hershme të bronzit, përkatësisht rreth 4 mijë e 500 vjet e vjetër. Enët prej qeramike, të cilat kanë qëndruar në fund të detit për mijëra vjet, mund të zbulojnë se si zhvillohej tregtia në krejt Mesdheun Lindor në kohën kur në Egjipt po ndërtoheshin piramidat e mëdha. Edhe pse struktura prej druri e anijes nuk është ruajtur, ngarkesa e saj ofron të dhëna të çmuara për tregtinë detare dhe lidhjet ndërmjet komuniteteve të lashta të Mesdheut Lindor.
Sipas vlerësimeve paraprake të studiuesve, fundosja e anijes mund të datojë nga periudha ndërmjet viteve 2700 dhe 2400 para erës sonë. Nëse datimi konfirmohet, kjo mund të jetë anija më e vjetër e fundosur që njihet deri më tash, më e vjetër se vendgjetja pranë ishullit grek Dokos, e cila daton rreth 4 mijë e 200 vjet më parë.

Enët prej qeramike zbulojnë vjetërsinë e anijes

Mbetjet e anijes u zbuluan në vitin 2024, në ujërat e cekëta pranë bregdetit jugor të Turqisë, falë informacioneve të marinarëve vendas. Kërkimet u drejtuan nga Hakan Öniz, nga Universiteti Akdeniz në Antalia, ndërsa gjatë ekspeditave të mëvonshme arkeologët gjetën mbetje të ngarkesës të shpërndara përgjatë një shpati shkëmbor nënujor.

Ndër gjetjet përfshihen tri spiranca të mëdha prej guri dhe më shumë se 30 enë qeramike për ruajtjen e produkteve, të njohura si amfora. Ato ndodheshin në një thellësi prej rreth 30 metrash, ndërsa pjesët prej druri të anijes nuk janë ruajtur.

Pikërisht enët prej qeramike u bënë çelësi për përcaktimin e moshës së fundosjes së anijes. Forma, mënyra e prodhimit dhe zbukurimet e tyre mundësojnë krahasimin me objekte të ngjashme të zbuluara në vendgjetje të tjera arkeologjike.

Enët nga anija e fundosur pranë Kekovës kanë dy doreza, fund të sheshtë dhe një fryrje karakteristike horizontale, që i ngjan një brezi rreth pjesës së mesme. Shembuj të ngjashëm janë gjetur në territorin e Egjiptit dhe të Lindjes së Mesme, ndërsa datojnë nga epoka e hershme e bronzit.

Meqenëse struktura e drunjtë e anijes nuk është ruajtur, studiuesit nuk kanë mundur të përdorin datimin me radiokarbon. Për këtë arsye, vlerësimi vjetërsisë bazohet kryesisht në karakteristikat tipologjike të ngarkesës prej qeramike.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se datimi është ende paraprak. Një përcaktim më i saktë kronologjik kërkon hulumtime shtesë, ndërsa rezultatet duhet të prezantohen ende në një punim shkencor që do t'i nënshtrohet vlerësimit nga ekspertë të pavarur.

Çfarë transportohej para 4500 vjetësh?

Një nga pyetjet më interesante lidhet me përmbajtjen e enëve prej qeramike. Edhe pse kanë qëndruar nën ujë për mijëra vjet, në disa prej tyre ende shihen mbetje të materialeve që dikur përmbanin.
Arkeologia Karin Sowada, nga Universiteti Macquarie në Australi, i ekzaminoi enët pasi ato u nxorën nga deti dhe në disa prej tyre vërejti sasi të konsiderueshme të një mbetjeje të dendur dhe me shkëlqim. Deri më tani nuk dihet se për çfarë substance bëhet fjalë. Ndër mundësitë përmenden vaji i ullirit, vera ose rrëshirat e pemëve, por analizat shkencore që do të mund të jepnin një përgjigje më të besueshme ende nuk janë kryer.

Ekziston gjithashtu mundësia që mbetjet të jenë rezultat i përdorimit të mëvonshëm të enëve. Enët e mëdha prej qeramike nuk ishin domosdoshmërisht të destinuara vetëm për një udhëtim, por mund të zbrazen dhe të ripërdoren për një periudhë të gjatë.

Edhe vetë ngarkesa ngre pyetje për origjinën e mallrave. Bazuar në hulumtimet e deritanishme, disa prej enëve, ose argjila nga e cila janë prodhuar, mund të kenë origjinën nga lugina qendrore e Jordanisë. Kjo do të sugjeronte mundësinë që anija, gjatë udhëtimit të saj, të ketë pasur lidhje me qendra të ndryshme tregtare.

Tregtia detare në kohën e piramidave të Egjiptit

Fundosja e anijes pranë Kekovës mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të lidhjeve tregtare në Mesdheun Lindor gjatë mijëvjeçarit të tretë para erës sonë. Krahasuar me periudhat e mëvonshme, shkëmbimi detar i mallrave në këtë epokë ende nuk është studiuar mjaftueshëm.

Në atë kohë, Egjipti siguronte lëndë të para dhe produkte që nuk gjendeshin në sasi të mjaftueshme në territorin e tij. Ndër to përfshiheshin druri i kedrit, metalet, vajrat, rrëshirat, argjendi dhe lapis lazuli, gur i çmuar me ngjyrë të kaltër të errët. Një rol të rëndësishëm në tregti luante qyteti i Biblosit, në territorin e Libanit të sotëm.

Hulumtimet e fundit tregojnë se rreth vitit 2600 para erës sonë, Egjipti siguronte argjend që lidhej me minierat e Lavrios, në lindje të Athinës së sotme. Gjetje të tilla dëshmojnë ekzistencën e rrjeteve të gjera të shkëmbimit, të cilat lidhnin pjesë të ndryshme të Mesdheut Lindor.

Nuk ka prova se anija nga Kekova ishte e Egjiptit dhe as nuk dihet destinacioni i saj i saktë. Studiuesit mendojnë se ajo mund të ketë lundruar përgjatë bregdetit jugor të Turqisë, duke transportuar mallra ndërmjet qendrave tregtare. Si destinacione të mundshme përmenden Troja, në veriperëndim të Turqisë së sotme, dhe Kreta, ku lulëzonte qytetërimi minoik.

Megjithatë, deti përbënte gjithashtu një rrezik të madh. Rrymat e forta, erërat dhe bregdeti shkëmbor i kësaj zone mund të ishin fatale për detarët e lashtë. Pozicioni i mbetjeve në shpatin nënujor ngre mundësinë që anija, gjatë një stuhie, të ketë tentuar të gjente strehë nga era në zonën e mbrojtur ndërmjet ishujve, por të jetë përplasur për shkëmbinj.