Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Colonne

Le Kosovo, à nouveau tiraillé entre coopération et confrontation avec l'UE

Kosovën, pas daljes nga kriza dyvjeçare institucionale, e pret bashkëpunimi me BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për ta kompensuar kohën e humbur. Por, bazuar në reagimet e para të BE-së ndaj ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale, e pret edhe një konfrontim ndërkombëtar. Një unitet i brendshëm në Kosovë është i domosdoshëm nëse vendi dëshiron t’i shmangë pasojat e konfrontimeve të reja.

Qytetarët e Kosovës duhet, po ashtu, të kenë nxjerrë mësime nga ajo që ndodhi në mesnatën e së martës, kur me një urgjencë të paparë u votuan si ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale, ashtu edhe zgjedhja e zonjës Justina Shiroka-Pula për presidente.

Ata mund të jenë të lehtësuar se nuk do të shkojnë përsëri në zgjedhje dhe do të kursehen nga një rund tjetër i shkëmbimit të sharjeve, ofendimeve dhe akuzave mes subjekteve politike, si dhe nga një fushatë e gjatë së cilës dominojnë terma si “hajna“, “tradhtarë“, “bashkëpunëtorë të Serbisë“, “e keqja e Kosovës“ e të tjera.

Nga kjo, qytetarët duhet ta kuptojnë se nuk ia vlen të jenë tepër emocionalë në mbrojtje fanatike të subjekteve për të cilat votojnë. Duhet ta kuptojnë se politika nuk është sport, ku gjithmonë në mënyrë fanatike e mbështet skuadrën e zemrës. Politika është një fushë ku nuk ka rregulla, ku pazari është gjithmonë rregull e jo përjashtim.

Partitë politike mund të mbështeten, por nuk e meritojnë që qytetarët të shndërrohen në tifozë, të mbështesin partinë e caktuar pa marrë parasysh performancën, dhe për humbjen gjithmonë ta akuzojnë ose referin ose lojën e pandershme të kundërshtarit. Fushata pothuajse e përhershme pati lënë pasoja edhe te qytetarët, të cilët shpesh  dhe me emocione përjetuan grindjet politike. Pamjet se si, pas votimit, politikanët e VV-së dhe të PDK-së urojnë njëri-tjetrin, ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit, duhet të mbeten në kujtesën e qytetarëve. Është mirë që e bënë këtë. Por, vetëm disa minuta më herët, ata nuk i kursenin as akuzat më të rënda ndaj njëri-tjetrit, nga ato që mund të thuhen. Dhe në fund, jo vetëm që bënë pazar, ndonëse thoshin se kurrë nuk do të bëjnë pazar për këto tema, por bënë atë që populli e quan “aksham pazar“.

Tash, pasi të paktën për këto dy tema, ligjet për Gjykatën Speciale dhe votimin për presidente, pati bashkëpunim mes PDK-së dhe VV-së, jemi në një situatë në të cilën mund të pohohet se nuk ka më parti politike në Kosovë që nuk ka bashkëpunuar me secilën nga partitë e tjera. Krahas kësaj, ka edhe politikanë që kanë qenë anëtarë të disa partive.

Prandaj, qytetarët duhet të përcaktohen kur votojnë për ndonjë parti, sepse sistemin demokratik e përbëjnë subjektet politike, por nuk ia vlen të grinden dhe të prishen marrëdhëniet me fqinjët, kushërinjtë, familjarët dhe shokët për shkak të politikanëve.

Pos relaksimit që solli tejkalimi i krizës institucionale për qytetarët e Kosovës kjo tash hapi mundësinë edhe për një riangazhim të Kosovës në skenën ndërkombëtare, aty ku nuk ka lëvizur fare për vite, kryesisht për shkak të kësaj krize. Se Kosova ka humbur edhe një vit tjetër do ta konstatojë më 28 tetor edhe Komisioni Evropian, në raportin vjetor të progresit. E ka shumë gjëra që duhen bërë për ta kapur hapin, për t’i rikuperuar humbjet dhe për t’i parandaluar humbjet të reja.

Kosovën, pas daljes nga kriza dyvjeçare institucionale, e pret bashkëpunimi me BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për ta kompensuar kohën e humbur. Por, bazuar në reagimet e para të BE-së ndaj ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale, e pret edhe një konfrontim ndërkombëtar. Një unitet i brendshëm në Kosovë është i domosdoshëm nëse vendi dëshiron t’i evitojë pasojat nga konfrontimet e reja.

Bashkimi Evropian nuk do ta pranojë aq lehtë se ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës nuk e prekin pavarësinë e Gjykatës Speciale, një hibrid për anomalitë e të cilit tashmë është thënë mjaft. Prandaj, Kosova do ta ketë të vështirë ta bindë BE-në në atë që beson vetë.

Dhe, siç e kemi parë me sanksionet e paprecedenta të BE-së ndaj Kosovës për shkak të veprimeve në veri, nganjëherë nuk ka fare rëndësi se kush ka të drejtë e kush jo. Vetëm ta rikujtojmë se BE-ja i vendosi sanksione Kosovës për shkak të veprimeve për të cilat as vetë BE-ja nuk tha se nuk ishin të drejta, por se “ishin bërë në mënyrë të njëanshme dhe pa koordinim“. Dhe po ashtu të rikujtojmë se opozita në Kosovë, për këto sanksione të padrejta nuk e fajësonte BE-në, por Qeverinë e Kosovës, duke e akuzuar se “po na prish me miqtë ndërkombëtarë“ dhe se “po e izolon Kosovën“.

Edhe Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe ishin në anën e BE-së lidhur me këto sanksione, duke e fajësuar Kosovën dhe duke e rritur kështu presionin ndaj saj. Këtë duhet rikujtuar vetëm për të ilustruar se raportet me miqtë ndërkombëtarë nuk janë gjithmonë të lehta. Ka dëshmi edhe më të mira, por edhe më të rënda për këtë, e kjo është mënyra se si u formua Gjykata Speciale. Ajo Kosovës i erdhi si dhuratë nga miqtë ndërkombëtarë, e jo nga armiqtë. Tash, edhe për kufizimin e kompetencave të saj, Kosovës i duhet të punojë me miqtë ndërkombëtarë dhe këtu duhet të jetë gati se nuk do të hasë gjithmonë në mirëkuptim.

Kosova tash ka një Kuvend funksional, i cili mund të miratojë ligje, një Qeveri fuqiplotë me legalitet dhe legjitimitet për të marrë vendime e për të dhënë propozime në Kuvend, dhe një presidente, e cila mund t’i dekretojë ligjet dhe ta përfaqësojë Kosovën edhe në raportet ndërkombëtare. Por, do t’i duhet edhe angazhimi i sinqertë i opozitës për t’i rritur gjasat për sukses. Sepse Kosovën e pret edhe testi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ku duhet të përmbushen edhe disa kushte të cilat Kosova deri tash nuk deshi t’i përmbushë. Tash duhet të testuar miqtë nëse akoma vlen kushti dhe oferta, apo ato kanë ndryshuar. Dhe këtu shkëmbimi i akuzave dhe kundërakuzave mes partive politike nuk do t’i ndihmojë Kosovës.