Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

L'explosion de l'attaquant qui pourrait jouer pour la Suisse, l'Albanie, le Kosovo ou le Portugal

Lutfi Dalipi

Nëse mbrojtësit do ta kishin nivelin e sulmuesit Lutfi Dalipi, Vaduzi do të ishte shumë më lart në tabelë. 

Vaduzi, i rikthyer në Superligën e Zvicrës këtë edicion, është ekipi i dytë me më së shumti gola të shënuar. Pas shtatë ndeshjesh, skuadra nga Lihtenshtajni që luan në elitën helvetike, ka 16 gola. Dalipi është përfshirë drejtpërdrejt në 10 prej tyre. 

20-vjeçari ka shënuar tre gola dhe ka plot shtatë asistime. Por Vaduzi i ka vetëm gjashtë pikë në vendin e nëntë. 

Dalipi nuk shënoi apo asistoi vetëm ndaj Young Boysit, klubit që e huazoi te Vaduzi për këtë edicion.
Formës së Dalipit i gëzohet edhe Young Boysi, që e ka në kontratë deri në vitin 2030.

Kontratën e parë profesionale me Young Boysin, futbollisti ofensiv e nënshkroi në korrik.

Dhe huazimi te Vaduzi i ka bërë shumë mirë lojtarit të Përfaqësueses U20 të Zvicrës. Megjithatë, gjashtë paraqitjet për Zvicrën U20 mund të mbeten të fundit për Dalipin te kjo përfaqësuese. 

Dalipi, që është i lindur në Zvicër, është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe mund të vendosë për kuqezinjtë. Por mund të luajë edhe për Kosovën, e ndoshta edhe për Portugalinë. 
Te Portugalia konkurrenca është e madhe. Njëjtë është edhe te Zvicra dhe gjasat janë që Dalipi në të ardhmen të luajë për Shqipërinë ose Kosovën.

KOHA ka mësuar se FSHF-ja ka kontaktuar me Dalipin, që menaxhohet nga një menaxher shqiptar. Kontakt në të kaluarën ka pasur edhe nga Kosova.

“Lutfi Dalipi është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për t’u aktivizuar në Kombëtaren A. Edhe Zvicra U21, përkatësisht selektori Alex Frei, do ta kontaktojë. Lutfiu ka mundësi të luajë edhe për Kosovën e po ashtu edhe për Portugalinë. Babai i Lutfiut është nga Presheva, ndërsa nënën e ka nga Portugalia. Por Lutfiu ende nuk ka vendosur. Aktualisht është i fokusuar te klubi, por do të njoftojë me kohë për vendimin e tij”, ka thënë për KOHËN një i afërt i futbollistit.

Dalipi vlerësohet një nga lojtarët e rinj më premtues të shtetit helvetik. Shpërthimi në Superligë, ndonëse me ekip inferior, e dëshmon këtë.

Vetë Dalipi nuk ka folur për të ardhmen. Ai është i fokusuar në paraqitjet me Vaduzin.

Është i lumtur për formën, sidomos në ndeshjen e së shtunës. Dalipi shënoi një herë dhe asistoi dy herë në fitore 3:1 ndaj Lausannes.

“Është thjesht kënaqësi”, tha Dalipi në një intervistë për “SRF”. “Ne e dominuam ndeshjen. Pa top, ne jemi shumë agresivë dhe e rifitojmë atë shpejt. Po luajmë me shumë vetëbesim tani”.

Nëse vazhdon me ecurinë aktuale, futbolli ndërkombëtar në nivelin e të rriturve nuk do të jetë larg për Dalipin.