Erling Haaland shpreson ta fitojë Këpucën e Artë të Premier Leagues për herë të katërt dhe kështu ta barazojë rekordin për më së shumti trofe të golashënuesit më të mirë në elitën angleze.
Katër herë golashënuesi më i mirë ishte Mohamed Salah, që më nuk luan në Premier League. Rruga mund të jetë e hapur për norvegjezin e Manchester Cityt, por konkurrenca nuk do të mungojë.
BBC ka bërë një shkrim për pretendentët për Këpucën e Artë të Premier Leagues, në prag të fillimit të edicionit të ri.
Erling Haaland (Manchester City)
Sulmuesi i Manchester Cityt e ka fituar Këpucën e Artë të Premier Leagues në tri nga katër edicionet e tij në futbollin anglez. Norvegjezi, që bëri famë të jashtëzakonshme gjatë Kupës së Botës, realizoi rekord prej 36 golash në edicionin 2022/2023. Në edicionin pasues ishte golashënuesi më i mirë me 27 gola, sa i kishte edhe në edicionin 2025/2026.
aussi
L'Espagne persiste dans sa présentation discriminatoire envers le Kosovo.
Me 112 gola të shënuar në 132 ndeshje të ligës angleze, Haalandi do të jetë sërish lojtari që duhet të ndalet.
Në Kupën e Botës, Haaland i shënoi shtatë gola.
Alexander Isak (Liverpool)
Është e lehtë të harrohet transferimi rekord britanik në këtë diskutim, pasi suedezi kaloi shumë kohë të edicionit të kaluar i lënduar. 26-vjeçari përfundoi golashënuesi i dytë në Premier League në edicionin 2024/2025, duke i shënuar 23 gola. Shënoi më shumë se Haalandi atë edicion, ndërsa u kalua vetëm nga Mohamed Salah.
Por ai shënoi vetëm katër gola në 22 ndeshje në të gjitha garat për Liverpoolin në edicionin e kaluar, pas transferimit prej 125 milionë funtesh nga Newcastle Unitedi.
Nëse Isak mund të qëndrojë në formë dhe trajneri i ri, Andoni Iraola, mund t’i ofrojë shërbimin që i mungonte edicionin e kaluar, sulmuesi shpreson të tregojë pse Liverpooli pagoi aq shumë para për të.
Igor Thiago (Brentford)
Thiago do të shpresojë të shmangë të qenit mrekulli e vetëm një edicioni, nëse mbetet në skuadrën e Brentfordit.
25-vjeçari i shënoi 22 gola në edicionin e parë të plotë në Premier League. Në edicionin e parë, 2024/2025, mungoi gjatë për shkak të një lëndimi.
Në edicionin e kaluar ishte i dyti, pas Haalandit. Luajti për Brazilin në Kupën e Botës, ndonëse nuk u ftua në përfaqësuese më herët këtë vit. Manchester Unitedi është prej klubeve të interesuara për Thiagon.
Joao Pedro (Chelsea)
Joao Pedro shpreson të realizoi më shumë se 15 golat e edicionit të kaluar. Ai u transferua vjet te Chelsea nga Brightoni.
Por Joao Pedro tani ka më shumë rivalë për rolin e sulmuesit se në edicionin e kaluar. Këtu përfshihet edhe ish-shoku i skuadrës te Brightoni, Danny Welbeck.
Do të varet shumë edhe nga fakti se sa braziliani përshtatet në lojën e trajnerit të ri, Xabi Alonso.
Nën drejtimin e Alonsos te Bayer Leverkuseni nuk kishte një golashënues që veçohej. Golat u ndanë nga shumë lojtarë.
aussi
« Actif surévalué » - Muriqi lance l'offensive pour un nouveau record.
Victor Gyokeres (Arsenal)
Sulmuesi suedez pati një edicion debutues të qëndrueshëm. Megjithatë jo spektakolar. Ai shënoi 14 gola në ligën angleze për Arsenalin dhe 21 në të gjitha garat.
Megjithatë 28-vjeçari luajti rol në fitimin e titullit të parë të Arsenalit pas 22 vjetësh. 14 prej atyre 21 golave u shënuan në vitin 2026 dhe kjo mund të jetë dëshmi që Gyokeres është përshtatur në ligë.
Ai mund të jetë pretedent për çmimin e golashënuesit më të mirë, nëse vazhdon me efikasitet të njëjtë.
Ollie Watkins (Aston Villa)
Ollie Watkins është golashënuesi i tretë më i mirë në Premier League, që kur nisi të luajë në elitën angleze duke u bashkuar me Aston Villan në shtatorin e vitit 2020. Prej atëherë vetëm Haaland e Salah kanë shënuar më shumë se ai.
91 golat në ligë gjatë kësaj kohe do të thotë se ai mesatarisht realizoi mbi 15 gola në edicion. 16 i kishte në edicionin e kaluar. Që të jetë kandidat për Këpucën e Artë, Watkins duhet të shënojë të paktën 25 gola, sa i kishte në edicionin e fundit me Brentfordin në “Championship”.
Benjamin Sheshko (Manchester United)
Slloveni Benjamin Sheshko i shënoi 11 gola në edicionin e parë në Premier League, pas transferimit tek Unitedi nga RB Leipzigu verën e kaluar. Nëntë prej këtyre golave erdhën pasi Manchester Unitedi e shkarkoi Ruben Amorimin më 5 janar dhe hoqi dorë nga formacioni i preferuar i portugezit me tre mbrojtës. 23-vjeçari do të shpresojë se mund të ruajë atë formë gjatë edicionit të ardhshëm, që do të jetë i pari i plotë për trajnerin Michael Carrick.
Kush e fiton zakonisht Këpucën e Artë?
Janë zhvilluar 34 edicione të Premier Leagues dhe janë ndarë 42 çmime “Këpuca e Artë”, për shkak se në disa edicione më shumë se një lojtar kishin numër të barabartë golash.
Vetëm 12 prej tyre e kanë fituar Premier League në edicionet kur ishin realizatorët më të mirë. Kjo u jep shpresë lojtarëve që janë në skuadrat që nuk kanë gjasa ta fitojnë titullin.
Haalandi ka luajtur rol në rritjen e numrit të golave të nevojshëm për të fituar Këpucën e Artë. Askush nuk shënoi më shumë se 23 gola në edicionet prej 2018/19 deri në 2021/22. Në katër edicionet e fundit janë dashur prej 27 deri në 36 gola.
Shumica e fituesve ishin sulmues, por në vitet e fundit është bërë më e shpeshtë që lojtarë të pozicioneve të tjera të kenë më së shumti gola.
Cristiano Ronaldo në edicionin 2007/08 u bë lojtari i parë i krahut që e fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë. Salah e fitoi atë katër herë. Në fakt Salah e ndan rekordin me Thierry Henryn, legjendën e Arsenalit. Dhe tani Haaland synon të barazohet me këtë dyshe.
aussi
Inter Milan, super derby de Serie A
Sadio Mane dhe Son-Heung-min, janë lojtarët e tjerë të krahut që e fituan Topin e Artë të Premier Leagues në tetë vjetët e fundit.
Premier League fillon të premten me ndeshjen Arsenal – Coventry.