Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

L'Irlande affronte le Kosovo, mais le match contre Israël est sous les projecteurs.

Irlande

Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që ka marrë pas reagimit të Federatës së Futbollit të Izraelit ndaj deklaratave të fuqishme të tij në lidhje me ndeshjet shumë të diskutueshme të Ligës së Kombeve kundër Izraelit.

Tekniku islandez pranoi se “nuk ishte e zgjuar” nga ana e tij që e kishte larguar vëmendjen nga ndeshja e parë e Grupit B3 kundër Kosovës.

Ndeshja mes Kosovës dhe Irlandës zhvillohet të enjten nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

Ndërkohë irlandezët të dielën luajnë në udhëtim ndaj Izraelit. Kjo ndeshje luhet në terren neutral, përkatësisht në Hungari.

Hallgrimsson deklaroi ditë më parë se “ne nuk po luajmë me gjenocidin, ne po luajmë kundër gjenocidit. Ne po luajmë kundër Izraelit, nuk po luajmë me Izraelin”.

Federata Izraelite e Futbollit i cilësoi komentet e selektorit të Irlandës “të papranueshme”. Por Hallgrimsson mori përkrahje për atë që tha. 

Në Irlandë qëndrimi pro-Palestinë është shumë i theksuar.

“Sigurisht që jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi. Ajo që thash javën e kaluar e ka larguar vëmendjen nga ndoshta ajo që është më e rëndësishmja, ndeshja e rëndësishme kundër Kosovës. Ndoshta nuk ishte e zgjuar nga ana ime ta largoja vëmendjen në këtë mënyrë. Unë duhet të jem i përqendruar në lojë, lojtarët duhet të jenë të përqendruar në lojë, por jemi mirënjohës për gjithë mbështetjen që marrim, sepse kjo është kohë e vështirë për ne”, ka thënë Hallgrimsson.

Kapiteni i Irlandës, në mungesë të Nathan Collins, Dara O’Shea, është pyetur për thirrjet për bojkotim të ndeshjeve me Izraelin.

“Padyshim që ka pasur shumë zhurmë këtë javë. Jemi përpjekur të qëndrojmë larg rrjeteve sociale sa më shumë që të jetë e mundur dhe të qëndrojmë të bashkuar. Kemi një ndeshje të madhe nesër dhe ky ka qenë fokusi ynë. Kosova është skuadër e shkëlqyer dhe jemi të përgatitur për këtë”, ka thënë O’Shea.

O’Shea është pyetur nëse lojtarët e Irlandës kanë planifikuar të refuzojnë shtrëngimin e duarve me lojtarët izraelitë të dielën.

“Ne folëm që në fillim të javës se do të mblidhemi të premten dhe do ta diskutojmë këtë si grup. Nesër kemi një ndeshje për të cilën duhet të përqendrohemi. Sapo të mbarojë ndeshja dhe të vijë e premtja, të gjithë do të mblidhemi si një trup i vetëm dhe do ta diskutojmë”, është shprehur kapiteni i Ipswich Townit.

Në konferencë për shtyp, të mërkurën, shumica e pyetjeve ishin lidhur me ndeshjet me Izraelin.

Hallgrimsson megjithatë ka vlerësuar ngritjen e Kosovës.

“E njohim Kosovën prej kohësh. Ne luajtëm kundër saj me Islandën. Ishte e vështirë ta analizoja. Jam impresionuar nga ngritja e Kosovës nga viti 2016. Tani Kosova është në vendin e 78-të. Individualisht, ka lojtarë shumë të mirë që luajnë në ekipet kryesore në Evropë. Rezultatet e fundit kanë qenë mbresëlënëse. Eliminimi i Sllovakisë në plejof dhe humbja vetëm 1:0 nga Turqia është mbresëlënëse. Mendoj se trajneri ka bërë një punë të shkëlqyer”, ka thënë selektori i Irlandës.

Ai ka theksuar se Irlandën e pret ndeshje e vështirë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Do të jemi të lumtur të merrnim një barazim në një ndeshje të vështirë jashtë vendit. Mendoj se lojtarët janë gati për këtë”, është shprehur ai.

Hallgrimsson vlerëson Vedat Muriqin, sulmuesin e Kosovës dhe Fenerbahçes.

“Ai është lojtari i profilit më të lartë dhe ishte golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga  sezonin e kaluar. Ai shënoi katër gola fundjavën e kaluar për Fenerbahçen dhe e shkatërroi vendin tim, Islandën, në plejof të vitit të kaluar”, ka thënë Hallgrimsson.

Irlanda e Kosova takohen për herë të parë.